Farmacistët sfidojnë mjekët, sugjerime dhe ilaçe pa receta për qytetarët
Ankohen mjekët e QSUT: Farmacistët po dëmtojnë shëndetin e pacientit me antibiotikë Farmacistët, kohët e fundit janë kthyer në mjekët më të besuar për qytetarët. Prej më shumë se 3 muaj pacientët e pasiguruar, për shkak të tarifave të larta që janë vendosur në spitale, i kryejnë vizitat mjekësore pranë farmacive më të afërta. Për një dhembje koke, marrje mendsh apo bronshit, çdo qytetar arrin të sigurojë medikamente pa shkuar tek mjeku, sigurisht duke u ardhur në ndihmë edhe farmacistët që e kanë fare të lehtë tu japin barna pa recetë.
Për mjekët e QSUT, kjo është kthyer në shqetësim të vërtetë, pasi jo vetëm që është ulur numri i pacientëve që shkojnë për vizitë, por edhe kur pacientët kanë vendosur të shkojnë të marrin vizitën te mjekët, është tepër vonë. Kjo, pasi sipas mjekëve, trupi i pacientëve ka reaguar ndaj ilaçeve që ka marrë pa recetë. Sipas mjekëve të QSUT, shitja e barnave pa recetë ka krijuar lehtësi për personat e pasiguruar, përmes të cilës shmangin faturat e kripura të vizitave, në të njëjtën kohë marrin me vete edhe rrezikun e një trajtimi të gabuar. Nga ana tjetër, mjekët pohojnë se gjithnjë e më shumë po vizitojnë pacientë të cilët më parë kanë marrë ilaçe të rekomanduara nga farmacistët. E hasim shumë shpesh në punën tonë, pacientë që shkojnë në farmaci marrin një antibiotik për grip, më pas vijnë tek ne dhe rezulton se kanë bajamet e qelbëzuara, shprehe mjekja Luiza në pediatrinë e QSUT. Doktoresha e quan të pa tolerueshme dhënien e ilaçeve pa recetë mjekësore nga ana e farmacistëve, sipas saj në mënyrën më absolute nuk duhet lejuar një shitje e tillë. Pacientët rrezikojnë jo vetëm të marrin trajtim mjekësor pa u diagnostikuar për sëmundjen që kanë, në të njëjtën kohë është e dëmshme për shëndetin e tyre, pasi trupit nuk i dihet se ndaj çfarë medikamenti mund të japë rezistencë, vijojnë më tej mjekët.Shitjet Vetë Ministria e Shëndetësisë ka miratuar një listë prej 600 barnash, të cilat mund të shiten pa recetë. Por kjo listë, me sa duket, nuk respektohet, pasi rezulton që farmacistët japin pa recetë çdo lloj ilaçi që u kërkohet, pavarësisht pasojave që mund të sjellë një gjë e tillë. Ndonëse ka qenë e ndaluar që farmacistët të japin çdo lloj medikamenti pa recetë, pacientët i kanë marrë vazhdimisht ato, pa asnjë lloj problemi. Aktualisht, në të gjitha farmacitë, dhënia e ilaçeve pa recetë është masive. Në lidhje me këtë dukuri Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor në kontratat e reja që do të nënshkruhen me farmacitë, ka shtuar një pikë, në të cilën u vendoset gjobë deri në heqjen e licencave profesionale farmacive që u kapen shitjet e barnave pa recetë. Sipas ISKSH-së, qëllimi i futjes së kësaj pike në kontratat që do të nënshkruhen me farmacitë, vjen në funksion të përdorimit të recetës mjekësore, me qëllim rritjen e sigurisë në përdorimin e barnave, përdorimin e tyre racional dhe mënjanimin e gabimeve mjekësore. Farmacitë Në bazë të ligjit, çdo farmaci është e detyruar që për një periudhe kohore prej 2 vjetësh të ruajë në recetat e zakonshme, për tre vjet recetat për barnat narkotike dhe psikotrope dhe për 5 vjet recetat për barnat helme me veprim të fortë. Në bazë të recetave të ruajtura, fletëhyrjeve të barnave të blera nga grosistët dhe gjendjes së barnave në farmaci, do të bëhet kontrolli i çdo farmacisti, ku do të rezultojnë dhe verifikohen se sa është numri i medikamenteve të dhëna pa recetë. Sikurse mësohet, farmacistët kanë një pjesë të ligjit ku përcaktohet se si ilaçi duhet të qarkullojë me dokumentacion të rregullt, me fatura dhe inspektor. Farmacistët kanë gabuar në dhënien e ilaçeve kur pacienti ka pasur rekomandimin e mjekut, dhe merr me mend se mund të ndodh pa një rekomandim. Ashtu siç ishte dhe rasti para disa muajsh i një fëmijë ku farmacistja i ka ngatërruar medikamentin duke mos i dhënë vogëlushes mjekimin e nevojshëm, por një ilaç për të sëmuret mendore. Vogëlushja ka reaguar keq ndaj ilaçit dhe ka nisur të qajë e me pas është mpirë tërësisht. Prindërit të shqetësuar i janë drejtuar pediatrisë në QSUT. Pas kanë parë recetën dhe më pas ilaçin që u ka shitur farmacistja, mjekët kanë konstatuar menjëherë se bëhet fjalë për ilaçin e gabuar.Liri Mëhalla
Last Updated on E Shtune, 06 Shkurt 2010 21:24