E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksploziv në banesën e tregtarit në Durrës

01/12/2009  I dëmtuari, kunati i Kreshnik Spahiut. Policia: Dyshimet për presion ose hakmarrje

DURRES- Tritoli i ndezur në derën e një apartamenti ka vënë në alarm banorët e lagjes si dhe disa familjarë të pallatit ku u bë shpërthimi. Një sasi fitili zjarrpërcjellës, si dhe sende të tjera të gjetura në vendin e shpërthimit janë bërë objekt i hetimeve. Agjentët e policisë së antiterrorit dyshojnë se eksplozivi në banesën e biznesmenit Ardian Gjuzi nga Durrësi duhet të ketë ndodhur për qëllime presioni apo edhe për ndonjë hakmarrje në adresë të kunatit të Kreshnik Spahiut, eksponent kryesor në gjyqësorin shqiptar.

Shpërthimi

Vala e shpërthimit ka pasur rreze të madhe dhe kjo ka sjellë jo pak panik ndër familjet e atyshme. Megjithatë, nga të dhënat zyrtare policore mësohet se nuk ka pasur të lënduar dhe as dëme të mëdha materiale. Disa banesa në pallatin 622 të lagjes numër 12 kanë pasur thyerje të xhamave të dritareve si dhe dëmtime të suvasë së shkallëve e korridoreve dhe dyerve të apartamenteve. Policia ka bërë me dije se objekt i vendosjes së lëndës shpërthyese është bërë banesa e 33-vjeçarit Ardian Gjuzi një tregtar i njohur në Durrës me aktivitet të konsideruar importi. Biznesmeni ka një dyqan butiku dhe një agjenci të shitjes së biletave të avionëve dhe të trageteve, ndërkohë që në kohën e shpërthimit Gjuzi nuk ka qenë në banesë. Policia ka dërguar në vendngjarje grupin e hetimit sapo është dëgjuar shpërthimi dhe nga pohimet policore thuhet se askush në këtë pallat disakatësh nuk është dëmtuar. Eksplozivi mendohet të jetë tritol dhe është vendosur në katin e tretë të pallatit atje ku banon biznesmeni Ardian Gjuzi. Në pak sekonda për të mësuar lidhur me pasojat e ngjarjes së rëndë në këtë lagje kanë dalë dhjetëra banorë dhe familjarë pranë pallatit të bërë objekt vënie sasie eksplozivi. Nga pohimet paraprake mësohet se nuk ka asnjë të lënduar dhe se sasia e tritolit ka qenë e vogël. Menjëherë pas ndodhisë janë marrë në pyetje banorët si dhe vet pronari i ndërtesës për të shkuar më pas drejt ngritjes së pistës së hetimit nga specialistët e antikrimit. Grupi hetimor nuk ka dhënë detaje lidhur me ketë ngjarje, por flitet se tritoli është vënë për qëllime të dobëta nga persona, të cilët kanë nisur të bëhen objekt investigimi nga policia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›