E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë: Burg për Ben Qimen

Avokati kërkon që gjurmët e gishtave të shpallen të pavlefshme. Prokurori kundërshton

TIRANË- Gjykata e Lartë refuzoi lirimin e shtetasit Arben Isufaj, duke lënë në fuqi vendimin e dy shkallëve të tjera të gjyqësorit.Mesditën e djeshme, togat e zeza të kësaj gjykate shqyrtuan rekursin e bërë nga avokati mbrojtës i të dyshuarit për vrasjen e shtetasit Pirro Koçiu, këtu e 6 vite më parë në Tiranë, duke mos pranuar ndryshimin e masës së sigurisë dhënë nga dy shkallët e gjyqësorit të cilët kanë vendosur izolimin e të njohurit si Ben Qimja, deri në përfundim të hetimeve. Vetë i pandehuri nuk ka preferuar të paraqitet në gjykatë, duke i dhënë të gjithë tagrin e përfaqësimit avokatit mbrojtës Genc Gjokutaj, i cili ka kërkuar që të shfuqizohet vendimi i dy shkallëve të gjyqësorit, asaj të Apelit dhe Shkallës së Parë, të cilët me kërkesë të prokurorisë vendosën të lënë në qeli deri në përfundim të hetimeve shtetasin Arben Isufaj. Para gjykatës, prokurori i çështjes ka depozituar akt-ekspertimin daktilografik të gjurmëve të gishtave të kryer në Britaninë e Madhe, ku rezulton se gishti i madh i shtetasit Arben Isufaj rezulton në karikatorin e pistoletës që është gjendur në vendngjarje, gushtin e vitit 2002 në shtëpinë ku u vra shtetasi Pirro Koçiu. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore është zhvilluar një debat i ashpër mes gjyqtarit, prokurorit dhe mbrojtësit ligjor të të pandehurit, ku ky i fundit ka këmbëngulur nga gjykata të deklarojë të pavlefshëm akt-ekspertimin e kryer në Angli, pasi sipas mbrojtjes, ai është falsifikuar nga organet e policisë. Ndërkohë, ka qenë data 13 maj e këtij viti kur Gjykata e Lartë ka vendosur të prishë vendimin e dhënë kohë më parë nga togat e zeza për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›