E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmenduria e bashkisë me taksat, rritet me 60 % tarifa për fëmijët e kopshtit

Në listën e taksave që Bashkia e Tiranës ka dyfishuar duke rrënuar ekonomikisht për ditë e më shumë qytetarët e kryeqytetit, përfshihet edhe taksa ditore për shërbimin e fëmijëve në kopsht. Ndonëse kushtet e kopshteve janë po ta që kanë qenë me problemet e shumta si në sistemin e ngrohjes, higjienës apo dhe shqimit, taksa e kopshtit në vitin 2009 është rritur me 60 %. Kështu çdo familje qytetare që qëndron një ditë fëmijën në kopshtin shtetëror, nëse deri në vitin 2008 ka paguar 100 lekë, tashmë janë të detyruar të paguajnë 1600 lekë, ose ta mbajnë fëmijën në shtëpi. Në të gjitha kopshtet shtetërore të kryeqytetit është bërë rritja e çmimit të tarifës për qëndrimin e fëmijëve në kopsht, në mënyrë të befasishme dhe të njëtrajtshme nga një vendim i Këshillit Bashkiak. Ashtu rritja e taksave të tjera në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim me zhvillimin e ekonomik, pra si për taksën e pastrim-gjelbërimit, edhe rritja e taksës së kopshteve është kundërshtuar nga krerët e minibashkive. Megjithatë, vendimi i Këshillit Bashkiak u vu në zbatim menjëherë pa marrë parasysh nivelin e të ardhurave të qytetarëve. Qytetarët që janë në marrëdhënie pune dhe janë të detyruar ti çojnë fëmijët e tyre në kopsht, ankohen për rritjen absurde të kësaj tarife, e cila nuk përputhet aspak me shërbimin që ofrohet dhe me të ardhurat ekonomike. Sipas disa prindërve që janë të detyruar të çojnë fëmijët e tyre në kopsht, ky fenomen është një goditje ndaj ekonomisë së qytetarëve të thjeshtë dhe nga ana tjetër një mundësi më e madhe për drejtuesit e bashkisë për tu pasuruar në kurrizin e qytetarëve. Sipas edukatoreve të disa kopshteve private në kryeqytet, në vitin 2007 çdo fëmijë që frekuentonte për një ditë kopshtin, prindërit e tij paguanin 100 lekë. Ndërsa në vitin 2009 kjo tarifë është rritur me 60 lekë. Si rrjedhojë, numri i fëmijëve të kryeqytetit që frekuentojnë kopshtet ka ardhur duke rënë. Rritja e tarifës së kopshtit me të vërtetë na ka ngushtuar ekonomikisht, sepse tani duhet të paguajmë pothuajse 2 herë më shumë se 2 vite më parë. Ne kemi një vajzë 5 dhe që të dy jemi në marrëdhënie pune. Me rritjen e tarifës së kopshtit sigurisht që nuk e kemi ndaluar vajzën se jemi të detyruar, por  këtë vit e kemi çuar pak më rrallë. Pra vetëm në rastet kur nuk kemi nga tia mbajmë dhe nuk kemi menduar shumë për zhvillimin intelektual të vajzës në kopsht. Nëse do ta çonim çdo ditë i bie të paguajmë në muaj aq sa merr një familje mesatare ndihmë ekonomike, u shpreh për gazetën SOT Fiqiri Stana bashkë me bashkëshorten. Ndërkaq, edhe tarifa për ushqimin në çerdhe, për vitin 2009 është rritur, madje më shumë se tarifa e kopshtit.  Nëse në vitin 2007 tarifa për qëndrimi e fëmijës për një ditë në çerdhe ka qenë 85 lekë, në vitin 2009 ka arritur shifrën e 200 lekëve. Pra gati 3 fish nga shuma e 2 viteve më parë. Ashtu si rritja e tarifës së pastrim-gjelbërimit për familjarët dhe biznesin e vogël, edhe rritja e tarifës së kopshtit dhe çerdheve, ndikon negativisht në zhvillimin e ekonomisë së qytetarëve, duke rritur kështu me vetëdije varfërinë në vend. Tashmë çuarja e fëmijëve në kopsht nuk konsiderohet më si një nevojë për prindërit e tyre dhe si një zhvillim për fëmijët, por si një luks vetëm për një pakicë të vogël njerëzish.
Shërbimi i kopshteve dhe rritja e taksave
Rritja e tarifës për shërbimin e kopshtit behët në një kohë krize dhe kur pjesa më e madhe e kopshteve shtetërore në kryeqytet nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare, sigurinë dhe cilësinë ushqimore, mjetet edukative etj. Kështu rritja e taksave bëhet në kundërshtim me rritjen e cilësisë së shërbimit në kopsht. Konkretisht fëmijët e kopshtit Nr. 40 të kryeqytetit, ndonëse paguajnë 160 lekë në ditë, ata jetojnë në kushte tepër të vështira, pasi mungon hapësira e mjaftueshme, këndi i lojërave etj. Megjithatë, periudha e kopshteve mbetet periudha më e vështirë për prindërit e fëmijëve, si për kushtet në tërësi të kopshteve, gjithashtu edhe për tarifën e rritur tani së fundmi.  

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›