Fansat e “Baba Tomorit” mblidhen në Tiranë
Nesër, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, zhvillohet një veprimtari me rastin e 103-vjetorit të shoqatës kulturore “Tomori”, rikrijuar 10 vjet më parë. Fansat e “Baba Tomorit” mblidhen në Tiranë për të nderuar dhe promovuar vendlindjen si edhe traditat e shquara të kësaj krahine me emër. Shoqata kulturore “Tomori” është themeluar në nëntor të vitit 1906 nga komuniteti shqiptar në Rumani, duke zhvilluar veprimtari të shumta patriotike brenda dhe jashtë vendit përmes degëve dhe klubeve të saj edhe në Athinë, Egjipt, SHBA. Ringritja e shoqatës në dhjetor 1999 u shoqërua me një impuls të ri të aktiviteteve patriotike si në fushën e kulturës, promovimit të traditave, botimeve dhe shtrirjen e ndikimit të saj edhe në Kosovë, Maqedoni, Itali etj. Shoqata ka gazetën e saj “Dielli i Tomorit”. Me rastin e jubileut të rikrijimit, shoqata ofron për dashamirësit e saj një program special ditën e shtunë në Muzeun Historik si promovimin e veprimtarisë së shoqatës, nderimin e protagonistëve të saj, një ekspozitë pikture nën okelion “Në rrënjët e Skraparit” të piktorit Sulejman Përrenjasi, një panair të librit me vepra për Skraparin dhe nga skraparasit “Skrapari në libra”, si edhe shfaqjen e një dokumentari. Shoqata “Tomori” aktualisht drejtohet nga studiuesi Nuri Çuni dhe ka si president nderi poetin e madh Xhevahir Spahiu.
Kalatë, Xhaferraj do t’i “ndriçojë”
Dje në mesditë, ministri i TKRS, zoti Ferdinand Xhaferraj, inspektoi punimet restauruese në qytetin e Beratit, të cilat janë në përfundim e sipër. Ky projekt përbën një pjesë të atij investimi të madh të qeverisë shqiptare dhe MTKRS-së për restaurimin dhe funksionalizimin e qendrave të trashëgimisë kulturore, i cili kap vlerën prej 60 milionë lekësh. Ministri Xhaferraj vizitoi ambientet, lagjet e vjetra historike: Gorricë, Mangalem dhe Kala dhe takoi banorë të këtij qyteti. Ndër të tjera ai tha: “Berati tashmë i përket trashëgimisë botërore të turizmit dhe si i tillë është dhe do të jetë nën vëmendjen e qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Projektet e financuara nga buxheti i shtetit në Berat, për herë të parë kanë trajtuar mbi 75 objekte në një lagje të vetme historike ose mbi 4500m2 punime, duke u përshtatur më së miri me kërkesën e kohës për trajtime në ansambël të trashëgimisë kulturore materiale. Punimet në banesat e djegura në Kala janë një tjetër kontribut i rëndësishëm i MTKRS-së dhe me këtë rast shpreh shqetësimin tim personal për qytetarë të cilët dëmtojnë banesat e tyre, duke shkaktuar dëme të pariparueshme. Ndëshkimi ligjor për këto raste duhet të jetë i shpejtë dhe konsekuent; Berati është trashëgimi botërore e njerëzimit dhe si e tillë vëmendja e të gjithëve duhet të jetë maksimale. Shumë shpejt, vëmendja do të kthehet edhe drejt trashëgimisë shpirtërore. Gjithashtu, ndriçimi dekorativ i lagjes Mangalem është një risi tjetër në serinë e projekteve për këtë qytet. MTKRS po harton një projekt tjetër për simotrën e Beratit në UNESCO, qytetin e Gjirokastrës, me qëllim që edhe pazari karakteristik atje të jetë i ndriçuar sikurse e meriton dhe në stilin që përputhet me vlerat e tij botërore. Po kështu, në vitin 2010 parashikohet ndërhyrja e fortë në Kala nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, një projekt-ide që tashmë është aprovuar nga Këshilli Kombëtar i restaurimeve”. Me fjalën e tij ministri Xhaferri vuri theksin në faktin që gjithë ky investim i MTKRS-së synon që trashëgiminë kulturore të vërë në shërbim të turizmit. Më pas, ai vizitoi njërën nga banesat më karakteristike beratase që njihet si “Banesa e Mëmës”. Gjatë komunikimit me banorë, ai mori mirënjohjen e tyre për punën e bërë deri tani.