Fanari mbi Tisza dhe kriza e shoqërisë kosovare
U kapa të shkruaj për një ngjarje tronditëse e cila nuk po më hiqet nga koka. Teksa shkruhen këta rreshta, autori nuk e di ende se çka ka ndodhur afër Segedinit të Hungarisë, kështu që shumë nga ajo që përshkruaj është hipotetike. Sipas njohurive të limituara që kemi, diku kah mesi i këtij muaji, kur temperaturat e ftohta ripushtuan vendin e duhur në kalendarin e vitit, një grup klandestinësh kosovarë, burra, gra e fëmijë, u dhanë para trafikantëve për ta kapërcyer kufirin në mes Serbisë dhe Hungarisë. Natën e ftohtë, barka rrotullohet, dhe nga 18-19 qytetarët e Kosovës që gjenden në të, duket se vetëm njëri shpëton me fëmijët e tij. Ai i shastisur shkon në polici ku rrëfehet se gruaja iu ka mbytur në ujin e ftohtë, së bashku me 15 persona tjerë. Lajmin e kam dëgjuar një a dy ditë më herët, por isha i bindur (dhe tani më vjen keq për cinizmin) që është ndonjë mosmarrëveshje apo hile, se këta të ngratë kanë dalë në tokën e premtuar dhe nuk kanë pritur policinë, prandaj tani gjenden diku pranë familjarëve tashmë të emigruar nëpër Gjermani e Skandinavi. Së paku disa prej tyre duket të jenë zhdukur në mjegullën mbi lumin Tisza, e ende lutemi që ky të jetë vetëm një makth dhe se të gjithë janë pranë oxhakut të ngrohtë. Por, dy kufoma u gjetën dhe mediat botërore me shpejtësi kah mbrëmja përhapën lajmin për dyshimin se 15 kosovarë janë mbytur duke kapërcyer kufirin me BE-në. Ca lajme nga miq gazetarë dhe do copëza lajmi gjatë ditës ishin fërkemet e vetme të tragjedisë së madhe sot që shiheshin në peizazhin medial kosovar në mëngjes. Ministria e Punëve të Jashtme heziton ta konfirmojë vërtetësinë e lajmit, apo të japë detaje. Ka thashetheme se ndoshta janë paraqitur familjarët, por për këtë nuk dihet qind për qind. Ka së paku dy ditë që ekziston një frikë se 15-16 burra, gra e ndoshta edhe fëmijë kosovarë janë zhdukë e mbytë, dhe plot dy ditë ecim, sillemi e vazhdojmë ritmin e përditshëm. Jam ende i shokuar për ta shprehur qartësisht magnitudën e mosreagimit tonë ndaj ngjarjes. Kryetari i Kosovës është dashur ta thërrasë Kryetarin e Hungarisë dhe t’i lutej personalisht për informata të shpejta. Ministri i Punëve të Jashtme dhe Ministri i Punëve të Brendshme është dashur të krijojnë ekip që punon 24 orë për t’i identifikuar emrat e atyre që kanë qenë në barkë. Një numër urgjent i telefonit është dashur të postohet në të gjitha gazetat e televizionet për familjarët. Mediat kosovare është dashur të mos ndalen së foluri e së shkruari për 18-19 qytetarë kosovarë që mundohen me çdo kusht, qoftë edhe me rrezik të humbjes së jetës, të ikin nga ky vend. Partitë politike është dashur të pajtohen që fushata të suspendohet për disa ditë. Policia e Kosovës është dashur të dërgojë delegacion të lartë, me përkthyes dhe diplomatë drejt e në Segedin dhe të parkohen në hotel deri sa të marrin vesh se çka dreqin ka ndodhë atje. Nuk e kuptoj se si lajmet kryesore të stacioneve tona televizive fillojnë e mbarojnë me reportazhe të shkurtra nga Hungaria, duke u bazuar në informata të B92 të Serbisë, e nuk e ndërprejnë programin për të na lajmëruar për tragjedinë më të madhe potenciale të trafikut që ka tronditur shumë familje kosovare. Më bie në mend që edhe në Gjirin e Otrantos kanë humbur me qindra shqiptarë e kurrë as familjet e tyre nuk e kanë kuptuar se çfarë ka ndodhur me ta. I përpiu Adriatiku, apo humbën me qëllim lidhjen me familjet të cilat i kanë urrejtur tërë jetën e tyre deri tek dita kur kanë shkelur në Itali. Mbushem me vrer dhe jam krejtësisht i çuditur se si vazhdojnë lajmet me raporte nga konferencat dhe seminaret. Kah fund i Lajmeve Qendrore të RTK-së sërish shoh një ngjarje të tillë. Përsëri një konferencë e UNICEF-it. Por, ja që tani na tregojnë se në Kosovë shënohet vdekshmëria më e lartë e fëmijëve në Europë. Nuk kam se si mos t’i lidhi dy lajmet. Se si nuk jemi çuar në këmbë me pyet se “çka është kah bahet, o burra e gra?”. Se si mos ta shikojmë edhe veten në pasqyrë e ta pyesim njëri tjetrin se a bash aq jemi çirue prej njerëzimit pas humbjeve të mëdha në luftëra e kriza, sa që humbja e jetëve më, thjesht, nuk na bën përshtypje? Nuk besoj se jam fer nëse e shaj establishmentin politik për reagim të vonuar dhe të konfuzuar, ngase të tillë duket se jemi të gjithë.
Disa prej nesh, shqiptarëve, në fund të dekadës së parë të shekullit XXI, rrezikojmë jetën se nuk kemi kthim prapa në cilindo variant. Ca të tjerë janë shumë më fatlumë, qëndrojnë të hutuar para televizorit. Por, të gjithë së bashku kemi një rrugë të mjegulluar përpara.
Ndoshta edhe nuk jemi të humbur krejtësisht dhe përfundimisht, por një fanar i dritës dhe dashurisë për njëri tjetrin na nevojitet dëshpërimisht, ashtu si u ka nevojitur - dhe lutemi ta kenë gjetur - kosovarëve tanë para rrumbullak një jave.