PENSIONET ME POSTË Aplikimi kërkon një periudhë kohore deri në një muaj dhe shërbimi kushton 50 lekë të reja
Autori i Lajmit: Entela DurajRreth 500 mijë pensionistë në të gjithë Shqipërinë kanë aplikuar për shërbimin e pensionit në shtëpi. Ky shërbim i ofruar nga Posta Shqiptare kushton vetëm 50 lekë të reja. Sipas burimeve zyrtare, tashmë kjo procedurë është lehtësuar dhe nuk kalon përmes shumë peripecish si më parë, duke u mundësuar në zyrat postare të të gjithë filialeve të kompanisë së postës në të gjithë vendin. Madje, pensioni iu çohet pensionistëve në shtëpi deri në zonat më të thella rurale, falë infrastrukturës së përmirësuar.
Kostoja
Për të qenë sa më pranë moshës së tretë është ulur edhe kostoja e biletës së shërbimit në shtëpi deri në 50 lekë të reja (500 lekë të vjetra). Për më tepër burime nga Posta Shqiptare konfirmojnë se për të realizuar shërbimin në kohë në shtëpitë e pensionistëve është investuar në kapacitete si; shtim i mjeteve motorike.
Aplikimi
Ndërsa mëyra e aplikimit konsiston në plotësimin e një formulari nën asistencën e një punonjësi të zyrës postare të vënë në dispozicion dhe në muajin pasardhës, pensionisti e ka të sigurt pensionin në shtëpi. Ky shërbim rekomandohet veçanërisht për ata pensionistë, që nuk kanë mundësi të dalin nga shtëpia për të tërhequr pensionin mujor për shkak të pamundësive shëndetësore, apo arsye të tjera. Aktualisht, Posta Shqiptare shpërndan mbi 100 mijë pensione në shtëpi dhe ky numër është me tendencë në rritje në zbatim të strategjisë së zhvillimit të kompanisë nën moton “të çojmë shërbimet aty ku klientët janë”. Kompania synon trefishimin e numrit të pensioneve që postierët do të çojnë në shtëpitë e pensionistëve.
Radhët
Ky proces zhvillohet në bashkëpunim nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore i cili do të ofrojë mbështetje në kryerjen në kohë të procedurave përkatëse. Shpërndarja e pensioneve nëpërmjet Postës synon të shmangë radhët pafund që krijohen në pikat e shpërndarjes së pensioneve. Burime mga Posta konfirmojnë se shpërndarja e pensioneve në të gjitha zyrat e shërbimit postar bëhet kundrejt rregullave të qarta që favorizojnë klientin. Gjatë viteve 2005-2007, Posta Shqiptare ka investuar duke rikonstruktuar të gjitha zyrat postare. Nga një vëzhgim i bërë në sportelet e zyrave postare në Tiranë vihet re se pensionistët janë të kënaqur nga cilësia e shërbimit si dhe komunikimi që kanë me punonjësit për çdo paqartësi.
Pensionistët
Pensionisti Bajram Mazari i cili e merr pensionin të zyra postare nr.30 në kryeqytet te “Brrylli”, thotë se është i kënaqur nga shërbimi që i ofrohet. “Unë kam datën e caktuar dhe vij e tërheq pensionin, pa ndenjur në radhë. Për fat, tashmë edhe zyrat postare janë bërë nga e para, sepse para dy vitesh këto ambiente që shihnni ishin të rrënuara, madje dhe shiu që binte jashtë, hynte brenda”, përfundon Mazari. Ndërsa një tjetër pensionist Okjan Galanxhi, është i interesuar, që brenda muajit tjetër, pensioni t’i shkojë në shtëpi, prandaj dhe gjendet pranë zyrës postare, për të bërë aplikimin. ”Duke parë zhvillimet e Postës Shqiptare, cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve, që kryhen vendosa të mos e marr më pensionin në zyrën postare, por të aplikoj që të më vijë në shtëpi. Një hap të tillë e ndërmora edhe duke parë shokët dhe miqtë e mi, të cilët ishin shumë të kënaqur nga shërbimi dhe sjellja e punonjësve të postës, të cilët ua çonin pensionin në shtëpi” përfundon Galanxhi. Ndërsa Pranvera Daci, e cila e merr pensionin në shtëpi shprehet e kënaqur nga ky shërbim pasi në moshën e saj nuk gjen dot kohë të shkojë pranë zyrës postare.
Procedura
Si mund të merrni pensionin tuaj në shtëpi
- Drejtohuni në zyrën postare të pagesës së pensionit
- Kontaktoni me punonjësen e shërbimit, e cila do t’ju jepë formularin e kërkesës
- Plotësoni saktësisht formularin e kërkesës për pension në shtëpi duke kërkuar edhe ndihmën e punonjëses së shërbimit
- Shkruani qartë adresën e banimit dhe numrin e telefonit
- Pasi e keni plotësuar formularin, dorëzojeni atë në sportelin e shërbimit
- Pensioni vjen në shtëpinë tuaj në muajin pasardhës
Si llogariten pensionet
në rastet e dypunësimit
“Në qoftë se një nga punëmarrësit punon në dy punë atëherë për këtë punëmarrës secili prej punëdhënësve të tij (personi juridik ose personi fizik) llogarit dhe paguan kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore njësoj sikur personi të mos ishte i punësuar në punëdhënës tjetër”
Paga bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, është paga e caktuar sipas legjislacionit në fuqi ose në kontratën e punës, sipas rastit, me kohë ose vëllim pune dhe shtesat e tjera me karakter të përhershëm, që lindin në marrëdhëniet e punës. Paga bruto nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, që është 180 mijë lekë në muaj. Kontributet llogariten deri në një pagë maksimale, e cila është sa pesëfishi i pagës minimale. Kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore llogariten e paguhen edhe për të ardhurat nga paga dhe shtesat mbi pagat nga një punë e dytë. Mbështetur në udhëzimin e ministrit të Financave Nr.4, datë 18.1.2005, “Për mbledhjen e Kontributeve të Detyrueshme të Sigurimeve Shoqërore”, në qoftë se një nga punëmarrësit punon në dy punë atëherë për këtë punëmarrës secili prej punëdhënësve të tij (personi juridik ose personi fizik) llogarit dhe paguan kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore njësoj sikur personi të mos ishte i punësuar në punëdhënës tjetër. Pra, secili prej punëdhënësve, në mënyrë të pavarur, llogarit dhe paguan kontributet, mbi bazën e pagës reale të punëmarrësit, brenda kufirit maksimal të miratuar. E njëjta gjë ndodh edhe në rastet e të vetëpunësuarve, kur i vetëpunësuari është njëkohësisht edhe punëmarrës edhe punëdhënës. Atëherë ai duhet të regjistrohet në degën e tatimeve dhe të paguajë kontributet dhe detyrimet e tjera si i vetëpunësuar, sipas gjithë rregullave, njësoj sikur të mos ishte edhe punëmarrës. Ndërkohë, ai duhet gjithashtu të paguajë kontributet edhe si punëmarrës te një punëdhënës tjetër.Punëdhënësi, ku i vetëpunësuari është punëmarrës, i bën veprimet njësoj si për të gjithë punëmarrësit, sikur personi të mos ishte edhe i vetëpunësuar.
Letra nga qytetarët
Quhem N. Gjyla dhe jam banor në Bathore të Tiranës që nga data 1.3.2000 i ardhur nga komuna Shtiqen e Kukësit. Datëlindja ime është 16.1.1947. Kam blerë një tokë në komunën e Nikles dhe kam aktivitet bujqësor. Tokën e kam regjistruar në hipotekë që nga viti 2007. Në kooperativë bujqësore kam një vjetërsi prej 32 vite pune. A mund të sigurohem si bujk? Kur e plotesoj moshën për të dalë në pension dhe sa do të më dalë pensioni ?
Përgjigje e specialistit
Bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.114 datë 30.07.2008, mbas kësaj date ju mund të siguroheni si i vetëpunësuar në bujqësi, e deri në plotësimin e moshës për pension. Aktualisht masa e kontributit vjetor për të vetepunësuarit në bujqësi është 12 000 lekë. Ju duhet të paguani nga 1.8.2008 e deri më 31.12.2008 gjithsej 5000 lekë për këtë periudhë. Po kështu duke paguar për vitet 2009, 2010 dhe 7 muaj në vitin 2011, do të plotësoni vjetërsinë e nevojeshme për të përfituar pension të plotë. Për vitet që keni paguar si i vetëpunësuar në bujqësi, do të keni një shtesë prej 1 për qind për çdo vit sigurimi në këtë skemë. Ju do të plotësoni kushtet për pension në moshën 65 vjeç, pra 30.07.2012.
Ky lajm është publikuar: 25/01/2010