E Diel, 1 Nëntor 2026

Ne, 15-vjeçarët që u burgosëm për tradhti ndaj atdheut



afrim imaj

Një lajm i papritur tronditi mesnatën e 30 janarit ‘61, mbarë Shkodrën. Njoftimi për shkelje të kufirit shtetëror, ngriti në këmbë të gjitha strukturat e sigurisë. Tre të panjohur kishin kaluar Bunën dhe pritej nga çasti në çast, t’u linin lamtumirën. Mësymja e taborrëve të armatosur në ndjekje të tyre shpateve të Taraboshit zgjati dhjetë orë. Më në fund, tre shkelësit e kufirit u dorëzuan paqësisht dhe rrëfyen pikë për pikë aventurën e tyre. “Kush jeni dhe ku do të shkonit?” Të kapurit rishtaz, nuk vonuan të shpjegohen njëri pas tjetrit: “Jam Xhevdet Ishmi, 15 vjeç, lagjia Qafë.” “Më quajnë Hysen Barbullushi, prej Shkodre, 15 vjeç.” “Sytki Jera, nxënës në shkollën 8-vjeçare “29 Nëntori”...” Pastaj, gjithkush prej tyre, nisi të përshkruajë në mënyrën e vet arsyet e marrëzisë për të kaluar Taraboshin. Justifikimi i menduar më herët se ndodheshin aty në kërkim të një qengji të humbur, nuk mund të ngjiste assesi. Asnjë variant tjetër nuk mund ta fshihte të vërtetën. Të kryqëzuar përballë dhjetëra të armatosurve, tre 15-vjeçarët pohuan se do iknin në Jugosllavi, për ta lënë vrapin në Romë. Kaq ishte gjithçka. Që këtej tre adoleshentët, nuk ishin më të tillë, por tre të akuzuar për “krimin e tradhtisë së lart ndaj Atdheut, në formën e arratisjes jashtë shtetit.” çfarë ndodhi më tej me ta?
Hysen Barbullushi, njëri nga tre protagonistët e aventurës së mesnatës së 30 janarit ‘61, pas 50 vitesh rrëfen për gazetën “Panorama”, misteret e ngjarjes së pazakontë dhe kalvarin e vuajtjeve pa fund të burgjet e diktaturës...
Zoti Hysen! Në janarin e vitit ‘61, kur keni qenë 15 vjeç, sipas një dokumenti të Sigurimit të Shtetit, keni tentuar të kaloni kufirin bashkë me dy shokë të tjerë. Mbani mend si ju lindi ideja e kësaj aventure të rrezikshme?
Në fakt ishte një aventurë që na kushtoi jo pak. Nisi thjesht, nga ngacmime spontane e përfundoi keq, si mos më keq. Unë, më i madhi ndër ta, sa kisha mbushur 15 vjeç. Dy të tjerët, Sytki Jera e Xhevdet Ishmi ishin nxënës të tetëvjeçares. Pra, as mund të mendohej se pas nesh ishte ndonjë korent agjenturor, siç na akuzoi hetuesia. Ishte thjesht një shkrepje e çastit, një axhamillëk i moshës pa kurrfarë lidhje politike me komunizëm e antikomunizëm. Ta provojmë një herë, i thamë njëri-tjetrit dhe bëmë planin si do t’ia dilnim mbanë. Ja kështu, thjesht, pa vrarë mendjen fare, si të niseshim në një lodër, por...
Nisët një lodër, thoni, me një plan të caktuar...
Bëmë një plan, aq sa mund ta perceptojë mendja e një fëmije që jeton akoma në botën e lodrave. E kuptonim se bëhej fjalë për diçka jo të zakonshme, e mendja na thoshte se duheshin qepur gjërat mirë. E para, duhej të caktonim drejtimin nga do kalonim kufirin. E dyta, me çfarë mjeti do kapërcenim Bunën. Si do reagonim po të na kapnin etj...
Pra, ishit një grup që kishit vendosur për t’u arratisur...
Asokohe ishim pesë shokë të ngushtë, unë, Xhevdeti, Sytkiu, Ali Alibali dhe Ismail Dibra. Ideja me ik, na lindi krejt rastësisht. Nuk mbaj mend kush e ngriti i pari, por më kujtohet se të gjithë ishim dakord ta provonim. Aty për aty mendonim se po ta realizonim, do na dilte mirë...
Dhe u nisët...
Nuk u nisëm menjëherë. Për ditë të tëra diskutuam për mënyrën si do të largoheshim. Rruga më e mirë ishte kalimi i Bunës. Të shkonim nga ura ishte e pamundur, pasi ruhej me ushtarë. Ta kapërcenim me not, nuk bëhej, ca më tepër që ishte palca e dimrit dhe lumi ishte mbi shtrat. Atëherë vendosëm të kalonim matanë me varkë. Varkë, atëherë kishin vetëm peshkatarët. Duhej t’ua rrëmbenim atyre fshehurazi. U ulëm e folëm shtruar. Shkuam disa herë te zona e peshkimit për të parë si mund t’ia bënim. Gjatë ditëve të javës, aty kishte lëvizje “Non stop”. Ishte si të thuash një kantier i zhurmshëm me njerëz që lëviznin papushim. Pra, në këto kushte të pretendoje për t’u rrëmbyer atyre një varkë, ishte e kot. Aty nuk mund të afroheshe, pale të bëje gjë tjetër. Sidoqoftë, nuk u tërhoqëm. Vendosëm të ktheheshim një ditë të diel, kur peshkatarët ishin pushim. Ashtu bëmë. Shkuam tinëz, pa u diktuar. Pamë vetëm një roje që hera-herës u hidhte një sy varkave buzë lumit dhe futej në banesën aty pranë. Pas një farë kohe dilte përsëri, rrinte disa çaste në këmbë dhe largohej i shkujdesur. Pikërisht, në një nga këto momente, u futëm brenda, morëm njërën prej varkave dhe u nisëm pa zhurmë...
Ishte ditë apo natë, kur rrëmbyet varkën e dolët matanë Bunës?
Në fakt, varkën e rrëmbyem në mbrëmjen e 30 janarit 1961, por për të mbërritur deri këtu kishim diskutuar gjatë gjithë muajit dhjetor. Për ditë e ditë të tëra kishim ngritur e ringritur versione nga më të ndryshmet. Ideja për të zgjedhur varkën, na u duk më e dobishmja. Veprimet me të i bëmë në errësirë, që mos të na diktonte kush. E vetmja prapësi e asaj nate ishte ndriçimi i hënës, drita e së cilës zbardhte si të ishte ditë. Si dolëm matanë lumit, fshehëm varkën në një shelgjishte dhe morëm rrugën shpatit të Taraboshit...
Sa veta ishit në varkë?
Në varkë ishim tre shokë, unë, Xhevdeti dhe Sytkiu.
Po dy të tjerët, Ali Alibali e Ismail Dibra, me të cilët kishit bërë planin e arratisjes, pse nuk erdhën?
Planin me ik e kishim diskutue më herët edhe me Aliun e Ismailin, kur mblidheshim mbrëmjeve te pazari i vjetër, afër postës. Nuk më kujtohet pse ata nuk u ndodhën momentin e largimit, por me sa mbaj mend kur shkuam e morëm varkën, frika se mos na zbulonin, na nxitoi të iknim pa pritur. Kështu që ata mbetëm...
Ju thatë se po ta realizonit arratinë do t’ju dilte për mbarë. Në atë kohë nga e dinit se jashtë shtetit jetohej më mirë?
Me logjikën e një fëmije mendonim kësisoj, kur dëgjonim ndonjë emigrant të hershëm që vinte nga jashtë te të afërmit në Shkodër. Na bënin përshtypje dhuratat e veçanta dhe veshja e tij, që në mjedisin e asaj kohe ishin diçka jo e zakonshme. Kishte pastaj qytetarë të ndryshëm që flisnin në rrethe të ngushta për ato që dëgjonin fshehurazi nga stacionet e huaja. Ishin këto ngacmime që për ne fëmijët do të thoshin se diku gjetkë mund të jetë më mirë. Në fund të fundit, ç’mund të humbisnim kur jetonim me një kafshatë bukë, që e shtynim me krip në vend të gjellës. ç’mund të humbisnim ne të humburit e rreckosur, që edhe karamelen e kishim mollë të ndaluar. Më keq nuk kishte ku të shkonte. Mjerimi ishte futur kështu si mënyrë jetese. Në këto kushte thamë të largohemi për të provuar një realitet tjetër. Po fati nuk e deshi, e ramë nga shiu në breshër. Gjithë gjithë, aventura zgjati 10 orë. Pastaj nëna ime, ç’na kanë parë sytë nga torturat e ushtarëve që na kapën në kufi...
Si ratë në përpjekje me njësitin kufitar?
Nuk ramë në përpjekje të drejtpërdrejt me njësitin kufitar, por ai ishte vënë në lëvizje pas informimit të marrë nga një shoku ynë, që na kishte parë kur u nisëm. Sinjali i tij ishte bërë alarm i madh në krejt Shkodrën. Forca të tëra të policisë, të ushtrisë, të grupeve vullnetare u ngiten në këmbë dhe mësynë shpateve të Taraboshit. Sa mbërritëm te vija e kufirit, diku në majë të malit, dëgjuam thirrjen e parë “Ndal!”. Pastaj me dhjetëra zëra “Ndal, se do t’u qëllojmë!” që shoqëroheshin me breshëri armësh. Dy hapa më tej mund të shpëtonim, por çdo lëvizje mund të na kushtonte me jetën. U kthyem mbrapsh e u fshehëm në pyll. Që nga ora 10 e mbrëmjes e deri afër mëngjesit u përpoqëm t’i shpëtojmë ndjekjes së ushtarëve. Kur menduam se dolëm nga rrethimi, ramë në gjurmim të qenit të kufirit që u gjend aty papritur. Tërbimi i tij ishte i tmerrshëm. Sakaq ja behën dhe kufitarët grupe-grupe me armët në duar. Nga ky çast kuptohet se nuk kishim çfarë të bënim. U dorëzuam paqësisht dhe u vumë menjëherë në breshërinë e pyetjeve të tyre...
vijon nesër...

Raporti i njësitit kufitar: Si i kapëm agresorët në kufi

“Tre personat e kapur janë nga Shkodra dhe asnjëri prej tyre nuk kishte armë me vete”. Në raportin e nënshkruar nga komandanti i postës së kufirit, për ngjarjen e 30 janarit 1961, në malin e Taraboshit, bashkë me entuziazmin për misionin e kryer, njoftohen organet e larta të sigurimit, se tre shkelësit tentuan të arratisen në Jugosllavi, por falë vigjilencës së tyre u kapën dhe i janë dhënë drejtësisë. Nga aq sa raporton kapiteni Hasko dhe tre ushtarakët e tjerë të pranishëm në operacion, qartësohet me detaje dinamika e reagimit të organeve të brendshme dhe forcave vullnetare, deri në çastin e finalizimit të tij. E ndërsa ngjarja me protagonistë tre shkelësit e kufirit, përshkruhet pikë për pikë, duke u shoqëruar madje edhe me skica grafike, nuk citohet askund mosha e tyre(!). Po çfarë raportojnë konkretisht ushtarakët e postës së kufirit të Taraboshit për atë që ndodhi mesnatën e 30 janarit 1961..

Proces verbal
Për kapjen e shkelësve të kufirit në zonën e Taraboshit
Unë kapiteni i Parë, Rrapo Hasko, efektiv i repartit 298 Shkodër, duke pasur me vete dhe kapter Hajdar Meta, rreshter Pëllumb Zeqirin, rreshter Teki Lamin dhe ushtar Muharrem Xhaferin, të gjithë efektiv të repartit 298 Shkodër, në orën 03 të datës 31 janar 1961 kapëm në flagrancë tre persona, të cilët kishin hyrë në zonën e ndaluar të kufirit dhe vazhdonin ecjen e tyre në drejtim për t’u arratisur në Jugosllavi. Vendi ku u kapën quhet Mali i Taraboshit, në afërsi të kufirit jugosllav rreth 800 metra.
Rrethanat e ngjarjes
Aty nga ora 20 e datës 30 janar 1961, më njofton nënkolonel Besim Prishta duke më thënë se në afërsi të kaminave (furrës së gëlqeres që është në afërsi të urës së Bunës) janë parë tre civilë, të cilët dolën nga lumi, lanë lundrën atje dhe morën malit më të lartë. Unë menjëherë mbasi mora këtë njoftim, u përgatita dhe mora me vete personat e mësipërm si dhe qenin kërkues dhe u nisa në vendin e caktuar. Mbritëm në orën 2230 dhe menjëherë vura në gjurmim qenin kërkues. Tek vendi pamë edhe lundrën (barkën) ashtu sikundër kisha dhe njoftimin. Mbasi u vumë në ndjekje të personave kemi udhëtuar më të lartë malit, majës së malit sa nga njëra anë në anën tjetër. Aty në orën 003 datë 31/1/1961, nga largësia rreth njëqind e pesëdhjetë metra diktoj tre personat, thyesit e kufirit, të cilët gjendeshin duke ecur akoma për të kaluar kufirin për një Jugosllavi.
Nata ka qenë me hënë (e ndritshme) dhe në kohën kur unë i fola kapter Hajdarit, që ai të merrte krahun nga e majta, thyesit e kufirit dëgjuan, kthyen fytyrat në drejtimin tonë, ndenjën nja pesë minuta në vend dhe pastaj u ulën në shesh. Në këtë çast neve u bëjmë rrethimin dhe i thërrasim se kush jeni. Si përgjigje dëgjova duke thënë se jemi tre barinj. Por neve, unë dhe shokët e tjerë, iu afruam dhe pastaj i kapëm. Në fillim thotë njëri prej tyre që kemi ardhur këtu sepse mua më ka humbur një berr, ndërsa më vonë po ky person, të cilit nuk ja mësova emrin, thotë se do të të tregoj drejt dhe thotë se neve jemi nisur për t’u arratisur në Jugosllavi. Pastaj mbas këtij folën dhe dy personat e tjerë se kishin qëllim për t’u arratisur në Jugosllavi. Nuk kundërshtuan për asgjë, d.m.th. që të tentonin për të shpëtuar nga rrethimi dhe kapja që ju bëmë. Di se të tre personat që tentuan për t’u arratisur, janë shkodran dhe mbasi i pyeta më pas quheshin Sytki Jera, Hysen Barbullushi dhe Xhevdet Ishmi. Mbasi i kapëm tre personat e naltpërmendur i drejtuam për në komandën e kufirit dhe mandej për në degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës.
Gjatë kontrollit personal që ju bëmë thyesve të kufirit, nuk ju gjetëm me vete gjë të ndaluar, si pushkë, revole etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›