Florian Agalliu - E vështirë të flasësh në skenë për dashurinë dhe pornografinë
Një lajm shokues i viteve më parë, shkruar në gazetat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku një i burgosur i dënuar me vdekje priste varjen e tij, shkrimtari italian Massimo Sgorbani e dramatizoi nën titullin “Engjëlli i gravitetit”. Aktori 23-vjeçar, Florian Agalliu e ka vënë i vetëm këtë shfaqje të regjisores Renisa Shabani në “Teatrin e Metropolit”. Ai rrefen eksperiencën e një monologu ku flitet për herezi, adoleshencë mashkullore dhe pornografi.
Te shfaqja “Engjëlli i gravitetit” luani personazhin me probleme fizike. Cila është mosha në rol dhe si e përjetuat karakterin e tij?
Personazhi i cili mbeti anonim deri në fund presupozohet të jetë një djalë adoleshent rreth të 16-19-ave, moshë në të cilën fillon të kesh eksperiencat e para seksuale. Gjithsecili nga ne ka qenë në atë moshë dhe i ka përjetuar të njëjtat situata, kurioziteti mbi zbulimin e vetvetes. Personazhi i cili i jep një shpjegim sipas mënyrës së tij të gjitha fenomeneve që trajton pjesa duket pak absurde dhe surreale për shikuesin dhe për mua ka qenë e vështirë për t’i besuar dhe për t’u përshtatur me ato rrethana.
Shfaqeni një obez mes kangjellave që pret ekzekutimin e tij. Si u realizua ky shndërrim i pamjes suaj kryekëput të tjetërsuar?
Të luash pritjen është një nga rrethanat më të vështira që mund t’i jepet një aktori dhe në këtë rast i kam besuar pedagogët e mi kur insistonin dhe na kërkonin që të krijonim etyde me të tilla rrethana. Përshtatja me skenën ishte e mundimshme për arsye se ajo qëndronte në ajër dhe përveç kufizimeve në lëvizje duhej të ruaje dhe ekuilibrin. Të presësh flokët dhe të heqësh mjekrën është gjëja më e thjeshtë që mund të bësh, më e rëndësishmja është transformimi psikofizik. Asnjëherë aktori nuk duhet të kamuflohet poshtë kostumit dhe të pretendojë se ka realizuar një figurë artistike. Ai duhet të ndihet i tillë të sillet të flasë dhe të reagojë si i tillë pavarësisht grimit apo parukes.
Eshtë e vështirë të luani i vetëm në një skenë, mesa dimë janë shfaqje shumë të rralla?
Për mua nëse do ta mallkosh ndonjëherë ndonjë aktor mund t’i thuash: “Të pafsha me ndonjë monodramë!” (qesh) Sigurisht që ka vështirësitë e veta në krahasim kur në skenë ke dhe një partner, duhet të jesh i përqëndruar, të ruash grafikun e shfaqjes dhe të bësh kujdes me ritmin kur e ndjen spektatorin që mërzitet.
Si u ndiet në ndërgjegjjen e një vrasësi, po të presësh nga një moment në tjetrin vdekjen si është?
Unë luajta një karakter që do të thotë e besova atë që bëra, dhe për faktin se ai nuk e quante aspak veten vrasës, përkundrazi. Ndërsa të presësh vdekjen është më keq se të presësh drekën kur je i uritur.
Mesa thuhet dhe në përshkrimin e tekstit për personazhin tuaj ushqimi është e vetmja dashuri që personazhi ka njohur. Ju vetë e dashuroni ushqimin, dhe çfarë dashurie keni njohur më mirë deri tani në jetën tuaj?
Ushqimi për mua është si një detyrë që duhet bërë. Janë të pakta rastet kur e shijoj siç duhet.
Në monologun e personazhit pornografia përkon me aktin më ekstrem të shpalosjes së dashurisë. Po ju vetë çfarë opinionesh keni për pornografinë dhe dashurinë?
Pornografia është e lidhur ngushtë me dashurinë mashkullore. Filmat porno janë pjellë e imagjinatës mashkullore. Jam i bindur që çdo mashkull e gjen veten në filmat porno sepse nga ata është krijuar, dhe nëse një regjisore femër do merrte përsipër një skenar të tillë mund dhe të dështonte.
Duket se u ka ndritur fati pasi në pak kohë keni qenë protagonist në disa shfaqje. Keni ditur të lidheni me njerëzit e duhur, apo është talenti juaj?
Le të supozojmë që dhe mund të jem lidhur me njerëzit e duhur, po në skenë kush del pastaj?!