E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhin kazinonë ku punonin, arrestohen 3

01/12/2009  Grabitën 230 mijë lekë nën kërcënimin e armëve dhe maskave

Brenda 6 orëve policia e Korçës arreston autorët e ngjarjes

KORÇE- Tre punonjës të një kazinoje, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mundur të grabisnin në lokalin ku punonin 230.000 lekë. Mësohet se në këtë bashkëpunim prej tre vetash, vetëm njëri prej tyre ka kërcënuar me armën e zjarrit, ndërsa dy të tjerët kanë qëndruar në mbështetje të personit të tretë. Grabitja ka ndodhur në orët e para të natës, ku grupi prej tre personash, pasi mundi të merrte shumën e parave të cituara më sipër, ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes. Megjithatë, pas 6 orë kërkimesh dhe punë intensive, sektori i krimit të hetimeve, pranë Drejtorisë së Policisë në qarkun e Korçës ka mundur të identifikojë dhe të arrestojë në flagrancë 3 autorët e kësaj ngjarjeje. Ata janë: Endri B. lindur dhe banues në Korçë, punonjës sigurie tek lojërat e fatit, Leonard B. lindur dhe banues në Korçë, si dhe Kostika S. lindur dhe banues në Korçë, punonjës në pikën e lojërave të fatit “Admiral Club”. Ngjarja në fjalë është bërë e njohur nga burime pranë Drejtorisë së Policisë në qarkun e Korçës, të cilat në lidhje me këtë ngjarje sqaruan se “në dt 29.11.2009, rreth orës 21.00, në lagjen nr. 15 në qytetin e Korçës, nga një person me maskë dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit, ka ndodhur vjedhja e pikës së lojërave të fatit “Admiral Club”, ku janë vjedhur një sasi prej 230. 000 lekë”. Ndërkaq të njëjtat burime bënë të ditur se “fill pas marrjes së informacionit, strukturat e hetimit të krimit, u angazhuan në mënyrë maksimale për zbulimin e autorëve të kësaj ngjarjeje, duke organizuar shërbime dhe marrë informacione të vlefshme”. “Madje si rezultat i hetimeve mjaft të mira, dhe bashkëpunimit midis sektorëve të hetimit të krimit, në Drejtorinë e Policisë të qarkut dhe komisariatit të policisë Korçë, u bë e mundur identifikimi dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të kësaj ngjarjeje. Momenti i arrestimit të tyre ndodhi pikërisht gjatë kohës që ata përpiqeshin të përpjesëtonin shumën e parave të grabitura, të cilat i kishin fshehur diku në një vend tjetër, jashtë banesave të tyre, në një kazan hedhurinash, të cilët janë shtetasit: Me qëllim për t’i shpëtuar çdo kontrolli të mundshëm nga ana e policisë. Por edhe pse skenari i tyre kishte qenë i mirëmenduar, ka mundur të dështojë brenda 6 orëve nga vënia në zbatim e këtij plani, pikërisht në çastin kur u prangosën. Sipas policisë, “për të tre autorët e mësipërm u kryen veprimet procedurale për veprën penale të “vjedhjes me armë në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 140 dhe 25 i Kodit Penal. Aktualisht po vazhdon puna për hetim më të plotë të kësaj ngjarjeje, ndërsa materialet pritet t’i kalojnë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Korçë.

V. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›