Askush nuk e mbron dot Berishën nga akuzat e vetvetes
Në vend që të zbatojë Kushtetutën e shtetit të tij, në vend që të përkrahë prokurorët e shtetit të tij, në vend që t’i hapë rrugën e dritën jeshile drejtësisë shqiptare, kryeministri Sali Berisha bën një gafë tjetër të rëndë politike. Ai kërkon dekret nga qeveria e tij për ta dekretuar atë dhe vetveten avokat të një mafiozi serbo- boshnjak si Damir Fazliç, duke thirrur prokurorë të huaj për çështjen e tij.
Të kesh mik një person, cilido qofte ai, është e drejtë e secilit, pa përjashtuar as kryeministrin e Shqipërisë. Askush nuk e qorton, as kritikon Sali Berishën për një të drejtë njerëzore.
Të kërcënosh deputetët e parlamentit të shtetit tënd, t’u bësh shantazh atyre me dosjet, filmimet, regjistrimet, faktet, dokumentet e një miku të huaj qoftë edhe i padyshimtë e jo më i dyshimtë dhe i akuzuar nga drejtësia e një shteti tjetër demokratik si Bosnja, është skandal politik, juridik, njerëzor. Do të thotë që ky i huaj përgjon, kontrollon, mbikëqyr, do të thotë që ai ka kapur shtetin dhe vepron si shtet brenda shtetit.
Pastrimi i parave përbën një nga krimet më të rënda në fushën ekonomiko-financiare sot në mbarë Botën!
Të bëhet avokat i një biznesi të tillë, vetë kryeministri i cilitdo shtet, është skandal, është gafë jo vetëm politike, por edhe juridike. Shumë rol të ulët i cakton vetvetes ky kryeministër që të bëhet avokat i një "miku" të dyshimtë, të akuzuar nga drejtësia e një shteti tjetër demokratik për shantazh ekonomiko-politik dhe për kontrabandë armësh, dhe të denoncuar hapur nga vetvetja para kamerave të televizionit.
Prokuroria dhe akuza shqiptare nuk ka nevojë për asnjë provë tjetër më shumë se disku i regjistrimit të këtij vetëdenoncimi për ta inkriminuar atë. Asnjë prokuror, as avokat i huaj nuk mund ta mbrojë atë nga akuzat e vetvetes.