E Diel, 1 Nëntor 2026

Faruk Sejdini: Bojkoti i gjyqtarëve, një kambanë

/* */

Dash FRASHËRI - Bojkotimi nga ana e gjyqtarëve, për zhvillimin e ndeshjeve të javës së 12-të, në datat e paracaktuara, në shenjë protestë për shkak të dhunës ndaj kolegut te tyre, Lorenc Jeminit, në fushën e Laçit, ishte një problematikat më të mprehta të futbollit shqiptar, dhe natyrshëm solli edhe reagimin e njerëzve të sportit. Gazeta “Telegraf” bisedoi me trajnerin e njohur, Faruk Sejdini, 61 vjeç, në lidhje me këtë problem. “E konsideroj si një zile, që gjyqtarët i bien që të ketë kujdes e të mos përsëriten aktet e dhunës ndaj tyre”, - tha ish-tekniku legjendar i Dinamos (ka shpenzuar mbi 45 vjet të jetës së tij në klubin blu, nga viti 1966). Faruk Sejdini ka një eksperiencë 14 vjeçare si lojtar dhe 30 vjeçare si trajner, duke drejtuar gjatë këtyre viteve me mijëra lojtarë dhe disa skuadra dhe është ndeshur në më shumë se një rast si me “gabime njerëzore të gjyqtarëve, por në ndonjë rast edhe të qëllimshme”. “Shikuesit dhe sportistët kanë humbur besimin. Që të humbasësh besimin në një proces sportiv në një kampionat është një gjë e madhe”, -tha Sejdini, i cili si lojtar ka fituar pesë tituj kampionë (1966-1967, 1972-1973, 1974-1975, 1975-1976 dhe 1976-1977) si dhe tri Kupa të Shqipërisë (1971, 1974, 1978). Si trajner ka fituar titullin në sezonin 2001-2002. Sejdini ka qenë ish-ndihmësi i Astrit Hafizit me Kombëtaren, në periudhën 1997-1999.

Zoti Faruk Sejdini, gjyqtarët bojkotuan zhvillimin e ndeshjeve të javës së 12-të, në datat e paracaktuara, në shenjë protestë për shkak të dhunës ndaj kolegut te tyre, Lorenc Jeminit, në fushën e Laçit. Si do ta komentonit?

E konsideroj si një zile, që gjyqtarët i bien që të ketë kujdes e të mos përsëriten aktet e dhunës ndaj tyre. Tashmë, dihen këto probleme. Kanë ekzistuar gjithmonë. Në rastin konkret, në ndeshjen Laçi-Kastrioti, gjyqtari (Jemini), me aq sa unë pashë dhe lexova komentet pas saj, mendoj se ai nuk pati faj.

Flitet gjithmonë për gjykime të njëanshme të arbitrave. Sa qëndron ky vlerësim?

Në vendin tonë është bërë si modë, pasi po ngatërrojmë gabimet njerëzore me ato teknike, apo ato të qëllimshme. Ky proces gjykimi, në fakt, nuk mbaron as me këtë intervistë dhe nuk do të ketë fund derisa të luhet futboll. Problemi është që këto duhen ndarë. Gabime njerëzore ka në të gjithë botën. Amplifikimi i tyre vetëm nxit më shumë tensionet. Ne duhet të ndalemi fuqishëm te gabimet, që janë të dukshme, me qëllim që t’i ndalojmë ato. Përsa u përket gabimeve njerëzore, besoj se ato janë të korrigjueshme, sa më profesionistë dhe sa më shumë përvojë të kenë gjyqtarët, aq më të vogla dhe më të rralla do të jenë ato.

Ju keni një përvojë të gjatë si lojtar (14 vjet) dhe si trajner (30 vjet), a keni pasur rastin të konstatoni gabime të qëllimshme nga ana e gjyqtarëve?

Sigurisht, që raste ka pasur. Janë me dhjetëra. Pikërisht, këto gabime jo njerëzore kanë ndikuar në krijimin e atyre situatave të nxehta. Shikuesit dhe sportistët kanë humbur besimin. Që të humbasësh besimin në një proces sportiv në një kampionat është një gjë e madhe.

Në Shqipëri, në jo pak raste kanë ardhur dhe gjykuar edhe arbitra të huaj. Sipas jush, cila ka qenë cilësia e gjykimit të tyre?

Po, kjo është e vërtetë. Kanë arbitruar në pesë-gjashtë raste, në ndeshje finale, apo decizive kur e kanë kërkuar me insistim klubet. Ajo që unë kam vërejtur, është fakti se lojtarët tanë nuk kanë protestuar kurrë, me mënyrën që ata e bëjnë kundrejt arbitrave shqiptarë. Dhe këtë nuk e bëjnë as drejtuesit apo presidentët e klubeve, pasi gjyqtari i huaj e ka të thjeshtë të nxjerrë kartonin e kuq dhe largohet në atdheun e tij. Nuk qëndron më këtu, për të jetuar me atë trysninë e pasndeshjes, pse e nxori jashtë, çfarë qëllimi pati, etj. Edhe arbitrat e huaj kanë bërë gabime njerëzore, por në opinionin e klubeve dhe lojtarëve thjesht mjaftohen me vlerësimin se e bëri pa dashje, nuk kishte synim të ndihmonte, atë apo këtë ekip.

Sa e ka dëmtuar lojën gjykimi i njëanshëm i gjyqtarëve. A mund të rikthehet plotësisht besimi tek ata?

Ky është dhe aspekti më i rëndësishëm. Duhet rikthyer besimi. Derisa ta mungojë ai, gjithmonë drejtuesit do të kontestojnë, po ashtu futbollistët, e më pas deri të shikuesit. Kjo kërkon një punë shumë të madhe, nuk bëhet me një të rënë të lapsit. Në radhë të parë, këtë duhet ta krijojnë arbitrat, pasi ata e transmetojnë te lojtarët dhe të shikuesit.

Sejdini, përse dhuna dhe presioni i fortë psikologjik ndaj tyre ndodh në fushat e rretheve dhe jo në stadiumet e kryeqytetit?

Mendoj se, një nga faktorët që ndodh më shpesh në fushat e rretheve, është dhe fakti se ka më shumë shikues. Interesimi është më i madh karshi futbollit, pasi janë vende të vogla dhe shpesh herë për ta është dhe argëtimi i vetëm. Tirana nuk e pranon aq kollaj dhunën, spektatori është më shumë i civilizuar.

A ka nivel të lartë gjykimi shqiptar?

Nëse gjyqtarët tanë do të shkëputeshin nga kjo lloj trysnie, përfshirë edhe ndonjë lloj trysnie politike, dhe me këtë kam parasysh përfshirë edhe ndonjë kryetar bashkie, pasi shumë klube janë të bashkive, apo dhe ndonjë deputet zone, atëherë unë mendoj, se hap pas hapi edhe gjyqtarët do të gabojnë më pak.

Nën zë flitet, se gjyqtarët marrin pagesa nën dorë për të ndikuar në rezultatin e ndeshjeve. Sa e vërtetë është?

Për të folur për këtë çështje duhen fakte, sigurisht, nuk i përjashtoj 100 për qind, por mendoj se një apo dy drurë të shtrembër nuk e prishin dot stavën. Në futboll është shumë e dukshme, kur dikush merr apo pranon ryshfet për të ndikuar në rezultatin e një ndeshjeje. Ne duhet të heqim dorë nga influencat e jashtme. Në një ndeshje duhet të përfshihen vetëm 22 lojtarët dhe katër arbitrat, dhe jo faktorë të tjerë. Faktor tjetër i rëndësishëm është serioziteti i tyre. Një gjyqtar kryen një punë dhe një detyrë shumë të rëndësishme. Në rast se bën gabim, ai duhet të dënohet. Por, edhe ata që i dhunojnë arbitrat duhet të ndëshkohen me forcë. Masat duhet të jenë ekstreme. Shikoni, në një ndeshje të ekipit Kombëtar të ketë njerëz të pautorizuar në bankinë, pasi nuk të lejon delegati i FIFA-s apo i UEFA-s.

FIFA dhe UEFA në shumë raste e kanë ndëshkuar me gjoba të rënda Federatën Shqiptare të Futbollit edhe për hedhjen fishekzjarrëve dhe apo shisheve të ujit. A duhet të shërbejë si një pikë referimi?

UEFA na ka dënuar me gjoba deri në 50 mijë euro për dy fishekzjarrë, apo për pesë shishe me mijëra euro. Masat a ashpra janë të nevojshme te ne. Bota është edukuar me ligjin, pasi nuk ka si shpjegohet që në stadiumet pa rrethim mungon dhuna ndaj gjyqtarëve. Atje e kanë të qartë, se nëse do të kalojë rrethimin do të dënohet.

Sejdini, në librin e artë të kampioneve

Faruk Sejdini drejtoi këtë sezon Dinamon (deri në javën e 9-të), dhe në disa raste akuzoi gjyqtarët për gjykime të njëanshme dhe jo profesionale. Sejdini është një prej trajnerëve që ka fituar titullin kampion. 72 kampionatet e përfunduara janë fituar nga këta trajnerë: Zihni Gjinali (6), Selman Stërmasi (5), Myslim Alla (4), Rexhep Spahiu (4), Shkëlqim Muça (4), Sllave Llambi (3), Loro Boriçi (3), Xhevdet Shaqiri (3), Bejkush Birçe (3), Enver Shehu (3), Skënder Jareci (2), Shyqyri Rreli (2), Durim Shehu (2), Fatmir Frashëri (2), Sulejman Mema (2), Sulejman Starova (2), Ilir Daja (2), Zyber Konçi (1), Ernest Hapeliani (1), Ibrahim Dizdari (1), Sabri Peqini (1), Stavri Lubonja (1), Rramazan Rragami (1), Frederik Jorgaqi (1), Neptun Bajko (1), Edmond Liçaj (1), Astrit Hafizi (1), Haxhi Ballgjini (1), Hysen Dedja (1), Faruk Sejdini (1), Mirel Josa (1), Arben Tafaj (1), Shpëtim Duro (1). Te vetmit të huaj që kanë fituar një kampionat në Shqipëri janë hungarezi Samo Singer (1930, Tirana) dhe malazezi Dervish Haxhiosmanoviç (2000-2001, Vllaznia).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›