E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjet në xhami, bashkia merr përsipër zhvendosjen në pallat



BULQIZE - Dhjetë nga 15 familjet që mbetën të pastreha për shkak të shembjes së një pallati në Bulqizë do të sistemohen në ish-kompleksin e minierës së kromit. Lajmi i mirë vjen nga zyrtarët e bashkisë, të cilët thanë për "Panorama" se fondi i premtuar nga Qeveria nuk është lëvruar, por bashkia dhe familjarët kanë menduar një zgjidhje tjetër. Me kontributin e 10 familjeve me leje banimi në bashki dhe me ndihmën e pushtetit vendor do të nisin punimet privatisht në godinën, pronë e Ministrisë së Ekonomisë. Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Roland Keta tha se këto ditë Këshilli Bashkiak do të rishqyrtojë projektin që specialistët e ndërtimit kanë hartuar për kryerjen e investimeve në ish-kompleksin e minierës. "Ne kemi menduar të investojmë bashkë me familjarët për sistemimin e tyre në këtë objekt, pasi siç dihet janë sistemuar prej shumë kohësh në xhami dhe kushtet nuk janë normale. Nga ana e OSSH-së është kërkuar likuidimi i faturave të energjisë elektrike dhe familjarët nuk kanë mundësi ta shlyejnë atë për shkak të të ardhurave të pakta që kanë. Edhe këtë detyrim do ta marrim përsipër ne si bashki. Kemi menduar hapësira të mjaftueshme për çdo familje, duke marrë parasysh numrin e pjesëtarëve të secilës prej tyre", sqaroi kryebashkiaku i Bulqizës, Keta. Të 15 familjet janë sistemuar në xhaminë e qytetit me 16 janar të vitit 2009 dhe gjatë kësaj periudhe ato nuk janë ndihmuar nga shteti, paçka se Drejtoria e Emergjencave Civile pati premtuar ndihma ushqimore dhe veshmbathje, ndërsa Ministria e Ekonomisë pati premtuar çeljen e një fondi prej 25 milionë lekësh për rikonstruksionin e ish-kompleksit minerar. Burime pranë OSSH-së pohojnë se borxhi i krijuar nga familjarët e sistemuar në bashki kap vlerën e 1.2 milion lekëve dhe kjo shumë do të paguhet nga ana e bashkisë, pasi familjarët që trajtohen me ndihmë ekonomike nuk e kanë një mundësi të tillë. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›