E Shtunë, 31 Tetor 2026

Farmakovigjilenca - sistem për efektet anësore të barnave

24/03/2010 Kontrollimi i cilësisë së barnave që hidhen në tregun farmaceutik

Institucionet të detyruara nga ligji për të raportuar rastet problematike

Më në fund edhe vendi ynë do të ketë një institucion të specializuar për trajtimin e problemeve që rrjedhin nga përdorimi i barnave të pasigurta. Kështu, jo vetëm pacientët, por edhe institucionet shëndetësore do të jenë të detyruara që të raportojnë pranë sistemit të ri të farmakovigjilencës të gjitha efektet anësore që do të rrjedhin nga përdorimi i barnave të ndryshme. Në një aktivitetet të zhvilluar gjatë ditës së djeshme drejtuesit e dikastereve shëndetësore kanë pohuar se ngritja e këtij shërbimi ishte e domosdoshme, duke iu referuar ankesave në rritje të pacientëve për blerjen e barnave jocilësore dhe pa pullën e sigurisë. Ky sistem do të monitorojë cilësinë e barnave, duke regjistruar të gjitha efektet e padëshiruara të tyre. Për këtë një ekip i tërë profesionistësh – mjekë, infermierë, stomatologë – tashmë do të jenë nën vëzhgim dhe të detyruar nga ligji për të raportuar çdo efekt të padëshiruar dhe sjelljet në praktikën mjekësore të barnave që gjenden në treg. Struktura e re që po ngrihet do të mbledhë informacionet që do të raportojnë jo vetëm pacientët, por dhe strukturat shëndetësore, mjekët e familjes, të shërbimit spitalor si në sektorin publik, ashtu dhe atë privat. Lidhur me këtë nismë ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili ka deklaruar se grupi i punës që është ngritur pranë këtij institucioni tashmë ka përgatitur edhe ndryshimet e nevojshme legjislative në ligjin e barnave. “Kemi barna mjaft të sigurta, që regjistrohen në mënyrë korrekte nga strukturat tona. Tashmë një strukturë e re do të monitorojë sjelljet e këtyre barnave në praktikën mjekësore. Kombinuar dhe me elemente të tjera, si ngritjen e task-forcës për barnat, po i afrohemi gjithnjë dhe më shumë objektivit tonë, që është ofrimi i një garancie maksimale në raport me qytetarin”, - ka deklaruar ministri. Farmakovigjilenca është shkenca dhe aktiviteti që ka lidhje me zbulimin, vlerësimin, kuptimin me qëllim parandalimin e efekteve të padëshiruara ose të ndonjë problemi tjetër që ka lidhje me barin. Qëllimi i farmakovigjilencës është të përmirësojë kujdesin ndaj pacientit duke rritur sigurinë në lidhje me përdorimin e barnave, si dhe gjithë ndërhyrjeve mjekësore ose paramjekësore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›