E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Drejtësisë, Ina Rama përkrah presidentit Topi

Në Ditën e Drejtësisë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti në pallatin e brigadave krerët më të lartë të drejtësisë, ku mes tyre nuk mund të mungonte edhe Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Kjo e fundit është bërë tashmë aleate e presidentit Topi. Ajo çka ra në sy, ishte mungesa e Ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Duket se ky i fundit nuk e kishte llogaritur mirë axhendën e tij. "Pavarësi nga politika, pavarësi nga klanet e caktuara ekonomike, por, nga ana tjetër, duhet të shikohet edhe si një pavarësi që varet totalisht nga individi, që punon në sistemin e drejtësisë. Sistemi që po ndërtojmë çdo ditë rrit pavarësinë e institucioneve të drejtësisë. Kjo falë edhe asistencës së misioneve ndërkombëtare, miq të Shqipërisë, që bëjnë asistencën dhe japin eksperiencë mjaft të vyer. Binomi i pavarësisë do të realizohej në momentin kur çdo prokuror edhe gjykatës do të ndjehet i pavarur në integritetin e tij. Sigurisht, njerëzit e thjeshtë kërkojnë drejtësi, sepse ata që kanë mundësi e ndjekin në rrugë të tjera",- tha dje Topi. Pikërisht për këtë arsye, në "Ditën e Drejtësisë", në cilësinë e Presidentit të Republikës, edhe si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Topi bëri thirrje që punonjësit e drejtësisë të jenë të pavarur dhe ta japin drejtësinë njësoj për të gjithë!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›