E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjet, kujdestari per 80 jetime

Familjet shqiptare do te "strehojne" per nje vit jetimet si dhe femijet me probleme sociale

Tetedhjete femije do te perfitojne nga nje projekt i ri i propozuar nga Ministria e Punes dhe mbeshtetur nga UNICEF per kujdestarine e tyre. Nje gje e tille do te realizohet fale vendimit te Keshillit te Ministrave, i cili miratoi Dokumentin e Kujdestarise per femijet ne nevoje. Fillimisht, dokumenti parashikon Pilotimin e Sherbimit te Kujdestarise per Femijet ne nevoje ne qytetet Tirane dhe Shkoder per nje periudhe 2-vjecare.

Kujdestaria

Dokumenti parashikon vendosjen ne familje normale te femijeve qe jane jetime, ose kane probleme te theksuara sociale ne familjet e tyre. Gjithashtu do te merret edhe miratimi i tyre, ne menyre qe te qendrojne ne keto familje mirepritese, per aq kohe sa familjet dhe prinderit e tyre te zgjidhin problemet. Sipas punonjesve sociale, nje gje e tille eshte e pershtatshme dhe ndihmon per t'iu rikthyer femijeve atmosferen e jeteses ne nje familje normale. Keshtu, keta femije do t'i shmangen institucionalizimit dhe do te riintegrohen ne jeten familjare nepermjet sherbimit te kujdestarise duke ndjekur hapat e kesaj strategjie. Sherbimi i Kujdestarise eshte ofrimi i nje mbrojtje te vecante nga shteti per femijet e mitur, kur prinderit e tyre jane ne pamundesi per te ushtruar pergjegjesine prinderore per shkak se te dy prinderit kane vdekur ose nuk njihen, jane shpallur te pagjetur, u eshte hequr zotesia per te vepruar si dhe per cdo shkak tjeter te pranuar nga gjykata. Sipas Dokumentit te Kujdestarise per femijet ne nevoje, Gjykata vendos per kujdestarine e femijes, per sistemimin e tij ne nje institucion te perkujdesjes apo ne nje familje alternative, me qellim qe t'i ofrohet femijes nje mjedis familjar, kushte per mirerritje, perkujdesje fizike dhe mbeshtetje emocionale.

Perfituesit

Kriteret e perzgjedhjes kane te bejne kryesisht me gjendjen sociale te ketyre femijeve. Keshtu, mesohet se do te perfshihen ata femije qe ndodhen ne situate kritike ekonomike dhe shoqerore, qe u mohohen apo nuk u respektohen te drejtat, femijet e familjeve me te varfra, apo edhe ata qe jetojne me ndihme ekonomike. Gjithashtu, do te perzgjidhen edhe femijet qe u mungon kujdesi prinderor, femije me aftesi te kufizuara, femijet qe detyrohen te punojne, femijet e trafikuar dhe qe kane migruar, femijet e ngujuar per shkak te gjakmarrjes, femijet rome dhe egjiptiane, si dhe femijet e paregjistruar ne lindje. Sherbimi i kujdestarise ofron sistemimin e femijes ne familje kujdestare sipas specifikes dhe nevojes se rastit ne periudha afatshkurtra dhe afatgjata. Ne te paren parashikohet sistemimi per nje periudhe jo me te gjate se 12 muaj. Ndersa ne periudhen afatgjate parashikohet mbajtja e femijes nen kujdestari mbi 12 muaj, deri kur femija arrin moshen e pjekurise. Ndersa sistemimi emergjent i femijes do te behet ne perputhje me percaktimet ligjore per procedurat qe ndiqen per kujdestarine duke synuar dhe respektuar afatet minimale ne fuqi nga Gjykatat, ne rastet kur kjo eshte vleresuar ne interesin me te larte te femijes nga organet e Prokurorise dhe te punonjesve perkates te cilet kane identifikuar problemet.

Monitorimi i femijes nen kujdestari

Gjate kohes qe femija do te perfitoje sherbimin e kujdestarise parashikohet edhe monitorimi i ketij sherbimi, qellimi kryesor i te cilit eshte vezhgimi i nivelit te permbushjes se nevojave te femijes dhe se si prindi kujdestar menaxhon procesin e kujdesit ndaj femijes ne kujdestari. Monitorimi do te kryhet nga punonjesit social apo ekipi multidisiplinar qe ndjek familjen kujdestare dhe femijen. Procesi i perzgjedhjes se prinderve kalon ne disa faza te cilat synojne gjetjen e nje familje te pershtatshme ne interesin me te mire te femijes.

Rreth 5 mije femije nevojtare

Bazuar ne statistikat aktuale, mendohet te jene rreth 5 mije femije ne nevoje. Megjithate, dy vitet e para do te behen pjese e projektit 80 femije. Gjithashtu sipas statistikave, Tirana dhe Shkodra jane dy nga qytetet me nje numer te madh femijesh ne prag te institucionalizimit dhe, nga ana tjeter, ne keto zona ka nje eksperience paraprake te demonstruar nga organizata "EveryChild" me dy qendra komunitare. Parashikohet te trajtohen gjithsej 80 femije nga te cilet 60 femije qe rrezikojne te institucionalizohen dhe 20 raste te femijeve qe mund te deinstitucionalizohen.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›