Fantazisti: Me Juven, e vështirë. Leonardo: Sfidë themelore, do të lejë pasoja

Për mesfushorin e Milanit, Ronaldinjo, jeta në Serinë A është më e bukur se aventura e mëparshme te Barcelona. Braziliani zbulon se kërkon të fitojë titullin dhe Champions League me klubin kuqezi. Pasi e filloi jo mirë karrierën te gjigandët italianë, ai është rikthyer në formën e tij më të mirë, duke u shndërruar në lojtarin kryesor të skuadrës së Leonardos. “Te Milani po argëtohem më shumë sesa në kohën kur militoja te Barça”, deklaroi 29-vjeçari i lindur në Porto Alegre. “Ndihem njësoj sikur jam përsëri 18 vjeç dhe tashmë, sa herë që kam topin nëpër këmbë, argëtohem jashtëzakonisht shumë. Besoj se ky është momenti më i mirë në karrierën time si profesionist”.
Më tej, Ronaldinjo foli për objektivat e së ardhmes: “Dëshiroj të fitoj titullin kampion në Serinë A dhe Ligën e Kampioneve me Milanin, shtoi ai. Mendoj se këto objektiva janë të realizueshëm. Kam besim te forca e skuadrës sonë, e cila mund ta arrijë Interin në klasifikim. Objektivi im është që të ndihmoj shokët e ekipit dhe t’u dhuroj spektakël tifozëve”. Fantazisti foli edhe për sfidën e sotme kundër Juventusit: të dyja skuadrat luftojnë për pikë, duke synuar të jenë anti-Interi në kampionat. Një përballje që premton spektakël në fushën e lojës. “Bardhezinjtë janë mjaft të motivuar, pasi vijnë në këtë takim pas një fitoreje që i dha fund ecurisë negative. Për këtë arsye mendoj se do ta kemi mjaft të vështirë të fitojmë”, përfundoi Dinjo.
I të njëjtit mendim është edhe trajneri Leonardo: “Kundër Juventusit është mes atyre ndeshjeve që lënë shenjë në një kampionat. Kjo është një mundësi e madhe për të dyja skuadrat, pasi nuk luhet vetëm për tri pikët. Mendoj se rezultati i përballjes do të lejë pasoja. Humbësja nuk është jashtë garës për titull, edhe pse duhet të evitojmë të shkëputemi më tepër nga Interi”. Drejtuesi i stolit foli edhe për gjendjen e sulmuesit, Aleksandre Pato, i cili do të qëndrojë përfundimisht jashtë ndeshjes në Torino. Lojtari nuk ishte mes 21 të grumbulluarve.
“Duhet ta vlerësojmë mirë situatën e Patos, edhe pse mund të them se rikuperimi i tij nuk është i thjeshtë”. Në kampin juventin, trajneri çiro Ferrara mendon se ndeshja me Milanin nuk është një finale: “Nuk e shoh si një finale. Natyrisht që kjo mbetet një përballje e nivelit të lartë, e cila vlerësohet maksimalisht nga të dyja ekipet. Juve duhet të shfaqet kokëfortë për të marrë tri pikët, pasi kundërshtari që kemi përballë po përjeton një moment të shkëlqyer. Duhet të përballojmë teknikën e Milanit, por në të njëjtën kohë të zhvillojmë edhe lojë cilësore”.