E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kështu punon mafia e basteve

/* */

Zëvendespresidenti i Federatës Kroate të Futbollit, Zheljko Siriç dhe kreu i komisionit të arbitrave, Stepjan Djedoviç, u arrestuan para disa ditësh në lidhje me fiksimin e të paktën një ndeshjeje në kampionatin kroat. Lajmin e bëri të ditur agjencia shtetërore e lajmeve, Hina. Në fakt, ka pasur arrestime të shumta në Europë, Afrikë dhe Azi, teksa zyrtarë sportivë dhe policë po përpiqen në vazhdimësi për të pushtuar futbollin nga skandali i fiksimit të ndeshjeve dhe blerjes së tyre. Sipas Kris Iton, grupet kriminale mund të kenë bërë deri në 2 miliardë dollarë në fiksimin e ndeshjeve në kampionatin italian në gjashtë vitet e fundit. Janë tri qendra anti-korrupsion të krijuara nga FIFA, në Singapore, në Amerikën e Jugut dhe në Lindjen e Mesme.  Në vitin 2008, u përfol jashtëzakonisht shumë se ndeshje gjysmëfinale e Kupës UEFA midis Zenitit të St.Petërsburgut dhe Bajernit të Munihit ishte e fiksuar, madje u fol se ajo ishte blerë nga mafia ruse, por autoritetet gjermane nuk ndërmorën asnjë hetim. Portalet në internet kanë treguar edhe si punojnë kompanitë e basteve për të marrë informacionet direkt nga fushat e futbollit. Ja si e shpjegon gazeta austriake “Kurier”: “Personi i porositur qëndron në fushë dhe flet anglisht ne telefonin e tij celular. 90 minuta, pa asnjë pushim. Të gjitha detajet e ndeshjes. Goditje këndi për ekipin vendas... Sulm për ekipin mik ... faull për ekipin shtëpiak. Është një nga të shumtit. Në të gjitha stadiumet e Bundesligës në Austri, në çdo ndeshje, është dikush që raporton pambarimisht. Por, përse? “Pasi për çdo ndeshje unë paguhem me 50 euro. Jam marrë në telefon nga Azia, të cilët kanë nevojë për të dhëna. Nuk kam asnjë ide se përse do të përdoren këto të dhëna për statistikat futbolli”, - thotë njëri për telefonuesve për gazetën austriake. Në Bokum të Gjermanisë, në vitin 2009, nisën hetimin e tyre në lidhje me skandalin e basteve, të cilësuar sipas UEFA-s, si skandali më i madh i basteve, duke tronditur gjithë botën. Gjurmët e manipulimit të çojnë shpesh në Azi. Atje, kompani të caktuara mbledhin informacione futbollistike e statistika dhe nga ndeshjet e kategorisë së dytë austriake. Në Azi bastet direkt në internet janë të shumta dhe të një kategorie shumë të gjerë, duke përfshirë baste mbi kartonët e verdhë, goditje e ardhshme nga këndi, numri më i lartë i golave e një listë e pasur bastesh speciale online. Të gjitha të dhënat nga fusha jepen përmes telefonit, sistemit “Callcenter”, në një nga qendrat më të mëdha të përpunimeve telefonike, në Malajzi. Telefonuesi i ndeshjes nga Liga e dytë austriake tregon, që ai është rekrutuar në një forum futbolli, nga një agjent ndeshjesh që operon në Austri, Belgjikë, Zvicër dhe Gjermani. Nuk është rastësi që të katër vendet janë në listën e hetimeve të prokurorisë së Bokumit. Kompania e përpunimit të të dhënave janë shumë të përpiktë përsa i përket pagesave. “Ka një kërkesë të fortë për bashkëpunëtorë, të gjithë marrin dy herë në muaj para për punën që bëjnë”. Skandali europian i fiskimit të rezultateve në vitin 2009, përfshiu rreth 200 ndeshje nga nëntë vende europiane: Gjermani, Belgjikë, Zvicër, Kroaci, Slloveni, Turqi,  Hungari, Bosnië-Herzegovinë dhe Austri. Gjithashtu, në listën e dyshimeve ishin dhe 12 ndeshje në Ligën e Europës, tri në Ligën e Kampioneve, ndërkohë që UEFA monitoroi 27 mijë ndeshje të zhvilluar në sezonin 2009-2010. Gazeta austriake “Kronen Zeitung” shkruante në një artikull të saj, ku shpjegonte truket e mafies së basteve, se shuma e mëdha nuk hidhen përmes internetit, por ato vendosen në Europën Lindore dhe Azi. Atje edhe një shumë prej 30 mijë eurosh për një bast tek, nuk konsiderohet diçka e jashtëzakonshme. Sipas faqes zvicerane, 20minuten.ch, se vendosja e basteve në Europë kap shumën e 350 miliardë dollarëve në vit, duke e bërë atë një biznes gjigant dhe të lakmueshëm për kompanitë ilegale të basteve, por dhe për mafien. FIFA ka ngritur tani sistemin e emërtuar “Sistemi i paralajmërimit të hershëm të FIFA-s”, ku kontrollohen mbi 29 mijë ndeshje në vit. Një sistem të ngjashëm ka ngritur edhe UEFA. Në Kinë është e ndaluar të vendosësh baste, por kompanitë ilegale arrijnë të qarkullojnë më shumë se 4 miliardë euro. Përgjithësisht, kompanitë kineze zgjedhin për të manipuluar ndeshje të kampionateve të dobëta, kur dhe është më lehtë të penetrojnë. Qindra nxënës raportojnë përmes SMS-ve për ecurinë e ndeshjeve.

Shkalla e manipulimit

Shkalla e manipulimit është, megjithatë, është e pakët. Ka të paktën dy variante, që përdoren për mashtrim në bastet e futbollit, dhe të cilat është duke punuar prokuroria e Bokumit për t’i zbuluar. Të dhënat “live” të ndeshjes përmes kompanive “Callcenter” më parë kalojnë të mafia e basteve, përpara se ato të publikohen në sistemin publik. Për shembull, një karton i kuq për ekipin vendas të dhënë në minutën e 57-të. Kartonët e kuq janë bast, mafiozi i basteve luan menjëherë për karton të kuq dhe ai më pas shënohet nga përpunuesi i të dhënave se ka ndodhur në minutën e 58-të, duke i mundësuar bastvënësit përfitimin e një shumë sipas koeficienteve të paracaktuar. Lojtarë, trajnerë apo dhe gjyqtarë, përpara se të fillojë ndeshja arrijnë midis tyre një marrëveshje në lidhje me ecurinë e takimit të parablerë, ku janë fiksuar edhe një radhë detajesh. Për shembull, një bast për kartonin e parë të verdhë gjatë ndeshjes. Lojtari i përzgjedhur bën “lojën e tij”, mban nga bluza në të parin dyluftim me kundërshtarin, dhe për këtë ndëshkohet me karton të verdhë. Mbi bazë të këtij shembulli ndërtohen edhe situata të tjera në ndeshjet që transmetohen live dhe publikohen për bastexhinjtë përmes një sistemi të dhënash të mbiquajtur “Betradar”.

Bastet ilegale në futboll

Basti ilegal në futboll është një problem në Azi. Një raport i Interpolit ofron një ide për shkallën e përfshirjes së basteve në futbollin ilegal. 1300 persona janë arrestuar për dyshimin në bastet ilegale në një vlerë 16 milionë dollarë. Vlerësohet se shuma në total në tregun aziatik kap nj vlerë rreth 1.5 miliardë dollarë. Në vitin 2007, Interpoli arrestoi 400 persona, 272 bastvënës ilegalë dhe konfiskoi një shumë prej 680 milionë dollarësh të vëna në baste. Vetëm këtë muaj janë në skandalin qëe po shqyrtohet nga prokuroria e Bokumit arrestoi 19 persona.

Rrjet i organizuar në Europë

Sipas UEFA-s, ekziston një rrjet ndërkombëtar i krimit të organizuar pas ndeshjeve evropiane, të cilat besohen se janë të fiksuara për arsye bastesh. Ka ndeshje të nivelit të tretë që në një uebsajt bastesh kalon 100 mijë euro. Në turne më të mëdhenj steka ngrihet deri në 1 apo 2 milionë euro. Në shumë vende aktiviteti i këtyre kompanive nuk është mjaftueshëm transparent, punojnë një treg heterogjen dhe janë një miks kompanish private shtetërore apo kombëtare e ndërkombëtare. Edhe transferimet ndërkombëtare kanë një pjesë të tyre.

Si pastrohen paratë e pista

Bazuar në analizat e organizatës së sipërpërmendur dhe në përdorimin e futbollit si një sektor që shërben si një makinë e pastrimit të procedurave të aktiviteteve kriminale, kalimit të parasë përmes transaksioneve financiare, janë katër mundësi:

1. Zotërimi i një klubi futbolli
2. Tregu i transferimeve dhe pronësia e lojtarëve
3. Aktivitet me bastet
4. Të drejtat e imazhit, sponsorizimet edhe marrëveshjet e reklamave

Pronësia e klubit

Investimet në klubet e futbolli mund të përdoren për të integruar paratë me origjinë ilegale në sistemin financiar, apo në investimet me karakter asetesh. Klubet e futbollit janë identifikuar si makinat perfekte për pastrimin e parave.

Rastet

1 - Rastet janë të shumta. Një i tillë: sponsorizimi i një klubi jo të ligës profesionale. Klubi është i mbërthyer në borxhe, nuk ka mundësi financiare për të paguar, këtë informacion e “dëgjon me dhembshuri” një biznesmen, i cili balancon deficitin.

2 - Investimi në një klub në vështirësi financiare. Një klub A është në vështirësi, dhe kërkon ndihmë financiare për t’i shpëtuar Një grup i caktuar financiar i propozon fillimisht paketën ndihmëse, e më pas përmes blerjes së aksioneve bëhet edhe pronari i ri.

3 - Investime të trafikantëve të drogës në klubet e futbollit. Një klub i vogël lokal ka nevojë të rritet në nivelin e kampionateve. Financimin e bën një trafikant i njohur, por që respektohet në ambient. Ai është dhe njeri popullor dhe me lidhje zyrtarësh.

4 - Paraja kesh e grumbulluar nga shitja e biletave, mund të jetë një mundësi e mirë manipulimi parmes falsifikimeve të numrit të shitjeve, duke iu referuar shifrave joreale. Kjo është më e madhe në klubet amatore lokale sesa në ligat e mëdha.Shitblerja e talenteve

Një klub blen një lojtar për 10 milionë euro, por në dokumentet zyrtare ai figuron se futbollisti u ble për 5 milionë euro. Shuma prej 10 milionë eurosh jepet nga investitorët. Këta investojnë vetëm 5 milionë euro për një talent, dhe 5 milionë euro i jep një klub tjetër, shumë e cila regjistrohet në librat e financave. Lojtari ka nevojë të fitojë përvojë, të përmirësojë veten dhe më pas shitet në një klub tjetër për një shumë, le të themi për 15 milionë euro. Gjithkush që është përfshirë në këtë marrëveshje përfiton me shitjen e lojtarit. Investitori mund të pastrojë 5 milionë euro dhe e merr pas shumën e investuar. Agjenti i lojtarit merr një komision të pastër, pasi lojtari u ble për 10 milionë euro dhe jo për 5 milionë euro, e më pas u shit për 15 milionë euro.

Katër burimet

Katër janë burimet kryesore të parave në futboll: të ardhurat nga shitja e biletave, të drejtat televizive, sponsorizimet (logot në fanella dhe përreth stadiumeve), të ardhura të tjera komerciale.

Tre faktorët

Janë shumë faktorë, që të kombinuara me njëri-tjetrin e bëjnë futbollin një nga sektorët më tërheqës për kriminelët. Tre janë identifikuar: financa, struktura dhe krijimi i popullaritetit.

Penetrim i lehtë

Tregu i futbollit është shumë i lehtë për t’u penetruar. Arsyeja kryesore mungesa e barrierave hyrëse në këtë sektor. Fansa futbolli nga të gjitha shoqëritë takohen në stadium.

Strukturë e komplikuar

Sektori është kompleks, ka një netuork të komplikuar aksionarësh, që ndërlidhen dhe janë të pavarur e me aktorë të ndryshëm. Janë në lojë korporata, sponsorë dhe televizione.

Status i privilegjuar

Futbolli ka një status, të cilin shumë njerëz dëshirojnë të jenë të lidhur. Kriminelët kërkojnë shpesh një status jashtë botës së krimit, dhe futbolli ua krijon këtë mundësi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›