E Diel, 1 Nëntor 2026

Duka, si “babagjyshi”: 200 mijë euro klubeveDhjetë milionë euro investim në bashkëpunim me shtetin për rikonstruksionin e tribunës kryesore të stadiumit kombëtar ‘Qemal Stafa’; gjashtë stadiume të tjera me ndriçim përpara fillimi të sezon

“Dhjetë milionë euro investim në bashkëpunim me shtetin për rikonstruksionin e tribunës kryesore të stadiumit kombëtar ‘Qemal Stafa’; gjashtë stadiume të tjera me ndriçim përpara fillimi të sezonit 2009-2010; brenda shkurtit do t’u japim klubeve te Superligës rreth 200 mije euro”.

Këto janë disa nga objektivat e vitit 2009 të presidentit të plotfuqishëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në konferencën e tij të parë për shtyp për vitin 2009 në selinë e “topkëmbës” shqiptare.

Bosi i qeverisë shqiptare të futbollit u shpreh i pakënaqur me paraqitjet e kombëtareve të moshave, por tërësisht entuziast për atë që ka arritur Kombëtarja A nën drejtimin e holandezit në ndeshjet zyrtare të eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Afrika 2010”.

Sa i përket dy ndeshjeve të para të Kombëtares së Shqipërisë për vitin 2009 kundër Maltës (11 shkurt) dhe Hungarisë (28 mars), Duka është shprehur se objektivi janë marrja e 6 pikëve, por këto sfida duhen përgatitur me kujdes dhe pa eufori. “Gjithsesi, - u shpreh i vetëpërmbajtur Duka, - nuk duhet të ëndërrojmë shumë për një kualifikim bë botëror”.

Presidenti i FSHF, Armand Duka, tha gjithashtu se institucioni qe ai drejton do te mbështesë projektin për krijimin e Ligës  Profesionistë të Futbollit në Shqipëri, një iniciativë që dështoi në prag të sezonit aktual, edhe pse drejtuesit më të lartë të klubeve të Superligës tentuan ta krijonin atë.

Viti 2008 ishte viti i krizës së madhe në marrëdhëniet “Shtet-FSHF”, çka solli edhe pezullimin e përkohshëm Shqipërisë në aktivitetet nga ana e FIFA-s e UEFA-s, por vitin 2009 Duka e sheh me ngjyra krej rozë.

“Marrëdhëniet me shtetin janë në një klimë të mirë. Do të bashkëpunojmë me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve për riorganizimin e klubeve”, - shtoi presidenti Duka, i cili hyri në vitin e tij të shtatë si numri 1 i FSHF-së.

Presidenti Duka theksoi edhe mbështetjen e tij për klubet shqiptare, e cila është e dukshme jo vetëm në investimet , në infrastrukturë por edhe në mbështetjen që FSHF ka dhënë dhe do të japë për statusin e klubit.

Ai gjithashtu konfirmoi një tjetër mbështetje financiare për klubet gjatë muajve në vazhdim. “Ne kemi marrë një vendim dhe brenda shkurtit do t’u japim klubeve të Superligës rreth 200 mijë euro”, - tha Duka.

Sipas tij Dukës, Federata Shqiptare e Futbollit synon që në vitin 2009 të kryejë disa investime të rëndësishme si në infrastrukturë ashtu edhe në projekte të tjera.

“Ka nisur puna dhe synohet që të mbarojnë sa më parë 12 fushat me bar artificial, që do të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e stërvitjes. Dhe synojmë që në fillimin e edicionit të ardhshëm 2009-2010, edhe në gjashtë stadiume të Shqipërisë të ketë në dispozicion ndriçim për t’i zhvilluar ndeshjet natën”- theksoi ai.

Firma “Green Field” është fituesja e tenderit për instalimin barit artificial te 12 fushave stervitore, financuar nga projekti“Hattrick 2 UEFA”.

Sipas bosit të topkëmbës shqiptare “Ruzhdi Bizhuta” në Elbasan, “Niko Dovana” në Durrës, “Flamurtari” në Vlorë, “Skënderbeu” në Korçë, “Besa” në Kavajë dhe “Roza Haxhiu” në Lushnjë janë dhe stadiumet fatlume që do të përfitojnë nga një projekt me një kosto fillestare prej 1.5 milionë eurosh dhe do të financohet nga FSHF-ja, FIFA e UEFA si dhe pushtetet vendore.

Sipas presidentit të FSHF-së janë nënshkruar kontratat me pushtetet lokale. Në projektet e FSHF-së për vitin 2009 është edhe ndërtimi i 12 fushave stërvitore me bar artificial, një projekt që shkon deri në 3.4 milionë

Një tjetër temë e prekur në konferencën e shtypit, ishte edhe tema e “nxehtë” në lidhje me arrestimin e presidentit të Elbasanit, Arben Laze. Duka dha versionin zyrtar të FSHF-së, ku ndihej padyshim nuanca e pastër diplomatike.

“Anëtarët e federatës janë klubet dhe jo individët. Çdo individ në çdo shoqëri mund të penalizohet, por e rëndësishme është që institucionet duhet të përkrahen dhe ne e përkrahim klubin e Elbasanit. Individët mbajnë përgjegjësi individuale për veprimet e tyre”, - tha Duka.

Një projekt i madh i FSHF-së për vitin 2009 është dhe rritja e financave të klubeve të futbollit. Presidenti Duka deklaroi se FSHF do të luajë rolin e ndërmjetësit për të shitur të drejtën televizive të Kampionatit Shqiptar, të ardhurat e të cilit do të shkojnë të gjitha në arkat e klubeve të futbollit.

Duka është partizan i ideve të presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, i cili realizoi edhe një vizitë historike vitin e kaluar në Shqipëri, e para e një presidenti të UEFA-s në vendin tonë.

“Një drejtim tjetër i rëndësishëm i punës së Federatës Shqiptare të Futbollit do të jetë puna me moshat dhe promovimi i futbollit tek fëmijët dhe të rinjtë”, - theksoi kreu i futbollit shqiptar.

E reja e tjetër e këtij viti është edhe pjesëmarrja e parë pas 12 vitesh mungesë e Skuadrës Olimpike Shqiptare të Futbollit në Lojërat Mesdhetare, që do të zhvillohen në Peskara të Italisë.

Skuadra Olimpike do të drejtohet nga trajneri i Kombëtares, Ari Han, i cili e mbylli vitin e parë nën drejtimin e kuqezinjve me bilanc pozitiv në shtatë ndeshjet e zhvilluara, katër zyrtare e tre miqësore, teksa e mbylli vitin 2008 në vendin e 81-të në ranglistën botërore të FIFA-s.

Presidenti i FSHF-së deklaroi se të njëjtat stafe do të drejtojnë edhe ekipet kombëtare të U-16, U-18, në mënyrë që të kemi përfaqësim sa më të gjerë.

E Premte, 09 Janar 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›