E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësim te Gjeologji-Minierat

Zëra të pakonfirmuar thonë se studentët e Juridikut dhe të Shkencave Sociale do të vazhdojnë studimet në ambientet e inixhinierisë

Akti i Ekspertimit zgjat deri në tre muaj. Drejtuesit e dekanateve presin fjalën e rektorit

Korridoret në Fakultetin Juridik dhe atë të Shkencave Sociale janë të shkreta. Të vetmit që gjenden këto ditë nëpër zyra dhe thyejnë disi grinë e mureve, janë drejtuesit përkatës të dekanateve, të cilët presin e përcjellin kureshtarët që yshtin dëshirën për të ditur se çdo të ndodhë me godinën dhe studentët në ditët në vazhdim. Amfiteatri Blu, salla e madhe ovale e leksioneve, ndodhet në katin e tretë të Shkencave Sociale. Si rrallëherë, në ditë jave, në aulën e stërmadhe nuk pipëtin askush. Kështu ka prej tri ditësh, ndërkohë që nuk gjendet këmbë njeriu të të thotë me saktësi se kur do të afrojë dita që studentët të fillojnë leksionet normalisht. Një mesogrua, që mban veshur përparëse blu, fillimisht të kalon në skaner, pastaj vendos të të flasë. “Djali, nuk ka asnjë aty, kë kërkon?”, - pyet, ndërsa në njërën dorë shtrëngon fort fshesën. I bezdisur edhe nga zbrazëtia, detyrohem t’i shpjegoj shpejt e shpejt se thjesht po vëzhgoja sallën. Ditë më parë, një zë nga studentët përhapi një lajm, sipas të cilit tavani i Amfiteatrit Blu kishte rënë. Në fakt, asgjë nuk rezulton të jetë e vërtetë. Katrahura është ca pëllëmbë më poshtë. Në dukje gjithçka në të dy fakultetet duket sikur rrjedh normalisht. Ca pllaka të dala nga dyshemeja të zgjojnë frikën e lëvizjes mbi truall të pasigurt. Zonja, e cila kupton qëllimin e vizitës na thotë se krisjet gjenden poshtë në kat të parë. Ajo që shihet me sy të lirë nuk ka nevojë për hetime të mëtejshme. Në dekanate presin nga dita në ditë mbërritjen e grupit të ekspertëve. Pa ta askush nuk mund të japë dot një përfundim të saktë, nëse studentët duhet ose jo të kthehen në auditore. Në bisedë e sipër, një nga profesorët e Fakultetit të Shkencave Sociale, vite më parë në pozicionin e zv/ministrit të Arsimit, na thotë se situata ka qenë e tillë që në vitin 2004. “Godina ka pasur probleme që në momentin e parë të ndërtimit. Shenjat e vërteta, që zgjuan më pas alarmin e rrezikshmërisë, u dhanë vetëm dy vite më parë”, - thotë pedagogu, i cili mendon se edhe me një rikonstruksion të katit të parë, godina mund të jetë në kushte optimale për të vazhduar studimet. Ka të tjerë zëra që thonë se, edhe nëse kryhet një ndërhyrje e tillë, sërish objekti nuk paraqet siguri. Dekanatet në fjalë presin nga dita në ditë zhvillimet të reja nga rektorati i Universitetit të Tiranës. Në rektorat shpresat i kanë varur te fjala e kryeministrit. Prokuroria nuk ka nge të sjellë grupin e ekspertimit për këtë arsye, drejtuesit e UT-së kanë kërkuar ndihmën e kreut të qeverisë, që përflitet se mund të të bëjë ndonjë gjë për të përshpejtuar punët që nuk presin. Ditët ikin dhe e gjitha barra bie mbi studentët, të cilëve u duhet të plotësojnë orët e prapambetura në një periudhë kohore shtesë. Në letrën dërguar rektoratit të Universitetit të Tiranës, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka bërë të qartë se inspektimi i godinës kërkon të paktën 3 muaj, që do të thotë se deri në marrjen e vendimit, studentët do të humbin një pjesë të mirë të vitit akademik, i cili do të zëvendësohet me siguri gjatë muajve të verës. Profesor Skënder Kaçupi, në cilësinë e dekanit të Fakultetit Juridik, nuk di të japë një përgjigje të duhur se kur do të fillojnë studimet në dekanatin që ai drejton. Ai pret përgjigje nga Rektorati i Universitetit të Tiranës, ndërsa zëra të pakonfirmuar thonë se shtyrja pa afat e pezullimit të mësimit mund t’i detyrojë drejtuesit e UT-së të gjejnë një tjetër çati për studentët e Drejtësisë dhe të Shkencave Sociale. “E sigurtë është se të gjitha orët e humbura do të plotësohen një për një”, - pohon dekani i Drejtësisë. Fakulteti më i përshtatshëm, për të pritur studentët e Drejtësisë dhe të Shkencave Sociale, mendohet të jetë ai i Gjeologji-Minierave. Fakulteti, pranë Parkut të Liqenit, mban në vetvete kapacitete të bollshme për të sistemuar 3 mijë studentët e mbetur pa auditore. Aty ndodhet prej vitesh edhe shkolla e Magjistraturës. Gjithsesi, asgjë nuk është vendosur. “Koha nuk është për të gjetur fajtorët”, - na thotë një bashkëbisedues në Fakultetin Juridik. Po, ashtu është! Megjithëse njihej gjendja e godinës, askush nuk ngriti zërin, dy vite më parë, të ndalonte shtimin e kuotave të pranimit, që rritën ndjeshëm numrin e studentëve. Madje, sikur të mos ishte tragjedia e ndodhur në Gjirokastër, ndoshta sot askush nuk do të kujtohej për makthin e fshehur poshtë këmbëve të qindra studentëve dhe pegagogëve. Sot bëhen katër ditë nga pezullimi i leksioneve. Me këtë ritëm zhvillimesh, gjasat nuk janë aspak të mira, për të parë së shpejti studentët në auditore. Ata janë të vendosur për të mos u kthyer në godinë derisa të marrin në dorë një shkresë të qartë, ku të shkruhet e bardha mbi të zezë se jeta e tyre është e sigurtë. Tani topi në derë u ka mbetur drejtuesve të Universitetit të Tiranës, të cilët duhet të zgjidhin në kohë të shpejtë gjendjen e krijuar, në të kundërt sa më shumë kalon koha, aq më shumë do të shtohen edhe problemet për studentët.

-----------Vendimi

Kongresi i Manastirit, në kalendar me rreth të kuq

TIRANË- Data 20 nëntor do të kujtohet tani e tutje si dita e alafabetit, në kujtim të datës në të cilën u mbajt Kongresi i Manastirit. Këshilli i Ministrave ka vendosur që, duke filluar nga ky vit, kjo datë e shënuar për kombin shqiptar të shënohet në kalendar me rreth të kuq. Kongresi i Manastirit u mbajt 100 vite më parë, më 20 nëntor 1908, dhe vendosi bazat e gjuhës shqipe, duke shënuar kësisoj një ngjarje historike për kombin shqiptar dhe duke e futur atë në rendin e kombeve të qytetëruar. Në këtë kongres u mor një vendim i rëndësishëm, duke zgjedhur alfabetin latin, për shkrimin e gjuhës shqipe, duke shmangur kësisoj alafabetin arab si një zgjedhje të mundshme. Akti i çmuar i ndërtimit të të parit alfabet shqiptar u pasua 64 vite më vonë, pikërisht në vitin 1974 me krijimin e gjuhës standarde, e cila i dha formën e duhur gjuhës shqipe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›