E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fazlliç, tokë shtetërore në Porto-Romano

Prokuroria zbardh listën e personave që i shitën tokë mikut të kryeministrit në Porto-Romano të Durrësit

Serbo-boshnjaku i akuzuar për pastrim parash, Damir Fazlliç, ka blerë tokë shtetërore edhe nga komuna

TIRANË- I hetuari në Shqipëri për pastrim parash, Damir Fazlliç, ka përfituar tokë shtetërore në Porto-Romano. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës, me kërkesë të njësisë së Task-Forcës, ka zbardhur emrat e personave që i shitën truall mikut të kryeministrit Sali Berisha, serbo-boshnjaku Damir Fazlliç, në fshatin “Rinia” të zonës së Porto Romanos. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët shtuan për “Shekullin” se përveç emrave të pronarëve privatë që i shitën tokën personit nën hetim për pastrim parash, Fazlliç figuron se një pjesë e tokës së blerë ka qenë pronë shtetërore dhe e paprivatizuar. “Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme e qytetit të Durrësit, pas kërkesës së prokurorisë për përshkrimin analitik të dy pronave me numër dojesh 65 dhe 72 që figurojnë nën emrin e shtetasit Damir Fazlliç, ka kthyer përgjigje, duke dhënë me detaje të gjitha të dhënat e këtyre pronave të blera nga shtetasi serbo-boshnjak. Sipas këtyre shkresave, figuron se pronat ndodhen në territorin e vendit të njohur si fshati “Rinia” brenda komunës së Porto Romanos në Durrës”,-thonë zyrtarë të prokurorisë.

Këto dy prona janë 16 hektarë dhe i janë blerë fshatarëve të kësaj zone, të cilët e kanë përfituar truallin nga shpërndarja e tokës në bazë të ligjit 7501. “Sipas shkresës së ardhur nga Hipotekat, rezulton se përveç fshatarëve, një sipërfaqe e caktuar e truallit i është blerë komunës së Porto Romanos nga përfaqësuesit ligjorë të shtetasit Damir Fazliç, i cili po hetohet për “pastrim parash” në vend”,-thuhet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Mësohet se hipotekat, në përgjigjen analitike dërguar prokurorisë së Tiranës, kanë renditur të gjithë emrat e pronarëve shitës, sipërfaqen e tokës së shitur dhe shumat e kontratave të shit-blerjes, ku rezulton se asnjë kontratë nuk ka çmim të njëjtë, por të ndryshme nga njëri-tjetri edhe pse në ndonjë rast sipërfaqja e tokës ishte e njëjtë. Mësohet gjithashtu se arsyeja e shitjes, sipas fshatarëve ka qenë se i është cilësuar trualli si tokë e helmuar dhe e pa shfrytëzuar.

Mendohet se sipërfaqja totale e këtij trualli të blerë nga serbo-boshnjaku Damir Fazliç është rreth 16 hektarë tokë dhe të gjitha firmat e kontratave të shit-blerjeve janë bërë në praninë e avokates Flutura Kola dhe noteres Laura Pustina. Gjithashtu, këto burime pranë organit qendror të akuzës, konfirmuan për “Shekullin” se të gjitha kopjet e kontratave të shit-blerjes së pronës janë sekuestruar nga prokuroria dhe pritet që në ditët në vazhdim të merret në pyetje noterja Laura Pustina dhe avokatja Flutura Kola. Kjo e fundit, mësohet nga akuza se do të pyetet edhe në lidhje me transfertat bankare të shumës së 1 milion e 750 mijë eurove, shumë e cila është transferuar nga Qipro në drejtim të Tiranës për blerjen e kompanisë “Crown Acquisitions” nga firma qipriote e quajtur “Altaria Research Limited”. Paratë e shitjes së kësaj kompanie janë tërhequr nga bankat në kesh nga avokatja Kola, e cila ishte përfaqësuese e kompanisë qipriote në Shqipëri “Altaria Research Limited” dhe vetë Damir Fazlliç, i cili rezultoi të ishte pronar i dy kompanive.

KOMPANITË

Letër-porosi Qipros për Damir Fazlliç

TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme konfirmon se në drejtim tështetit qipriot do të dërgohet një letër-porosi, ku do t’i kërkohen të dhëna të hollësishme në lidhje me aktivitetin e kompanisë “Altaria Research Limited” si dhe mënyrën e sigurimit të këtyre parave nga kjo shoqëri. Në lidhje me dëshminë e ish-administratorit të kompanive të shtetasit Damir Fazlliç, Erion Isufi, organi i akuzës u shpreh se: “shpjegimet e tij nuk kanë ndihmuar shumë prokurorinë, pasi në lidhje me shit-blerjen e tokës ai ka pretenduar se nuk ndodhej në Tiranë dhe nuk kishte dijeni për shitjen e kompanisë, ku ai kishte qenë administrator”. Sipas prokurorisë, ndaj shtetasit Damir Fazliç prokuroria ka ngritur dyshimet se ka konsumuar elementë të veprës penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”, gjatë shit-blerjes së kompanive të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›