E Diel, 1 Nëntor 2026

Faqja që po zbulon plagjiaturat

Gjithçka nisi me ish-ministrin gjerman të Mbrojtjes. Por, sapo Karl-Theodor zu Guttenberg humbi vendin e tij të punës, një pjesë e madhe e studiuesve që u morën me zbulimin e plagjiaturës së doktoraturës së tij nisën që t’u kushtoheshin objektivave të tjerë. Këta aktivistë preferojnë që të mbesin anonimë, por faqet e tyre ‘Wiki’ janë bërë shumë të klikuara dhe shumë efektive e të dobishme. Nga Express më 25 prill 2011 në ora 10:38

Konsiderohet si një sensacion interneti. Thuajse dy javë pasi një profesor i ligjeve nga Universiteti i Bremenit doli publikisht për të akuzuar ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë për plagjiaturë në shumë kapituj të tezës së tij të doktoraturës, Karl-Theodor zu Guttenberg u detyrua që t’i ofronte kancelares gjermane dorëheqjen, e cila iu pranua. Gjatë atij 2 javëshi njerëzit nga e gjithë Gjermania iu bashkuan “gjuetisë” për të gjetur plagjiaturat e punimit të Guttenbergut.

Ai vetë që nga ai moment shumë i vështirë i jetës së tij jo vetëm që humbi postin e ministrit, por edhe vetë gradën shkencore dhe është tërhequr plotësisht nga jeta publike. Por për gjuetarët e plagjiaturave puna nuk mbaroi me kaq. Një pjesë e madhe e tyre, rreth 10 vetë, kanë vazhduar dy javët e fundit të “gjuajnë” tezën e doktores Silvana Koch-Mehrin, një anëtare e vjetër dhe me rëndësi e Demokratëve të Rinj, që është partia në koalicion qeveritar me partinë e demokristianwve të Merkelit. Pak më parë ata u morën edhe me shumë seksione të disertacionit të Veronika Sass, bija juriste e ish-guvernatorit bavarez, Edmund Stoiber, e cila në pamje të parë del e kopjuar.

Bëhet fjalë për një grup që vetëquhet “VroniPlag” dhe që ka marrë përsipër të shqyrtojë doktoraturat e njerëzve publikë, kryesisht politikanë, për gjetjen e plagjiaturave të tjera të mundshme që ka shumë mundësi të jenë me shumicë. Projekti është pjesë e së njëjtës platformë me emrin “GuttenPlag”, që u mor vetëm me shqyrtimin e plagjiaturës së ish-ministrit të dorëhequr.

“Objektivi është garantimi i integritetit të punimeve të doktoraturave në Gjermani”, thuhet në një shënim të grupit në fjalë në internet. “Puna që bëhet nga kërkuesit e plagjiaturave nuk ka asnjë lloj motivimi politik dhe nuk ka për qëllim asnjë sulm apo shtrembërim personal apo diçka të ngjashme”, thuhet më tej në këtë sajt. Por cilët mendohet të jenë njerëzit që qëndrojnë pas një iniciative të tillë?

Ata që janë të interesuar të gjejnë përgjigjen e një pyetje të tillë, duhet që të logojnë në një chat në uebsajtin që është vetëm në gjuhën gjermane: http://de.vroniplag.wikia.com/wiki/Home apo të mbushin online një aplikim kontakti. Më vonë do t’u bjerë telefoni dhe një zë do t’u thotë: “Ky është ‘VroniPlag’”. Pjesa më e madhe e atyre që janë duke gërmuar nëpër disertacionet e gjermanëve të shquar dhe të famshëm kërkojnë që të mbeten anonimë. Anëtarët e grupit e njohin njëri–tjetrin vetëm përmes nofkave që mbajnë dhe jo emrave të tyre realë, por, nga ana tjetër, ata duan që t’i bëhet publicitet sajtit.

Dhe përmes kësaj kërkojnë që të bëjnë një dallim në mënyrën e funksionimit të aprovimit të punimeve të diplomave, apo disertacioneve. Kështu, për një arritje sa më të mirë të qëllimit fillestar, grupi ka vendosur një kontakt me universitetin e Heidelbergut, universitet që i dha në vitin 2000 titullin Doktor Koch-Mehrinit. Anëtarët e grupit komunikojnë me zyrën e rektorit dhe ndërkohë edhe burime brenda universitetit bëjnë të ditur se kanë ndërmarrë një hetim të pavarur në lidhje me shqyrtimin e disertacionit të saj, në pjesë që konsiderohen “të dyshimta”.

Madje janë parashikuar takime mes grupit në fjalë dhe përfaqësuesve të universitetit në fund të muajit për të bashkërenduar kërkimet.

“VroniPlag”, në të cilin bëjnë pjesë disa doktorë shkencash dhe profesorë, e mban medien vazhdimisht të informuar në lidhje me arritjet e punës. Në një raport, grupi bëri të ditur se kishin gjetur plagjiatura në mbi 25 për qind të punës së Koch-Mehrin.

Disertacioni i saj është një punim prej 201 faqesh. Ndërkohë që në rastin e ish-ministrit plagjiaturat përmbanin pasazhe kyçe analitike, në rastin e politikanes në fjalë bëhet fjalë për tekste përshkruese. Deri më tani, zonja në fjalë ka refuzuar që të komentojë akuzat e bëra. Sipas pjesës më të madhe të “hetuesve” të plagjiaturave të këtij grupi, anonimiteti është shumë i rëndësishëm dhe është mbi të gjitha një mënyrë për të mbajtur në fokus debatin për një çështje të tillë shumë delikate.

Të gjithë autorët e disertacioneve që janë vënë deri më tani në qendër të kërkimeve të grupit, janë politikanë të qendrës së djathtë nga Gjermania e jugut. Një profesoreshë në Universitetin Politeknik të Berlinit deklaroi jo pa humor se e ka marrë malli që të shohë ndonjë “hetim” në qendër të të cilit të jenë social-demokratët nga veriu i Gjermanisë, që akuzohen për plagjiatura. Ajo ndërkohë është edhe vetë pjesë e grupit, por ndryshe nga shumë të tjerë, nuk ka zgjedhur që të jetë anonime në punën e saj. Një dhjetëvjeçar më parë, ajo arriti të zbulonte që thuajse një e treta e materialeve të studentëve të saj ishte pjesërisht e kopjuar, pra jo origjinale. Që nga ai moment, ajo e shndërroi zbulimin e plagjiaturave të doktoraturave në një nga misionet e punës së saj shkencore.

Ajo ka arritur që të krijojë edhe një program të posaçëm kompjuterik, që gjurmon plagjiaturat dhe madje organizon edhe seminare, në të cilat trajnon profesorë të tjerë që të gjejnë edhe ata kopjet e studentëve. Sipas saj, edhe puna e kolegëve anonimë është e ligjshme dhe me shumë vlera dhe se gjërat në këtë grup funksionojnë me shumë profesionalizëm, si dhe me një kontroll të madh. Stefan Weber që është diplomuar për çështjet e medieve në Universitetin e Salzburgut, është shumë i njohur edhe si “hetues” plagjiaturash dhe ai është një nga të shumtit që e lëvdon punën e grupit “VroniPlag”. Sipas tij, puna e papaguar dhe anonime e këtyre profesorëve do të nxjerrë në dritë një numër rastesh të tjera flagrante dhe kjo është për t’u lavdëruar. Ndërkohë, aktivistët nuk kanë iluzione se do të arrijnë që të zbulojnë ndonjë “peshk” të nivelit të ish-ministrit Guttenberg, e megjithatë ngulmojnë që të vazhdojnë me punën e tyre në rastet e radhës dhe kopjet e radhës.

(Der Spiegel)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›