Shqipëria sipas gjermanëve
Ekspozita me libra “Shqipëria. Reportazhe udhëtimesh dhe libra specialiteti në gjuhën gjermane” prezantohet sot në orën 18.00 në sallën gjermane të leximit në Bibliotekën e Librit Evropian në Tiranë. Në kuadrin e Tetorit Gjerman është marrë në konsideratë panorama e Shqipërisë që prej kohës së Skënderbeut, e cila është bërë objekt përshkrimesh letrare. Ekspozita jep një vështrim në evoluim të autorëve. Nëse në fillim iu kushtua vëmendje adhurimit të atributeve të luftëtarit shqiptar kundër osmanëve, më vonë Shqipëria shihej si një njollë e zezë dhe e panjohur e Evropës, si simbol i së huajës dhe egërsisë. Karl May i vendosi në Shqipëri ngjarjet në romanet e tij “Në humnerat e Ballkanit” dhe “Përmes vendit të Shqiptarëve” (të dy të vitit 1892) pa e vizituar ndonjëherë atë. Me krijimin e shtetit të pavarur në vitin 1912 Shqipëria u kthye në vëmendjen e reporterëve seriozë, si ekspresionisti gjerman Karl Otten (“Udhëtim nëpër Shqipëri 1912”) ose shkrimtari austriak Joseph Roth me reportazhet e tij nga Shqipëria e vitit 1927. Në kohën e fashizmit Shqipëria shihej pjesërisht si “vend i pazbuluar” në një perandori në ndërtim e sipër fillimisht nën sundimin italian e më pas në atë gjerman, dhe pjesërisht si "vatër zjarri" në Ballkan. Pas luftës Shqipëria ishte e izoluar. Megjithatë u botuan një numër i madh librash mbi Shqipërinë, në të cilat rindërtimi socialist u dokumentua në të shumtën e rasteve me tendenca pozitive ose Shqipëria u pa si lajmëtar i "shkrirjes së akujve" në Evropën Lindore (György Sebestyen 1965). Reportazhet dhe librat e specialitetit të prezantuara në këtë ekspozitë u mblodhën nga fondi i librave të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë si dhe nga koleksione private. Ekspozita paraqet shumë anë të imazhit të Shqipërisë dhe kureshtjen e madhe joshëse që ky vend i vogël ka ngjallur gjithmonë te vizitorët dhe studiuesit e tij.