Rama mbërrin tek protesta me dyer të mbyllura

Pas konferencave ku nuk lejohet asnjë pyetje nga gazetarët, pas asambleve partiake me dyer të mbyllura, Edi Rama mbërriti dje në Shkodër të mbajë një protestë në një mjedis të brendshëm, me dyer të mbyllura e pa praninë e mediave. Izolimi ndërkombëtar po shoqërohet me një skizofreni politike, por para se të ndodhë shkërmoqja finale e PS-së, po kalohet përmes stadit karikaturesk, i cili më mirë se kurdo u lexua dje me protestën me dyer të mbyllura të Shkodrës
Teatri i qytetit verior me jo më shumë se 150 vende, duket se ka qenë i mjaftueshëm për të pritur protestuesit e Edi Ramës. I ndodhur në Shkodër në kuadër të “protestave popullore”, për “votën e lirë” nën shoqërinë e Spartak Ngjelës, Erion Veliajt apo edhe të Skënder Gjinushit, Edvini si zakonisht, nuk mundi të mbledhë njerëz, pasi askush nuk e beson më filozofinë e tij politike. Aq më tepër, kur destinacioni i djeshëm ishte një qytet bastion i Partisë Demokratike dhe i së djathtës në tërësi. Mesa duket edhe apeli i besnikes së Edi Ramës, Arta Dades, për marshim rrugëve të Shkodrës, në shenjë pakënaqësie ndaj qeverisë, u trajtua nga socialistët e thjeshtë si një broçkull e rëndomtë, përsa kohë këtë lëvizje politike nuk e mbështesin as vetë deputetët e saj.
Një protestë, që vetëm e tillë nuk mund të quhet, përbën për Edvinin dhe klikën e tij populiste, një dështim më vete. Të përgatitur për të gjetur rrugëve të Shkodrës sa më shumë njerëz, si shenjë presioni ndaj qeverisë, Rama dhe Ngjela u ndodhën përballë faktit të pritshëm, sheshi kryesor nuk mund të përdorej për protestë, pasi do të ngelte një njollë turpi në historinë politike të kësaj partie. Kurrë nuk kishte ndodhur më parë që, një forcë opozitare të mos jetë në gjendje të marrë qoftë edhe mbështetjen e anëtarëve të saj të thjeshtë, e jo më të masave të gjëra të popullsisë.
Në atë sallë të boshatisur, ku më tepër i drejtohej vetes së tij, Ngjelës apo edhe Erjonit, Edvini përsëriti refrenin e bojkotit. Ata pak njerëz që u ndodhën aty për të soditur gallatën socialiste, gjatë gjithë kohës asnjë nga kërcënimet e Ramës nuk i morën të mirëqëna, por si të frustuara nga presioni i tij psikologji, si pasojë e humbjes së zgjedhjeve.
Edhe deklarata e Spartakut, se nëse do ishte ai në pozitë, do t’i mjaftonin vetëm tre ditë për të liberalizuar vizat me BE-në, shkaktuan të qeshura në sallë. As deklaratat e Veliajt se Berisha fitoi me dhunë në zgjedhjet e 28 qershorit, nuk entuziazmuan të pranishmit, por përkundrazi, shërbyen për të vënë në lojë, këtë mesele të dështuar të Ramën me shpurën e tij.
Ishim mësuar që Edi Rama të organizonte konferenca, mbledhje kryesie e Asambleje pa praninë e medias, por të organizosh protesta me dyer të mbyllura dhe pa praninë e medias është më shumë se e tepruar për një forcë politike. E gjithë kjo fakton situatën kaotike të PS dhe rrënimin e pritshëm të saj, çka është paralajmëruar edhe nga eksponentë të brendshëm. Izolimi ndërkombëtar po shoqërohet me një skizofreni politike dhe duket se përpara se të ndodhë shkërmoqja finale e PS-së, duhet të kalohet përmes stadit karikaturesk, i cili më mirë se kudo u lexua dje me protestën me dyer të mbyllura të socialistëve.