E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjovalin Çuni: Një rrjet i përbashkët për bibliotekat

 

Shkodër. "Ka ardhur koha për hartimin e një softi unik kërkimi për të tërë bibliotekat shqiptare. Niveli i hedhjes së librave në softe kërkimi në bibliotekat shqiptare, mendoj se është problematik", kështu ka pohuar drejtori i Bibliotekës së qytetit të Shkodrës, Gjovalin Çuni. Sipas tij një pjesë e bibliotekave, ashtu si edhe ajo e Shkodrës janë të pautomatizuara. "Jemi përpjekur t'i japim mundësi lexuesve të kërkojnë materialet bibliotekare përmes kompjuterëve, por nuk jemi bazuar në një soft, jemi bazuar në Excel që mund të konvertohet. Po kështu mund të jetë gjendja edhe në biblioteka të tjera, ku secili ka zgjedhur një mënyrë komunikimi me lexuesin e vet, por që nuk rezulton të jetë bashkëkohore. Nëse do të ishte një Soft i vetëm për të tërë bibliotekat e Shqipërisë, shërbimi ndaj lexuesve bëhet më i lehtë. Mungesa e këtij softi e ka bërë të pamundur klikimin dhe njohjen e materialeve, që kanë bibliotekat e tjera", shton Çuni. Ai është i mendimet se nëse duam t'i japim qytetareve një shërbim modern dhe t'i afrojmë në ambientet e bibliotekave, duhet që të gjendet mënyra bashkëkohore. "Ka ardhur koha që ashtu siç e kanë të gjitha vendet e rajonit për të mos thënë ato te Evropës, duhet patjetër krijimi i rrjetit, ku të bashkohen të gjitha bibliotekat publike të Shqipërisë, qoftë edhe përmes portaleve, që mund të krijojë programi i Bibliotekës Kombëtare", pohon drejtori i bibliotekës së Shkodrës "Marin Barleti", Gjovalin Çuni. Biblioteka e Shkodrës, "Marin Barleti" plotëson një pjesë të nevojave të qytetarëve tanë, pasi bibliotekat në përgjithësi kanë karakter "komplementar", apo shkojnë duke plotësuar njëra-tjetrën në kërkesat e lexuesit.
Biblioteka ka 230.000 kopje me rreth 70.000 tituj të shpërndarë në 4 fonde që janë në shërbim të lexuesve. Çdo vit kësaj biblioteke i shtohen një sasi e konsiderueshme librash, bazuar në buxhetin e përcaktuar nga Bashkia e Shkodrës, më i madhi nga të gjithë bibliotekat publike të Shqipërisë me 20 milion lekë. "Pasurimi i bibliotekës sonë bëhet përmes blerjeve periodike, dhuratave të autorëve dhe institucioneve si dhe përmes shkëmbimeve. Duhet të themi se kemi realizuar një marrëdhënie shumë të mirë besimi reciprok me autorët e librave të rinj",  sqaron Gjovalin Çuni. Biblioteka publike e qytetit të Shkodrës u themelua në vitin 1931 në ambientet e "Milet Bahce". Fondi fillestar i librave të kësaj biblioteke u financua nga vetë Bashkia e Shkodrës. Krijimi i kësaj biblioteke ishte fryt i një tradite të vyer të qytetit Shkodrës, traditë e filluar që në mesjetë, e vijuar më pas me bibliotekën "Bogdani" dhe atë të Myftiut të Tabakëve. Biblioteka të rëndësishme të Shkodrës kanë qënë edhe ato të institucioneve fetare, siç ishte biblioteka e Medrezes së Naltë, pranë Kalasë, bibliotekat e çmuara të etërve Jezuitë (1858) dhe atyre Françeskanë (1875). Krijimi më 1917 në Shkodër i bibliotekës së "Komisisë letrare", duhet të konsiderohet si djepi i krijimit të së parës bibliotekë shqiptare. Në vitin 1945 një pjesë e fondit të bibliotekave fetare, që u mbyllën i kaluan në zotërim bibliotekës publike. Biblioteka e qytetit ka lëvizur disa herë në godina të ndryshme.  Në vitin 1946 u vendos tek Muzeu i Vjetër, apo Sahati i Inglizit siç cilësohet në gjuhen e popullit e më vonë në ndërtesën e sotme të Bashkisë. Në vitin 1968 u vendos në godinën që është sot dhe mori emrin "Marin Barleti".                                 R. Dibra

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›