Arbërie Nagavci e refuzon AKR-në, shkak logot

Arbërie Nagavci të cilës AKR i kishte bërë ftesë që ta zpërfaqësonte në KQZ pas dorëheqjes së Fadil Molokut, e ka refuzuar këtë post. Për këtë ajo ka mbajtur një konferencë për media ku thotë se refuzimi i saj është për çështje parimore dhe se ajo nuk mund të dalë kundër interesave të Kosovës.
“Duke i parë zhvillimet e fundit në KQZ, konkretisht debatet rreth heqjes së logos së Republikës së Kosovës në fletëvotime, e nëse ndodh kjo është e kundërligjshme dhe e dëmshme”, ka thënë ajo.
“Arbërie Nagavci nuk është tërheqë por për shkak se ka shfaq të pasigurisë për angazhimin e saj pranë KQZ- së të ndërlidhur me zhvillimin e saj të karrierës në sfera të tjera. AKR ka vendosur të nominojë një kandidat tjetër. Znj. Nagavci nuk është tërheqë por AKR ka vendosur ndryshe edhe për këtë e ka njoftuar zonjushën Nagavci mbrëmë deri kur ajo ka qenë në pritje të konfirmimit të saj. Pasi ende nuk kemi pasur konfirmim nga zyra e presidentes për shkarkimin e z.Maloku dhe emërimin e znj. Nagavci debate për një çështje hipotetike e konsiderojmë të panevojshëm”, ka thënë Mimoza Kusari Lila për Indeksonline.
Ndërkaq kryetarja e KQZ-së Valdete Daka nuk ka dashur ta komentojë pse anëtarët po tërhiqen për shkak të heqjes së logove.
“S’është ajo faktor që ka të bëjë me mu. Nuk më intereson mendimi i saj. Zyrtarisht tek ne është ende anëtar Fadil Maloku deri në shkarkimin nga presidentja”, Valdete Daka
Ndërkohë Nagavci ka pohuar se zyrtarët e AKR-së kanë vendosur të kontaktojnë me një person tjetër për ta emëruar si përfaqësues të vetin në KQZ, menjëherë pasi janë paralajmëruar nga Nagavci se nëse ajo vendoset në atë pozicion do të jetë e vendosur të ndjekë vijen ligjore e jo atë politike e partiake, përfshirë këtu edhe idenë eventuale për heqje të logos, për të cilën Nagavci ka shtuar se do ta kundërshtonte fuqishëm./Indeksonline/