Për protesta të përbashkëta, dhe të mirën e përbashkët

Degë të ndryshme të shërbimeve civile dhe
publike janë ngritur në protesta, apo kanë paralajmëruar greva, për të kërkuar
përmirësimin e kushteve të punës, me theks të veçantë në rritjen e pagave. Të
gjithëve u ishin premtuar paga më të larta përgjatë fushatave të ndryshme
paraelektorale dhe prononcimeve të ndryshme institucionale
Nga Vetëvendosje
E filluan mjekët të cilët gjatë tërë javës së
kaluar protestuan duke kërkuar rritjen e pagave të premtuara kohë më parë,
pastaj miratimin dhe zbatimin e ligjit për sigurimin shëndetësor si dhe ligjin
e punës. Java pastaj vazhdoi me grevat e policëve kërkesat e të cilëve ishin,
përveç rritjes së pagave, edhe zbatimi i tërësishëm i ligjit të policisë si dhe
ndryshimi i kontratave të punës nga të përkohshme në të përhershme.
Punëtorët e Teatrit Kombëtar janë në grevë
tash sa kohë, e po ashtu për javën e ardhshme greva kanë paralajmëruar
punëtorët e Shërbimit Korrektues të Kosovës, ndërkohë që protesta edhe greva
kanë paralajmëruar punëtorët e gjykatave dhe prokurorive, Sindikata e
Administratës publike, si dhe ajo e Administratës Tatimore. Në anën tjetër,
punëtorët e Llamkosit janë duke kërkuar tash sa kohë, përmes protestave dhe
tubimeve të ndryshme, qartësimin e pozitës së tyre dhe të ndërmarrjes së tyre,
e cila ishte privatizuar për tu kthyer prapë në pronësi të AKP-së.
Të gjitha këto greva e protesta e kanë një
emërues të përbashkët: ato tregojnë zëshëm për stërkeqjen e institucioneve
politike të vendit dhe politikave të cilat këto institucione ndjekin.
Qysh prej vitit 1999 UNMIK-u në bashkëpunim me
të gjitha qeveritë e Kosovës pa dallim kanë ndjekur politika të skajshme neoliberale
të cilat shkurtojnë dukshëm shpenzimet për shërbimet publike në emër të
qëndrueshmërisë buxhetore, me qëllim të zvogëlimit të shtetit dhe drejt
privatizimit sa më të madh të tij. Prandaj sot e kemi sistemin shëndetësor të
shkatërruar dhe pa sistem të sigurimeve shëndetësore. Kohëve të fundit kanë
filluar të lulëzojnë, sikur ordinancat e spitalet private, edhe kompanitë e
sigurimeve që ofrojnë sigurim shëndetësor.
Prandaj edhe kemi shumë më shumë fakultete,
kolegje e universitete private, për shkak se sistemi publik i arsimit është
rrënuar tërësisht. Tash do të na e privatizojnë furnizimin dhe prodhimin e
energjisë elektrike, ndërmarrjet skajshmërisht profitabile si PTK dhe Aeroporti
Ndërkombëtar. Nesër do të na e privatizojnë ujin e ngrohjen qendrore. Që të na
mbetet vetëm ajri.
Kërkesat për rritje të pagave dhe përmirësimit
të kushteve të punës janë minimaliste krahas asaj që i nevojitet Kosovës. Dhe
nuk është aspak e vërtetë që rritja e tyre është e pamundshme.
Qeveria e Kosovës i përdor paratë e Buxhetit
të Kosovës për investime absurde nga të cilat përfitojnë vetëm politikanët dhe
kompanitë e afërta me ta, të cilët i fitojnë tenderët. Qeveria ka projekt 80
milionësh për kompjuterizim të shkollave dhe shtrirjen e fibrave optik për të
gjitha shkollat e Kosovës, ndërkohë që nxënësit mësojnë në klasë të ngushta, e
mësuesit kanë të ardhura të mjaftueshme për të dalë nga varfëria ekstreme në
varfëri.
Ky zgjim i shërbyesve civilë dhe punëtorëve të
Kosovës është lajm shumë i mirë. Të gjithë punonjësit në Kosovë duhet të
bashkohen dhe të protestojnë bashkë, meqenëse kërkesat e tyre janë të ngjashme.
Ligji i punës, njëra prej kërkesave kryesore në këto protesta, është
domosdoshmëri për të gjithë.
Mirëpo ligji i punës në vetvete nuk sjell
dobi. Punëtorët e organizuar duhet ti kenë të qarta kërkesat e tyre dhe të
insistojnë në futjen e tyre brenda ligjit të punës. Dhe këtu duhet të bashkohen
edhe studentët, pensionistët e të papunët. Për shkak se këto kërkesa dhe ky
legjislacion e ndikon të gjithë shoqërinë.
Vetëm një qytetari e organizuar mund ta
përkthejë rritjen ekonomike në mirëqenie, meqenëse trendi aktual i ekonomisë
politike në Kosovë është në rrugë drejt koncentrimit të pasurisë në duart e një
pakice. Ndërkohë që kjo pasuri krijohet nga punëtorët, ashtu siç është krijuar
nga brezat e kaluar të punëtorëve, pasuria të cilën e kemi trashëguar. Kjo
pasuri është e të gjithëve dhe duhet të na takojë të gjithëve.
Dërguar nga
Lëvizja VETËVENDOSJE! - Prishtinë, 6 shkurt 2010