E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, energjia elektrike shkrumbon xhaminë



SHKODER - Shkrumbohet nga zjarri xhamia e fshatit Mes-Myselim në komunën e Postribës në Shkodër. Dëmi i shkaktuar nga zjarri mendohet të kapë vlerën e 5 milionë lekëve, pasi nga godina kanë shpëtuar vetëm muret, ndërsa janë djegur të gjitha pajisjet e xhamisë. Sipas vetë banorëve të këtij fshati shkaku i zjarrit mendohet se kanë qenë luhatjet e shumta të energjisë elektrike. Ka qenë ora rreth 03.30, kohë kur besimtarët e këtij fshati janë zgjuar për të kryer faljen e mëngjesit, kur kanë parë në katin e sipërm që kishte rënë zjarr. Me shpejtësi i janë afruar godinës, ku konstatuan se në katin e poshtëm nuk kishte shenja zjarri, por flakët kishin përfshirë vetëm katin e dytë. Zjarrfikësit janë lajmëruar, por pavarësisht ndërhyrjes së tyre, zjarri përfshiu dhe katin e parë, duke shkrumbuar çdo gjë brenda saj. Sipas banorëve të fshatit dëmi i shkaktuar nga zjarri në këtë xhami kap vlerën e rreth 5 milionë lekëve. Nga dëshmitë e banorëve, por edhe nga hetimet paraprake të grupit të ekspertëve të policisë shkak i zjarrit mendohet se ka qenë rryma elektrike. Vetë banorët i kanë pohuar grupit hetimor se gjatë gjithë ditës së shtunë zona e Mes-Myselimit ka pasur luhatje të vazhdueshme të tensionit. Xhamia e fshatit Mes-Myselim është një nga xhamitë e para në rrethin e Shkodrës, ku pas rënies së diktaturës filloi ushtrimi i riteve të fesë Islame. Kjo xhami u rikonstruktua kohët e fundit, falë financimit të një biznesmeni të zonës. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›