E Shtunë, 31 Tetor 2026

Farmaceutika, sektori ku elementët e tregut funksionojnë

Sektori farmaceutik vlerësohet si i vetmi sektor në shërbimin shëndetësor, ku elementët e tregut funksionojnë në të vërtetë, ndërkohë që një nga sfidat e së ardhmes mbetet përsosja e mekanizmave të futjes së barnave në listë dhe sistemit të çmimeve referencë. "Sistemi i kontraktimit me farmacitë, grosistët dhe depot sekondare, sistemi i vendosjes së çmimit të barnave mbi bazën e konkurrencës midis firmave farmaceutike dhe përfshirja në listën e rimbursimit të alternativave tregtare, mbi bazën e referencës së çmimeve të barnave, janë arritje të rëndësishme që kanë dhënë efekte në mirëadministrimin e fondeve, por ajo që është më e rëndësishme edhe në shërbimin ndaj popullatës", tha drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, në konferencën dy ditore "Ditët e Farmaceutikës Shqiptare" që nisi sot në Universitetin "Zoja e Këshillit të Mirë" në Tiranë. Sipas saj, gjatë 4 viteve të fundit lista e barnave është pasuruar me 50 barna dhe formë-doza të reja, me 27 principe të reja aktive (nga 233 që janë në total), si dhe është shtuar me 172 alternativa tregtare, duke arritur në total numrin prej 405 barnash (alternativë të para) dhe 944 alternativa tregtare. "Është rritur numri i diagnozave të mbuluara me trajtim mjekësor të rimbursuar, ku mund të përmendim mbulimin e trajtimit të leucemisë kronike, trajtimi për mosplakjen e organeve të transplantuar, trajtimi i infeksioneve post-transplantive, duke arritur kështu një mbulim prej 95 % të sëmundshmërisë kronike nga lista e rimbursueshme", vuri në dukje drejtoresha e ISKSH-së. Ajo cilësoi se është rritur vlera e shpenzimeve të rimbursimit për kategori të caktuara të popullatës në nevojë, duke veçuar vlerën e recetës për trajtimin mujor të një pacienti me leuçemi kronike, që shkon në rreth 3.2 milion lekë. Ndërsa shpenzimet e rimbursimit të barnave në total nga viti në vit kanë ardhur duke u rritur, si rezultat i ndjeshmërisë dhe shtrirjes së skemës së sigurimeve shëndetësore, e cila nga 4.1 miliard lekë në vitin 2005 ka arritur në 4.7 miliard lekë në vitin 2009. "Por, pavarësisht arritjeve krahasuar me pjesën tjetër të sistemit shëndetësor, mbeten shumë sfida për t'u përballuar në të ardhmen", theksoi znj. Hana. Sipas saj, një nga sfidat më të mëdha është zbatimi i parimit të kostoefektivitetit të barnave, duke përsosur mekanizmat e futjes së barnave në listë dhe sistemin e çmimeve referencë, si dhe vendosjen e mekanizmave të diferencuara, duke u bazuar në çmimin e barit, si për barnat e listës, ashtu dhe për barnat spitalore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›