E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO sulmoi rezidencën e Gaddafit

Nga Express më 25 prill 2011 në ora 13:21

Gjatë aksioneve të shtuara të NATO-s kundër godinave të pushtetmbajtësit, Muammar Gaddafi, në Tripoli është goditur rëndë kompleksi ushtarak dhe qeveritar që ka shfrytëzuar ai.

Dëshmitarët okularë njoftojnë për dëmtime të mëdha në pjesën e qytetit Bab el Asisija. Nuk është bërë e ditur se ku ndodhej Gaddafi në momentin e sulmeve.

Një zëdhënës qeveritarë dënoi këto sulme, duke i quajtur si një përpjekje për vrasjen e Gaddafit.

Rreth 15 njerëz janë plagosur rëndë. NATO ka goditur objektiva edhe në qytetin Misrata, në perëndim të Libisë.

Si pasojë e sulmeve të trupave të Gaddafit në këtë qytet, ditët e fundit janë vrarë të paktën 16 persona.

Misrata është qyteti i tretë nga madhësia në Libi dhe shtrihet rreth 200 kilometra larg Tripolit. Gjendja me furnizimin është shumë e rëndë.

Mijëra punëtorë nga vendet e tjera, shumë luftëtarë të plagosur dhe civilë janë dërguar me anije në vende më të sigurta.

Misrata është qyteti më i madh që kontrollohet prej kryengritësve. Senatori amerikan, John McCain, ka kërkuar angazhim më të madh të NATO-s në Libi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›