E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Depozitat janë të sigurta, kriza mund të kapë ekonominë

Nga Fitim Zekthi

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u përpoq dje të largojë dyshimet se kriza ekonomike mund të përfshijë vendin tonë si pasojë e krizës financiare në botë. Guvernatori tha se sistemi bankar shqiptar është i sigurt dhe deri tani vihet re një zhvillim i qëndrueshëm i këtij sistemi. Ai tha se BSH po ndjek me vëmendje krizën globale, duke shprehur opinionin e tij se “sistemi bankar shqiptar nuk është i “toksikuar” , por një krizë më e zgjatur edhe mund të ketë efekte në Shqipëri, veçanërisht në eksporte dhe në investimet direkte. Pavarësisht këtyre guvernatori tha se një zgjatje e krizës do të ketë pasojat e saj në ekonominë e vendit tonë, ndonëse ajo s’mund të prekë depozitat e qytetarëve. Guvernatori sqaroi se edhe në rastin e rëndimit apo të shtrirjes në kohë të krizës financiare, pasojat në vendin tonë nuk do të ndihen te depozitat, por në treguesit e tjerë të ekonomisë, si eksportet dhe investimet. “Një krizë e zgjatur dhe e rënduar, nëse do të vazhdojë në ekonominë globale, do t’i ketë kryesisht efektet e saj në eksportet tona, si dhe investimeve direkte, por, duke pasur parasysh përdorimin e të ardhurave nga emigracioni, kryesisht për importet, mendoj se kjo do të jetë një mbështetje e mirë për të mos pasur një ndikim të fortë”, - tha Fullani. Kreu i Bankës së Shqipërisë ka shtuar se do të rritet vigjilenca në monitorimin e situatës. Në këtë kuadër institucioni mbikëqyrës bankar iu ka kërkuar bankave të nivelit të dytë që të nxjerrin rezultate pozitive në bilancet e tyre. Guvernatorët e vendeve të rajonit, të mbledhur pak ditë parë, thanë se qeveritë duhet të kenë gati planet e ndërhyrjes, në rast se kriza financiare botërore do të bjerë edhe në këto vende dhe kryesisht masat duhet të synonin legjislacionin fiskal. Është e qartë se sistemi bankar i vendit tonë nuk është aq i ekspozuar ndaj krizës, për shkak të faktit se pesha e tij në ekonominë e vendit tonë është shumë më e vogël sesa pesha e sistemeve bankare të huaja në ekonomitë e tyre, megjithatë në ekonomi efektet e krizës mund të jenë të rënda, mund të ulin investimet, të mpakin vendet e punës dhe në rastin më të keq mund të rrisin shumë çmimet. Bursat në të gjithë botën dje reaguan dobët dhe madje në gjysmën e parë të ditës ato patën humbje të jashtëzakonshme. Në fund të ditës u mbyllën disi më të stabilizuara. Plani i qeverisë amerikane prej 700 miliardë dollarësh për të blerë borxhin e keq nuk ka dhënë reflektimin e tij në bursa. Federal Reserve (Banka Qendrore amerikane) vendosi të ndërhyjë me 1,3 trilionë dollarë dje, në mënyrë që bankat të fitojnë besueshmëri dhe të nisin të japin përsëri kredi që ekonomia të mos bjerë në kolaps. Guvernatori ynë i ka të qarta të gjitha këto dhe dje ai qartësoi se kriza është pranë dhe ajo do të bjerë mbi ekonominë, pavarësisht se sistemi bankar do t’i garantojë depozitat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›