E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fansat shpallin fitues Jetmirin



Sonte është nata finale e programit “Big Brother”. Mbas tre muaj e gjysmë, sot ky program ul siparin e tij duke shpallur edhe fituesin e edicionit të tretë. Sonte njëri nga finalistët do të përjetojë emocionet e forta të Arbrit dhe Qetsorit, dy fituesve të edicioneve të kaluara. Por cili do të jetë ai? Nuk diskutohet që kësaj pyetjeje ne nuk mund t’i japim dot përgjigje, për arsye se votimet do të bëhen me anë të mesazheve, por ka edhe një mënyrë tjetër për të kuptuar se kë duan fansat e këtij programi si fitues, siç janë forumet në internet. Po t’i referohemi programit të ngjashëm në Itali “Grande Fratello”, Mauro Marin i cili fitoi çmimin e madh ishte edhe në internet më i votuari duke na lënë të kuptojmë se edhe ky votim në fakt është shumë orientues dhe real. Kështu në forumin zyrtar të “Big Brother” nga votimet online ka dalë se fitues do të jetë Jetmiri me 62% të votave, pas tij vjen Domenika me 23% të votave, i treti është Erjoni me 11% dhe i katërti Klodi me 5%. Natyrisht fansat spjegojnë edhe arsyet pse duhet të jetë Jetmiri fitues i këtij edicioni, çfarë ka dhënë ai gjatë kësaj kohe qëndrim në shtëpinë e “Big Brother”. Ja disa opinione:

Besa: Jetmiri është madhështor, i pamposhtur, është gjenial. Asgjë në këtë botë nuk mund ta thyejë atë, unin e tij. Kam bindjen se edhe në 100 “Big Brother”-a të tjerë, ai do mbetet unik. është i veçantë, i papërsëritshëm, ka lënë gjurmë tek ne. Fitorja është e tija pa dyshim.

Good: Kur thonë çfarë mesazhi po jep ai, unë acarohem. Lërini ore mesazhet se iu ka ikur koha. Në atë program janë mbledhur disa të rinj dhe të gjithë luftojnë për para. Dhe të luftosh do të thotë t’i biesh kokës të gjithëve ashtu siç ka vepruar edhe Miri. Kjo botë merr kuptim vetëm kur ke para prandaj dhe komentet e tjera nuk kanë vlerë.

Reallight: Miri dhe vetëm Miri e meriton fitoren…Ka dhënë me shpirt gjithçka. Ai njeri ka përdorur mendjen si armën e tij më të fortë, zemrën dhe çdo talent të tijin. çdo fjalë apo veprim i tij i ka vënë të gjithë në lëvizje. Kështu ai u vu në qendër të vemendjes. Ai djalë 25- vjeçar me intelektin, zgjuarsinë, pjekurinë, vullnetin, guximin na ka dhuruar kaq shumë emocione, ka luajtur fort dhe hapur, pa pasur frikën se do të gjykohej keq nga publiku. Guxoi dhe loja e tij dha rezultat. Askush tjetër përveç Mirit nuk e meriton fitoren. Ju mund të thoni se nuk ia japin një labi tjetër. Po ç’lidhje ka kjo? Kush e meriton le ta marrë.

Fontena: Jetmiri e meriton fitoren sepse ka qenë aktiv dhe na ka dhuruar spektakël për më shumë se 100 ditë. Ka qenë vetvetja dhe nuk ka luajtur në grup si të tjerët. Nuk është marrë me thashetheme. Ka ndjekur strategjinë e tij deri në fund. I ka rezistuar intrigave dhe thashethemeve. Prandaj dhe ai duhet të fitojë “Big Brother”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›