E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetari i Parteshit sulmon fizikisht një bashkëkombës

Kryetari i Komunës së Parteshit, Nenad Cvetkoviq e ka sulmuar fizikisht një qytetar serb para një shitoreje. Policia ka intervistuar pesë dëshmitarë dhe vetë të dyshuarin.Viktima, sipas prokurorit Esat Ademi, ka pësuar lëndime të lehta derisa rasti është cilësuar si lëndim i lehtë trupor, kurse Cvetkoviq e ka mohuar incidentin, transmeton rajonipress.

Ismet Hashani, zëdhënës i policisë rajonale në Gjilan, e ka konfirmuar incidentin, por nuk ka dhënë detaje për emrat. Sipas Hashanit viktima është sulmuar para një shitoreje në Pasjan përballë zyrave të Komunës së Parteshit dhe ka marrë lëndime, ku edhe është dërguar në spitalin e Gjilanit, ku ka marrë ndihmën e parë.

Hashani tha se rreth këtij rasti janë intervistuar pesë dëshmitarë duke përfshirë edhe të dyshuarin. Sipas policisë i dyshuari e ka mohuar veprën.

Kurse Esat Ademi, prokuror i rastit, tha për rajonipress se Nenad Cvetkoviq, kryetar i Parteshit e ka sulmuar fizikisht viktimën (serb).

“Viktima ka marrë lëndime të lehta dhe e ne e kemi cilësuar si lëndim të lehtë trupor për çka edhe rastin e kemi dërguar në procedurë të rregullt”, tha Ademi./indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›