E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjarët e mikut të Remziut: U zhduk pas kafesë me miqtë

Bashkëshortja e Ismet Kryeziut, ish-luftëtarit të UÇK-së denoncoi zhdukjen të dielën. Policia: Jemi në kërkim të tij

TIRANË- Ende mister vendndodhja e mikut të Remzi Hoxhës. Prej pesë ditësh, policia është vënë në lëvizje për të rënë në gjurmët e kosovarit 54-vjeçar, Ismet Kryeziu, ish-eksponent i UÇK-së, por ende nuk ka mundur të lokalizojë vendndodhjen e tij. Ismet Kryeziu, i njohur si miku i Remzi Hoxhës në Shqipëri, është larguar prej ditës së shtunë dhe nuk është kthyer. Ai ka dalë nga banesa e prindërve të bashkëshortes së tij, Anila Leli, që ndodhet në rrugën “Niko Avrami” në lagjen Allias në Tiranë dhe më tej nuk dihet vendndodhja e tij. Ditën e diel, bashkëshortja e kosovarit, Anila Leli, 29-vjeçe, bashkë me babanë e saj, kanë mbërritur në ambientet e komisariatit nr.4 për të denoncuar zhdukjen e tij. Pas regjistrimit të kallëzimit, efektivat blu janë vënë në lëvizje për të lokalizuar vendin ku ndodhet 54-vjeçari Kryeziu.

Familja

“Ende nuk kemi marrë asnjë informacion se ku mund të ndodhet Ismeti. Kemi lajmëruar edhe në Kosovë dhe po e kërkojnë të gjithë të njohurit tanë atje”,- u shprehën për “Shekullin” familjarët e bashkëshortes së Ismet Kryeziut. Ky i fundit, prej dy javësh ndodhej në Tiranë për të kryer një vizitë mjekësore të vajzës së tij 3-vjeçare. Ajo qëndronte tek banesa e prindërve të bashkëshortes së tij. Ditën e diel, ata do të niseshin për në Kosovë por vetëm një ditë më parë, të shtunën, ai është zhdukur në mënyrë misterioze. Sipas deklaratës së bashkëshortes së tij, dhënë në polici, 54-vjeçari kishte dalë për të pirë kafe me dy miq të tij, por nuk u kthye më në shtëpi. Ajo i ka telefonuar burrit, por telefoni ka rezultuar i mbyllur. Pasi ka pritur deri të nesërmen kur edhe do të niseshin drejt Kosovës, Anila Leli është detyruar të kërkojë ndihmën e policisë. Kjo e fundit është vënë në lëvizje duke marrë në pyetje personat e fundit që janë takuar me ish-eksponentin e UÇK-së.

Kërkimet

Policia ka sinjalizuar pikat e kalimit kufitar për të verifikuar nëse Ismet Kryeziu ka dalë jashtë Shqipërisë. Por nga verifikimet rezulton se deri ditën e djeshme ai nuk ka kaluar në pikat kufitare, ndërsa verifikohet vetëm hyrja brenda territorit shqiptar, dy javë më parë. Burime nga policia thanë se për zhdukjen janë ngritur disa pista hetimi të gjitha të mundshme. Dyshohet se ai mund të jetë larguar me dëshirën e tij, por nuk përjashtohet edhe e kundërta. Megjithatë ende nuk është verifikuar asnjë pistë e cila mund të saktësojë motivin e zhdukjes së 54-vjeçarit dhe vendndodhjen e tij. “Ismeti nuk ka marrë asnjë kërcënim më parë. Nuk dimë ku mund të ketë shkuar. Deri më tani nuk kemi asnjë të dhënë për vendndodhjen e tij”,- tregojnë familjarët e bashkëshortes së kosovarit. Policia po heton ndonjë konflikt që mund të ketë pasur Kryeziu, ndërsa burimet policore shtojnë se kërkimet po vazhdojnë.

I ZHDUKURI

Kush është Ismet Kryeziu

Ismet Kryeziu ka qenë mik i biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, i cili rezulton i zhdukur prej vitit 1995. 54-vjeçari kosovar, Ismet Kryeziu, ka qene eksponent i UÇK-së, ndërsa njihej si përkrahës i partisë së Ramush Haradinajt në Kosovë. Kryeziu është i njohur për arrestim politik në vitin 1995 për akuzat e spiunazhit e përgatitjes së akteve terroriste. Ai vuajti dënimin në burgun e Bënçës në të njëjtën periudhë me Fatos Nanon e Ramiz Alinë. Ndërsa në Kosovë, Ismet Kryeziu është arrestuar si eksponent i “Armatës Republikane të Iliridës”. Kohët e fundit, Ismet Kryeziu ishte aktivist në Aleancën për Ardhmërinë në Prishtinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›