E Shtunë, 31 Tetor 2026

Farsa me emrin schengen

Më pak mundësi për lëvizje jashtë kufijve për artistët. Për dy vitet në vijim janë miratuar vetëm 100 viza për gjithë artistët e territorit të Shqipërisë. Përfituesit me “mik”, të tjerët të pakënaqur

Ata që duartrokiten e që publiku u ngrihet në këmbë për t’i nderuar, përpara dyerve të Ambasadave janë si gjithë të tjerët, popull, turmë, në radhë të gjata për një vizë. Madje ndokujt i duhet edhe të zihet me ndonjë polic harbut. Nëse nuk arrin të bindësh burokratët, atëherë të digjen kërkesa e kontrata në skena të huaja. Kur duhen përkrahës e vota, politikanë të të gjitha ngjyrave e ngrenë komunitetin e artistëve në piedestal. Premtojnë shpërblime, pajisjen me viza schengen për të qarkulluar lirshëm nëpër Evropë dhe sidomos në pjesën e “evropiane” të kontinentit, për të marrë e për të çuar përvojë. Por sapo fushatat përfundojnë, premtimet i merr era.

Tashmë jemi në një situatë të tillë. Prej disa ditësh, oborri i Teatrit Kombëtar zien nga pakënaqësia. Është “kohë vizash”. Ndryshe nga dy vjet para, kur të gjithë aktorët u pajisën me nga një vizë schengen 2-vjeçare, falë marrëveshjes së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë me homologen Italiane, këtë vit fatlumët janë vetëm dhjetë. Thuhet se s’ka asgjë zyrtare, ama emrat e përfituesve janë marrë vesh. Janë vërtet emra të nderuar, por për kolegët, ky nuk është justifikim që vlen. Nuk është bërë asnjë takim i trupës së aktorëve, fundja që këto pak viza të ndahen “vëllazërisht” mes 33 artistëve, duke favorizuar ata që e kanë më të nevojshme. Flitet se emrat i ka përcaktuar drejtori i TK-së, në bazë të preferencave, duke lënë shumë të pakënaqur. Më së shumti është brezi i ri i aktorëve, që ka edhe më shumë nevojë të lëvizë jashtë kufijve, për të krijuar lidhje me teatro e artistë të huaj, pse jo edhe mundësi për të lidhur një kontratë pune. Ndërsa flitet pa fund për politikat e mbështetjes të të rinjve, ata janë të parët që “persekutohen”, sepse ende nuk kanë “grada” apo klane. Burime zyrtare nga TK thonë se pranë këtij institucioni nuk ka ardhur ndonjë kërkesë për paraqitjen e një liste prej 10 emrash dhe ashtu si më 2006, Teatri i ka përcjellë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve listën prej 33 artistësh dhe është kjo e fundit që zgjedh.

Nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit mësohet se është kërkuar ndërkaq një listë emërore prej 20 vetësh, prej së cilës kanë përfituar drejtues sektorësh dhe solistë të operës, baletit dhe Ansamblit të Këngëve dhe Valleve. Sipas drejtuesve të TKOB-it, ky është një numër shumë i vogël, krahasuar me numrin e punonjësve që ky institucion ka përfshirë edhe Ansamblin. Kuptohet me këto “oferta”, do të ketë padyshim të pakënaqur. Artistët kërkojnë liberalizimin e vizave e nëse kjo nuk është e mundur MTKRS dhe MPJ duhet të lobojnë ca më fort e të krijojnë më shumë mundësi për ta. Në këtë rast topi i mbetet në “portë” ministrisë, e cila nga ana e vet deklaron se “për këtë vit janë vënë në dispozicion të komunitetit artistik 100 viza schengen. Nga ana e institucioneve, janë paraqitur listat emërore që e tejkalojnë qindshen. Sa për artistët në krijimtari të lirë, ata duhet të bëjnë kërkesa individuale pranë ministrisë”.

Dy vjet më pare, numri i artistëve përfitues ishte 300, ndërsa këtë vit 200 më pak. E nëse ky numër është tejkaluar nga institucionet e kryeqytetit, çfarë mbetet mandej për ata të qyteteve të tjera, ata që nuk kanë pasaporta të tjera njohjeje përveçse të shtetasit shqiptar? Pavarësisht kush ka zgjedhur emrat, nëse i kanë zgjedhur drejtoritë gjithsesi nuk mund t’i trajtojë artistët si ca të njerkës e ca të nënës, e gjithë kjo nuk është gjë tjetër veçse një farsë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›