Ndërroi jetë Max Van Der Stoel

Gjatë fundjavës ndërroi jetë Max van Der Stoel, ish-ministri i Jashtëm holandez dhe një nga ideatorët e modelit të themelimit të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë.
Ai ka ndërruar jetë në moshën 86 vjeçare, pranë shtëpisë së tij në Hagë. Lajmi u konfirmua edhe nga qeveria holandeze.
Stoel ka qenë një nga ministrat e njohur të Jashtëm holandez, në periudhën e viteve 70 dhe 80, ndërsa më pas ai ka kryer detyrën e Komisionarit të Lartë të OSBE për pakicat kombëtare, ku pati edhe angazhimin në Maqedoni gjatë mandatit ndërmjet viteve 1998-2000.
Ai njihet si një nga ideatorët dhe ndërmjetësuesit për themelimin e modelit të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, për nevojat e shqiptarëve në Maqedoni që u realizua në vitin 2000-2001.
UEJL në Tetovë njihet edhe si Universiteti i Stoelit, por me emrin e tij zyrtarisht është pagëzuar biblioteka e këtij universiteti.