E Shtunë, 31 Tetor 2026

Al Sad dhe Kashiu Rejsol, rivalët e Barças dhe Santosit në gjysmëfinale

Kampionët e Azisë, Al Sad dhe kampionët e Japonisë, Kashiua Rejsol janë dy skuadrat e kualifikuara në gjysmëfinalet e Botërorit 2011 për klube. Al Sad mposhti me rezultatin 2-1 Esperans Tunizin. Megjithatë, pavarësisht se kampionët e Afrikës dominuan lojën, ishte skuadra nga Katari ajo që zhbllokoi rezultatin me Al Kalfan në të 33-ën. Al Sad dyfishoi shifrat në minutën e 49-të me Konin. Esperans Tunizi shkurtoi diferencën me Darragin kur kronometri tregonte 60 minuta lojë, por vetëm kjo rrjetë nuk mjaftoi. Tunizinët ishin edhe të pafatë, pasi goditja e N’Djeng u përplas në shtyllë, gjyqtari anuloi edhe dy gola për pozicion milimetrik jashtë loje, ndërsa në fundin e takimit Traui shpërdoroi rastin për të barazuar shifrat. Gjatë kësaj sfide nuk munguan edhe trazirat në tribuna dhe futja në fushë e një tifozi afrikano-verior. Të zemëruar nga vendimet e arbitrit të takimit, tifozët e Esperans Tunizi u përleshën me policinë në tribuna. Me fitoren e arritur, Al Sad do të përballet në gjysmëfinalen e aktivitetit me Barcelonën, të enjten më 15 dhjetor. Në takimin tjetër çerekfinal, japonezët e Kashiua Rejsol u kualifikuan duke mposhtur me rezultatin 5-4 me penallti, meksikanët e Monterreit. Koha e rregull dhe shtesa përfunduan në barazim 1-1. Japonezët kaluan të parët në avantazh me Leaondro Dominguez në të 53-ën, ndërsa meksikanët barazuan vetëm 5 minuta më vonë me Suazon. Në gjysmëfinale, Kashiua do të luajë të mërkurën, më 14 dhjetor, me brazilianët e Santosit.

Barcelona u nis dje drejt Tokios

Skuadra e Pep Guardiolas është nisur dje drejt Japoninë ku do të ndeshet për trofeun e fundit të vitit, Botërorin e Klubeve. Katalanasit kanë mësuar edhe kundërshtarin e tyre, që është skuadra kampione e Azisë, Al Sad nga Katari.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›