E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjimi i gjyqtarit, njihet si provë

24/03/2010 Gjykata pranon si provë materiale kasetën, ku gjyqtari Qani Hasa është përgjuar privatisht

Akuza: Shumë shpejt dosja do të dërgohet për gjykim. Kallëzuesi ende pa adresë

TIRANE- Kaseta që implikon gjyqtarin e Elbasanit Qani Hasa në afera korruptive është njohur si provë materiale nga gjykata e Tiranës, vendim ky që i ka shtuar shpresat Prokurorisë për të vazhduar veprimet hetimore, lidhur me dyshimet për korrupsion që ka ndaj gjyqtarit Hasa. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë njësisë hetimore Task-Forcë, të cilat folën se pak ditë më parë kanë depozituar në gjykatë një kërkesë për sigurim prove. Kjo kërkesë kishte si qëllim njohjen si provë materiale nga ana e gjykatës të një kasete, brenda së cilës ndodhet një bisedë e regjistruar ku dyshohet se gjyqtari nën hetim Qani Hasa i ka kërkuar një shumë financiare një shtetasi nga Elbasani, kundrejt uljes së dënimit që do të jepte ndaj të pandehurit Geront Toska, i akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe shitje të lëndëve narkotike. Pasi kanë shqyrtuar pretendimet e Prokurorisë togat e zeza i kanë dhënë “ok” akuzës, duke i njohur si provë materiale një bisedë të përgjuar pa vendim gjykate. Ky është precedenti i parë që gjykata vendos të njohë si provë përgjimet private, pasi e kaluara ka treguar se shumë çështje të kësaj natyre janë pezulluar për shkak se përgjimi privat nuk është konsideruar si provë nga gjykata. Njohja si provë e kasetës ka shtuar shpresat e prokurorisë që të marë të pandehur gjyqtarin Qani Hasa dhe dosjen në ngarkim të tij, ta dërgojë për shqyrtim në gjykatë. Sipas burimeve, kjo gjë pritet të kryhet javën e ardhshme, pasi aktualisht në dosje është e nevojshme të kryhen edhe disa procedura hetimore. Sipas Prokurorisë, personi që ka bërë kallëzimin në Prokurorinë e Elbasanit ishte Ibrahim Hoxha. Hoxha kishte bërë kallëzimin dhe kishte dorëzuar si provë materiale një kopje të incizimit të gjyqtarit duke kërkuar 3 milionë lekë për favorizimin e një të akuzuari për shitje të lëndëve narkotike. Prokuroria e Elbasanit e kaloi dosjen për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës, pasi në Elbasan nuk ka sektor Task-Force dhe gjithashtu kishte konflikt interesi.

Kallëzuesi

Ibrahim Hoxha është personi që ka kryer kallëzimin penal në ngarkim të gjyqtarit Qani Hasa. Aktualisht Hoxha është zhdukur duke mos lënë asnjë gjurmë, çka ka bërë që kallëzimi penal në ngarkim të gjyqtarit Hasa të diskutohej disa herë për t’u pezulluar.

Dosja në gjykatë

Prokuroria tha se shumë shpejt dosja do i kalojë për shqyrtim gjyqësor gjykatës së Tiranës. Prova më bindëse për akuzën vazhdon të jetë kaseta, e cila mendohet që tregon gjyqtarin e Elbasanit duke kërkuar ryshfet kundrejt uljes së dënimit të të pandehurit Toska.

Pretendimi i Qani Hasës

Gjyqtari Qani Hasa i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e Prokurorisë, duke i kërkuar kësaj të fundit edhe pavlefshmërinë e akteve, pasi sipas tij shumica e veprimeve hetimore janë kryer në kohën kur ai ka qenë me imunitet. Hasa është shprehur se çështja penale që ka filluar për të, është një çështje e montuar dhe trillimi nga personat që e kanë inat atë. Ndërkohë për sa i përket bisedës “komprometuese” që ndodhet në kasetën e sekuestruar nga Prokuroria, Qani Hasa ka thënë se biseda është e montuar dhe s’mund të merret si provë. Të kundërtën e kësaj thotë akuza, e cila duke u nisur nga ekspertimi shprehet se ajo është e vërtetë.

Precedenti “Dibra” dhe ngjashmëria

Dosja në ngarkim të gjyqtarit Qani Hasa mund të krahasohet me çështjen e njohur “Albatros” ku i pandehur ishte drejtori aktual i burgjeve Gazmend Dibra, asaj kohe drejtor i aviacionit civil. Lidhur me këtë çështje gjykata e Tiranës është shprehur duke i dhënë pafajësinë Dibrës. Argumenti kryesor për këtë është gjetur fakti se materiali i përgjimit që dispononte Prokuroria, ishte kryer në mënyrë private dhe jo me një vendim gjykate siç e parashikon ligji. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me gjyqtarin Qani Hasa, i cili është përgjuar në mënyrë private, por që ky përgjim tashmë është njohur si provë nga gjyqësori.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›