E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama “rrëzon” bustin e Enver Hoxhës në mitingun e socialistëve

Nga L.Progni

Edi Rama është i pari lider i PS-së, i pari zyrtar i kësaj partie që distancohet hapur dhe qartë nga e shkuara komuniste e PS-së. Në mitingun e djeshëm të hapjes së fushatës elektorale u prezantuan në një dokumentar disa pamje, ndër të cilat spikati momenti i rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës në shkurt të vitit 1990. Qysh kur shkrimtari i njohur Dritëro Agolli foli hapur në kongresin e PPSH-së të vitit 1991 kundër figurës së Enver Hoxhës, asnjë prej liderëve të PS-së nuk ishte pozicionuar hapur dhe qartë kundër të shkuarës komuniste të PS-së, lidhjes së saj me PPSH-në. Mitingu i djeshëm i hapjes së fushatës elektorale ishte krejt i ndryshëm nga mitingjet e mëparshme të PS-së, në fushatat e mëparshme elektorale. Pamjet e rrëzimit të diktatorit shfaqen për herë të parë në mitingjet elektorale të PS-së dhe se një pjesë e caktuar e elektoratit të kësaj partie ndoshta nuk do të donin t’i shikonin në mitingun e partisë së tyre. E guximshme nga ana e Ramës duket se ishte zgjedhje jo e rastësishme, organizimi i mitingut të fushatës elektorale të PS-së pikërisht në sheshin pranë Qytetit Studenti, atje ku 18 vite më parë nisi rrugën procesi i ndryshimeve demokratike në Shqipëri. Mitingu i djeshëm dhe përmbajtja e tij dëshmoi se pas këtij çasti, dhjetori dhe sheshi ku lindi pluralizmi, nuk mund të jenë më pronë e retorikës së Sali Berishës, por edhe e liderit të PS-së, i cili me pamje të dokumentuara pasqyroi kontributin e tij në rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri.

Dokumentari

Në dy monitorët anash podiumit ku ishin vendosur kandidatët për deputet dhe kryetari socialist Edi Rama, shfaqej një dokumentar ku transmetohej momenti i rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës në shkurt të vitit 1990. Në dokumentar shfaqeshin disa intervista të Edi Ramës të viteve 90, kur ai fliste për rrëzimin e sistemit komunist dhe ndërtimin e shtetit demokratik në Shqipëri. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ishte thirrja që dominoi në mitingun e djeshëm, njësoj si në vitet 1990 kur gjithë shqiptarët thërrisnin të njëjtën parullë nëpër sheshet e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë kur rrëzohej busti i Enver Hoxhës dhe bashkë me të edhe sistemi komunist në Shqipëri. Në podiumin e djeshëm, pak metra poshtë sheshit “Demokracia”, në Qytetin Studenti, foli për momentin e ndryshimeve demokratike të 90 edhe Gramoz Ruçi edhe Ben Blushi dhe të tjerë. Gramoz Ruçi, kryetar i Asamblesë Kombëtare të PS-së foli pikërisht për politikën e re dhe Edi Ramën, edhe pse ai vazhdon të shihet me skeptizicëm kur artikulon fjalët “politikë e re”, duke pasur parasysh historinë e tij të hershme në PS, apo më përpara akoma në PPSH. Në mitingun e djeshëm foli edhe Ben Blushi, gjithashtu për politikën e re, por duke kujtuar se 18 vite më parë ai kishte qenë në atë shesh për të kontribuar për rrëzimin e komunizmit dhe se ishte zhgënjyer shumë shpejt nga politika e Sali Berishës. Folën edhe disa kandidatë për deputet të PS-së, ndër të cilët edhe kandidati socialist për Shkodrën, i cili tha se vinte nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë, dhe se besonte se këtë shtresë do ta mbështesë politika e re e Edi Ramës.

Shiu që dështoi prezantimin e këngës së Edi Ramës

Kryetari i PS-së Edi Rama e mori fjalën i fundit, pasi folën disa kandidatë për deputet dhe të ftuar të tjerë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë. Por Rama nuk ka mundur ta përfundojë fjalimin e tij pasi nisi një stuhi, e cila ndërpreu gjithashtu edhe prezantimin e këngës së Edi Ramës dhe West Side Family, “Çohu”, e kompozuar posaçërisht për fushatën elektorale të PS-së, në zgjedhjet e 28 qershorit. Rama është detyruar të përfundojë me urgjencë fjalimin e tij pasi nisën reshjet e dendura të shiut, ndërsa në monitorët anash podiumit shfaqej videoklipi i këngës “Çohu”, e kënduar nga Edi Rama dhe West Side Family. Kandidatët për deputet të PS-së janë shpërndarë me shpejtësi në drejtime të ndryshme për shkak të shiut, bashkë me pjesëmarrësit në miting. Disa të rinj vazhduan festen nën reshjet e shumta të shiut dhe tingujt e këngës “Çohu”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›