E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti kosovar anulon vizitën në Maqedoni

Nga Express

Presidenti, Fatmir Sejdiu, e ka anuluar vizitën e parashikuar për sot në Maqedoni, për shkak se ky vend e ndryshoi karakterin e vizitës zyrtare.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, më 13 maj 2009, mori ftesë për vizitë zyrtare njëditore nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë, z. George Ivanov. Kjo ftesë u pranua dhe iu konfirmua palës maqedonase nga Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës, më datë 13 maj 2009. Ndërkohë, meqenëse pala maqedonase e ndryshoi karakterin e vizitës zyrtare, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, e anuloi vizitën në Republikën e Maqedonisë, të planifikuar për datën 28 maj 2009”, - njoftoi Presidenca përmes një komunikate për shtyp, në orët e mbrëmjes.

Sidoqoftë, Presidenca thekson se presidenti Sejdiu, si dhe institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e veçmas me fqinjët, duke iu dhënë këtyre marrëdhënieve peshën dhe vlerën serioze që e meritojnë.

Sejdiu: Me Ivanovin takohem vetëm zyrtarisht

Presidenti, Fatmir Sejdiu, konfirmoi të mërkurën ftesën e homologut të tij maqedonas, George Ivanov, për një vizitë zyrtare në këtë shtet, por ai tha se çdo shmangie eventuale nga kriteri “zyrtar” i vizitës, do të ndikojë që takimi të mos mbahet.

Sejdiu i bëri këto komente në kohën kur në mediet kosovare është raportuar se Sejdiu do të pritet në Ohër, pa ceremoni zyrtare nga presidenti i sapozgjedhur i këtij vendi, Ivanov, dhe jo në Shkup.

“Unë kam pranuar ftesën zyrtare për të vizituar Republikën e Maqedonisë. Edhe një herë e përsëris se kjo është vizitë zyrtare me gjithë cilësitë që duhet të ketë një vizitë e tillë”, - tha ai.

Sipas tij, protokollet e të dyja vendeve po punojnë në këtë drejtim dhe ai beson se vizita do të realizohet në këtë cilësi, e çdo qasje tjetër që mund të ketë do të jetë jashtë asaj që e kanë në objektiv.

Ai shprehu gatishmërinë dhe interesimin e Kosovës për marrëdhënie të mira ndërshtetërore me shtetin e Maqedonisë, por edhe vende të tjera të rajonit. “Unë them edhe një herë se ftesën e kam për një vizitë zyrtare në këtë shtet, mirëpo çdo lëvizje nga ajo më shtyn të rishikoj qëndrimet”, - tha ai, transmeton KosovaLive.

Edhe pse kanë kaluar tetë muaj nga njohja e Kosovës si shtet nga ana e Maqedonisë, këto dy vende ende nuk kanë vendosur marrëdhënie diplomatike, me deklarimin e Shkupit zyrtar se për këtë do ta gjejë momentin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›