E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fanella me numrin 9 nuk po gjen qetesi tek Barcelona e madhe

U bënë 3 vjet që nuk po arrin të gjejë vend. Dhe cili? Numri 9, ai që i përket kryeshënuesit të një skuadre, por që tek Barcelona nuk ndihet si në shtëpi të vet. Nuk ishte kështu më parë. Samuel Eto e mbajti për disa vjet në mënyrë magjike këtë fanellë dhe këtë numër, duke shënuar gola pa fund dhe duke fituar tituj kampion, por edhe dy Liga të Kampionëve më 2006 e 2009, madje duke tundur rrjetën e duke qenë vendimtar në të dyja.

Por, pikërisht pas finales së Romës, fituan 2-0 ndaj Mançester Junajtid, sulmuesi kamerunas u largua për mosmarrëveshje me trajnerin Pep Guardiola. Vendin e tij e zuri një tjetër numër 9 madhështor, Zllatan Ibrahimoviç. Suedezi erdhi nga Interi dhe në total për të u paguan 70 milionë euro, përfshi pikërisht edhe Samuel Etonë që shkoi në Milano.

Një sezon i vetëm ishte prania e tij në “Kamp Nou”. Ndonëse një nga lojtarët më të mirë të botës, nga më të talentuarit e brezit të tij. Karakteri i tij nuk u përshtat dot me filozofinë barceloniste dhe largimi as nuk mundi t’i afrohej atij të Etosë për nga shkalla e dramaticitetit. Ibra kaloi në Milano ku sërish doli kampion, si gjithnjë në karrierën e tij, ndërsa Barcelona ia dha numrin 9 një djali të shtëpisë, një çuni të lagjes, të quajtur Bojan Krkiç.

Por lojrat e tregut bënë që edhe ky numër 9, i aktivizuar pak sezonin e fundit, të largohet nga “Kamp Nou”. Një tjetër numër 9 që ikën, ndërsa besohet se kjo fanellë mund t’i jepet gjahtarit të shquar David Vija, ylli që aktualisht mban numrin e tij të preferuar, 7. Veçse, kujdes! Mos harroni se edhe për Vijën po përflitet se mund të largohet. Ç’po bëhet kështu me numrin 9 në ekipin më të madh të botës?

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›