E Shtunë, 31 Tetor 2026

Farmacitë raportojnë mbarimin e vaksinës antigrip

01/12/2009  Shtohet numri i pacientëve të prekur nga dy viruset

Në një javë evidentohen rreth 16 mijë pacientë të prekur nga gripi me komplikacione të rënda

Mbaron vaksina kundër gripit. Shtimi i shpejtë i rasteve të prekura nga virusi i gripit A/H1N1 dhe atij sezonal ka bërë që qytetarët t’u drejtohen farmacive për të marrë vaksinën kundër gripit të stinës. Pas deklaratave të bëra nga mjekët se vaksina antigrip, e cila ndodhet në farmacitë e vendit tonë që në fillim të muajit tetor, ka ende efekt në mbrojtjen e organizmit, në rast se merret edhe gjatë kësaj periudhe. Kjo ka bërë që në dy javët e fundit të gjithë të dynden drejt farmacive për të marrë këtë vaksinë, por shumë prej tyre janë përballur me mungesën e saj. Sipas deklaratave të bëra, mësohet se farmacitë janë furnizuar me këtë vaksinë vetëm në fazën e parë në muajin tetor dhe në depot farmaceutike nuk ka pasur sjellje të tjera qoftë edhe në sasi të vogla. Lidhur me përhapjen e virusit të gripit të derrit tashmë është premtuar sjellja e sasisë së parë të vaksinave kuruese në fillim të këtij muaji. Sigurimi i kësaj vaksine do të jetë në sasi të vogla, çka do të thotë se vetëm disa grupe do të përfitojnë marrjen e saj. Konkretisht bëhet fjalë për grupet e riskut, siç janë punonjësit e shëndetësisë, të cilët janë në kontakt të vazhdueshëm me pacientët, personat që punojnë në administratë e që lëvizin jashtë vendit, të sëmurët kronikë, fëmijët e vegjël etj. Në një fazë të dytë do të rishitet mundësia e vaksinimit edhe të pjesës tjetër të popullatës.

Përhapja

Situata në vend sa vjen e rëndohet. Çdo ditë zbulohen raste të shumta të prekura nga të dyja llojet e virusit të gripit që qarkullojnë në vendin tonë, ku sipas specialistëve gripi sezonal këtë vit është shfaqur në forma më agresive sesa vitet e shkuara. Sipas raportimeve të bëra në institucionin e shëndetit publik, rezulton se në javën e fundit janë evidentuar rreth 16 mijë pacientë të prekur nga gripi, e veçanërisht nga ai sezonal. Kategoritë më të rriskuara mbeten moshat pediatrie, të cilat përbëjnë numrin më të lartë të pacientëve të prekur nga virusi i gripit. Fakt ky që është evidentuar edhe me numrin e lartë të mungesave që janë bërë në shkolla gjatë muajit nëntor, ku në shkolla mungon më shumë se 10 për qind e numrit total të nxënësve për shkak të komplikacioneve të shfaqura. Shumë prej pacientëve kanë shfaqur shqetësime të rënda, të cilat në pjesën dërrmuese të rasteve shfaqeshin me temperaturë të lartë, dhimbje të forta koke, të vjella. Megjithatë, ekspertët e shëndetësisë kanë deklaruar se pavarësisht shtimit të këtyre rasteve ende nuk bëhet fjalë për marrjen e masave drastike për mbylljen e shkollave, edhe pse në disa prej tyre janë evidentuar jo vetëm të prekur nga gripi sezonal, por edhe ai A/H1N1.

Trajtimi

Mjekët pohojnë se kategoritë që kanë kryer që në muajin tetor vaksinën antigrip janë më të mbrojtura nga përhapja e këtyre viruseve. Por edhe këto kategori duhet të tregojnë kujdes të rreptë higjienosanitar që të mbajnë larg virusin. Kështu, këshillohet veçanërisht për moshat e vogla që të shmangin qëndrimin në ambiente ku ka luhatje të theksuara të temperaturave apo qëndrimit në një vend me pacientët e prekur. Është e domosdoshme mbajtja e higjienës së rreptë personale, ku nevojitet larja e duarve me sapun disa herë gjatë ditës si dhe vendosja e shamisë përpara hundës dhe gojës në rastet e teshtitjes.

Shfaqja e gripit

Gripi sezonal karakterizohet nga temperatura e lartë, kolla, zakonisht e thatë, dhembje koke, muskujsh, artikulacionesh, dobësi, rrjedhje të hundëve. Në raste të caktuara personat e prekur nga gripi kanë ethe dhe brenda një jave kanë probleme, nëse nuk trajtohen. Koha e inkubacionit të virusit të gripit të zakonshëm është dy ditë, ky lloj virusi mund të prekë të gjithë popullatën, por mund të jetë më agresiv për një pjesë të popullatës me risk, si fëmijët, të moshuarit dhe pacientët kronikë apo me gjendje të vështirësuar shëndetësore. Ata që preken më shumë janë personat me probleme të zemrës, mushkri, veshka, pacientët me sëmundje gjaku, me probleme metabolike, si diabeti ose ata me sistem imunitar të dobët.

Kategoritë e rriskuara

Gripi i derrit, në rritje numri i të infektuarve

Përveç gripit sezonal edhe rastet me A/H1N1 janë shtuar së tepërmi. Analizat e kryera tregojnë se çdo ditë pranë repartit të infektivit evidentohen më shumë se 110 pacientë të prekur nga gripi, ku 50-60 prej tyre manifestojnë simptoma të virusit të gripit të derrit. Por fatmirësisht deri më sot nuk është shënuar asnjë viktimë, pavarësisht se disa prej pacientëve kanë manifestuar komplikacione të rënda, (që janë stabilizuar pas trajtimit të specializuar). Gjatë kësaj jave grupet e emergjencës që janë ngritur pritet të marrin vendimet përkatëse, nëse do të ketë ndryshim të masave për planin mbrojtës të popullatës. Pak ditë më parë specialistët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vendin tonë kanë pohuar se menjëherë sapo të mbërrijë vaksina kundër gripit të derrit duhet marrë nga kategoritë e riskut për të aktivizuar faktorët mbrojtës. Kategoritë më të rriskuara në këtë rast mbeten fëmijët, të moshuarit dhe pacientët kronikë apo me gjendje të vështirësuar shëndetësore. Të rrezikuar janë edhe personat me probleme të zemrës, mushkri, veshka, pacientët me sëmundje gjaku, me probleme metabolike, si diabeti ose ata me sistem imunitar të dobët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›