Zjarr në pikën e bllokimit të policisë, digjen 4 makina
TIRANË- Digjen katër automjete në një pikë bllokimi pranë zonës së ish-Parkut në Tiranë. Zjarri ka rënë mesditën e djeshme duke shkrumbuar katër automjete të bllokuara nga policia, disa vite më parë. Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërritën zjarrfikëset, të cilat bënë të mundur neutralizimin e flakëve të zjarrit si dhe shuarjen e plotë të tyre. Në vendin ku ra zjarri nuk ndodhen objekte të cilat rrezikoheshin prej flakëve. Sipas banorëve të lagjes, djegia e makinave ka pasuar me shpërthime gjë e cila ka përhapur panik në banorët e zonës. Forcat e policisë mbërritën në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat e rënies së zjarrit. Burime nga policia thanë se nga hetimet e para dyshohet se fillimisht zjarri ka rënë në një gomë automjeti,e cila ndodhej pranë makinave të vjetra që gjendeshin prej vitesh në pikën e grumbullimit. Makinat u janë bllokuar qytetarëve vite më parë nga policia dhe nuk u ishin kthyer më. Ndërkohë që prej gomës flakët janë përhapur duke djegur katër makina të vjetra që gjendeshin në grumbullin e madh të automjeteve. Paraprakisht policia dyshon se zjarri mund të ketë qenë ndonjë lojë e fëmijëve, por nuk përjashtohet edhe zjarrvënia e qëllimshme, pasi automjetet ishte bërë shkak i ngushtimit të rrugës në zonën e ish-Parkut. Megjithatë, policia po vazhdon hetimet për të zbardhur shkakun e rënies së zjarrit i cili alarmoi banorët e zonës përreth.