Rosela dhe Eliza këngën tani me klip
Pas kupës së fituar në “Kënga Magjike” dy këngëtaret Rosela Gjylbegu dhe Eliza Hoxha kanë vendosur ta bëjnë klip këngën e tyre fituese “Rruga e zemrës”. Kjo është hera e dytë që këngëtaret shfaqen të dyja pas bashkëpunimit me Pirro çakon në klipin e tij “Një tjetër jetë”. Rosela Gjylbegu pohon se ky nuk do të jetë dueti i vetëm i këngëtareve.
Rosela, sapo keni përfunduar xhirimet e klipit “Rruga e zemrës”, çfarë dimensioni të ri i keni dhënë kësaj kënge?
Fabula është shumë e thjeshtë, ka të bëjë me të përditshmen tonë, jemi përpjekur ta sinkronizojmë me tekstin.
Mund të na thoni më shumë rreth detajeve, vendit ku janë bërë xhirimet?
Xhirimet janë realizuar në Kosovë, më saktë në Prishtinë.
Ka rezultuar tashmë si duet i suksesshëm, do të mund të pasohet nga të tjera bashkëpunime me Elizën?
Po, ne tashmë e kemi bërë dhe një këngë, e cila po transmetohet këto ditë në Super Sonic TV një bashkëpunim i imi me Elizën e Pirro çakon. Uroj të pasohet me të tjera bashkëpunime në të ardhmen pse jo.
Nga konkurrimi më i fundit në festivalin “Kënga magjike” ju morët çmim, do vazhdoni të merrni pjesë në festivale të tjera?
Sigurisht që do vazhdoj të jem pjesë e garave nëpër festivale, ndoshta jo tani shpejt por s’do heq dorë.
Cilat janë angazhimet jashtë muzikës, profesioni dhe jeta që bëni?
Unë në korrik diplomohem për master në degën e “Barazisë Gjinore” në fakultetin e Shkencave Sociale. Punoj në administratë, kam shumë impenjime si sociale ashtu dhe artistike, plane e projekte për këngë e punë të reja por çdo gjë dalëngadalë.