Sëmundshmëria, publikohet studimi i parë demografik për vendin tonë
Sistemi ynë shëndetësor zotëron për herë të parë, pas dhjetë vitesh, statistika të sakta në lidhje me situatën shëndetësore në vend. Ditën e djeshme, specialistët e shëndetësisë kanë publikuar studimin e parë demografik shëndetësor në vendin tonë. Studimi jep të dhëna mbi shëndetin e popullatës dhe fushat ku duhet ndërhyrë për përmirësimin e situatës. Drejtori i Shëndetit Publik, Alban Ylli, tregon disa nga tendencat e sëmundjeve që shfaqen në vendin tonë si dhe masat që duhet të ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë. Sipas Yllit, vdekshmëria foshnjore është drejt uljes në rang vendi, por në zonat rurale ajo zë përqindjen më të lartë. “Për vdekshmërinë foshnjore ajo bie, por nga ana tjetër mund të themi se kemi probleme me vdekshmërinë foshnjore për faktin se ajo ngelet shumë e lartë në fshat se sa në qytet. Pra, kemi pabarazi. Kjo na bën të fokusohemi akoma më shumë në përpjekjet për të parandaluar këtë fenomen në fshat”,- deklaroi Alban Ylli. Një problem tjetër për situatën shëndetësore në vend është edhe ai i kequshqyerjes. Shqiptarët kanë filluar të ushqehen më mirë se në vitin 2000, por krahasuar me 2005-n, shifrat e të sëmurëve si pasojë e kequshqyerjes janë më të larta. “Vërejmë se krahasuar me vitin 2000, kequshqyerja në Shqipëri dukshëm ka rënë, por në krahasim me vitin 2005 ka indikatorë të kequshqyerjes që janë rezistent dhe pothuajse kanë ngelur në stanjacion”,- tha Ylli. Por edhe prija e duhanit vazhdon të mbetet tepër shqetësuese. Drejtori i ISHP-së, shprehet se femrat dhe kryesisht ato të Tiranës, që konsumojnë duhanin janë në një numër të lartë dhe kjo është një tendencë gjithmonë drejt rritjes. Studimi i parë demografik shëndetësor është kryer nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Instituti i Statistikave, i financuar nga USAID, UNICEF, UNFPA dhe OBSH. Në këtë studim u intervistuan 9 mijë familje, për një periudhe 6 mujore. Studimi nisi në muajin tetor të vitit 2008 dhe faza e vjeljes së të dhënave në terren përfundoi në prill të 2009-s. Krahas informacionit të mbledhur nga intervistat në familjet, u kryen edhe matje antropometrike, testim i hemoglobinës dhe matja e tensionit të gjakut. Për studimin u punua me 12 grupe për intervistimin e familjeve në të gjithë vendin. Kjo mënyrë studimi aplikohet nga 120 vende të botës.
16 Mars 2010