Korrupsioni, pranga kreut të komunës
POGRADEC/ GEZIM ASHIMI
Arrestohet për marrje ryshfeti kryetari i komunës së Trebinjës në rrethin e Pogradecit. Gjergji Buzo, 42 vjeç, me detyrë kryetar i komunës së Trebinjës, përfaqësues i PS-së, u prangos në kushtet e flagrancës me akuzën e korrupsionit pasiv. Buzo u arrestua në qytetin e Pogradecit menjëherë pasi i mori ish-vartësit të tij, që kishte punuar si arkëtar në komunë shumën prej 50 mijë lekë të reja. Kjo shumë parash iu sekuestrua kryekomunarit në momentin e arrestimit të tij. Policia ishte sinjalizuar më parë nga "gjahu" i kreut të komunës, ndaj organizoi operacionin e koduar "Ryshfeti" duke e arrestuar 42-vjeçarin në momentin që iu dorëzua shuma e parave.
Mësohet se Gjergji Buzo, i kishte kërkuar shpërblimin në të holla ish-arkëtarit të komunës në shkëmbim të një favori që duhej t'i bënte atij. Burime të policisë së Korçës, bënë të ditur se kishin informacion prej disa kohësh për këtë rast korrupsioni dhe së fundi është ndërhyrë duke e kapur kreun e komunës Trebinjë pasi ai mori vetëm një pjesë të ryshfetit që kishte kërkuar. "Gjergji Buzo i kërkonte ish-arkëtarit të komunës, të cilin ai e kishte pushuar nga puna para gati dy vitesh, një shumë prej 200 mijë lekë të reja", bëri të ditur policia. Mësohet se kjo shumë parash kërkohej nga ana e Buzos pasi ish-punonjësi i tij kishte fituar gjyqin për largim nga puna me të padrejtë dhe priste të dëmshpërblehej sipas ligjit me një vlerë prej rreth 400 mijë lekësh. Por, këtë pagesë nuk kishte arritur ta merrte pasi ishte bërë pengesë pikërisht kryetari i komunës, i cili nuk pranonte të firmoste nëse përfituesi i 400 mijë lekëve nuk do t'i jepte atij gjysmën e parave. Ish-punonjësi i komunës, pas disa muaj sorollatjeje vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë, duke ia bërë prezente rastin e korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës policisë. Pas bashkëpunimit me blutë, ai ka rënë dakord me kryetarin e komunës që t'i japë ryshfetin por, fillimisht një pjesë të tij në vlerën 50 mijë lekë, ndërsa pjesën tjetër pasi të merrte pagesën e plotë të dy viteve të largimit nga puna siç edhe ia kishte njohur vendimi i Gjykatës. Operacioni i policisë i koduar "Ryshfeti" u organizua pasditen e djeshme në momentin kur ia dorëzuan paratë. Policia sekuestroi shumën prej 50 mijë lekësh të cilat përkonin me numrat e serisë të regjistruara më parë prej tyre. Policia tha se arrestimi në flagrancë i kryekomunarit të Trebinjës, Gjergji Buzo u krye për korrupsion pasiv i një funksionari të lartë ose i të zgjedhurve vendorë. Policia i sekuestroi 70.900 lekë, një pistoletë të cilën Buzo e mbante me leje si dhe aparatin celular.