E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prodhimi në të gjithë sektorët ka rënë, përjashtuar energjinë

Nga Fitim Zekthi

Efektet e krizës ekonomike botërore përpos rrëzimit të shumë treguesve të ekonomisë sonë kanë çuar në pikën më të ulët të shumë viteve edhe ritmin e prodhimit në vend. Disa prej sektorëve kyç të ekonomisë në vend, si ndërtimi, nxjerrja dhe përpunimi, prodhimet e konfeksioneve dhe të këpucëve, jo vetëm që nuk kanë mundur të ruajnë ritmin e një viti më parë, por kanë nisur të përmbysin kurbën duke shkuar në nivelet e prodhimit të dy viteve më parë, madje në disa rate edhe në kohë më të largët. Të dhënat zyrtare thonë saktësisht se 3-mujori i fundit i vitit të shkuar në sektorin e industrisë nxjerrëse pati një rënie të ritmit të prodhimit me rreth 4 pikë përqindje krahasuar me atë të 3-mujorit të mëparshëm. Në 3-mujorin e parë të këtij viti ky sektor e uli ritmin edhe me 6 pikë të tjera. Kriza ekonomike botërore ka qenë arsyeja bazë, siç ka ndikuar po ashtu edhe rënia e çmimeve të mineraleve në tregun botëror. Industria përpunuese gjatë 3-mujorit të fundit e kishte treguesin e rritjes së prodhimit të saj 6 pikë më të ulët sesa ky tregues ishte në 3-mujorin e tretë. Ky ka ruajtur po këtë prirje edhe në 3-mujorin e parë të këtij viti duke qenë përsëri po kaq më i ulët krahasuar me 3-mujorin paraardhës. Sektori i prodhimit të energjisë është i vemi sektor, ku treguesi i rritjes së prodhimit ka qenë i mirë dhe ky sektor ka mundur përpos të tjerash të ndihmojë edhe treguesin e eksporteve të vendit duke qenë se vendi ka eksportuar energji. Të dhënat që vijnë nga sektori i prodhimit të tekstileve dhe të këpucëve janë më të ashprat të paktën deri në fund të marsit të këtij viti. Saktësisht, ky sektor ka ulur prodhimin në 3-mujorin e parë të këtij viti me rreth 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Këto janë të dhënat zyrtare, ndonëse vetë prodhuesit gjykojnë se ky sektor është në ditë më vështira. Dy ditë më parë grupimet kryesore të biznesit në Shqipëri shfaqën një tjetër shqetësim që po rrit vështirësitë e ekonomisë në vend: pamundësinë për të marrë kredi për shkak të shtrëngimit të rregullave nga bankat. Mungesa për likuiditet tashmë është problemi më madhor, me të cilin po hasen bizneset në vend. Pavarësisht kolateralit që bizneset dorëzojnë në banka, këto të fundit tregohen skeptike. Rënia e prodhimit ka bërë që shumë vende pune të humbin, ndonëse shifra deri tani nuk është në nivele alarmante. Ky rrezik mund të rritet muajt që vijnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›