E Diel, 1 Nëntor 2026

Barça si një legjendë, Real flop, shtypi spanjoll sulmon Murinjon

SHKRUAN: Jeton Selimi 12-12-2011 15:57

Mediat iberike çojnë në qiell blaugranat pas fitores 3-1 në “Bernabeu”. “Barcelona po zmadhon legjendën e saj,” nënvizon AS, ndërsa Marca shton se “pas minutës së 20-të, Reali nuk shihej me sy”. Ndërkohë Mou me të tijtë e kërkojnë fajin te fati!

“Pak Madrid, shumë Barça”. Ky është titulli i madh i Marca-s, që fotografon në mënyrë perfekte klasiken e shtatë dhe të fundit të vitit 2011, të fituar 3-1 nga Barça në Bernabeu. Madridi më i mirë i Murinjos, 15 fitore radhazi, u kthye me këmbë në tokë nga një Barça yjore dhe gazetat spanjolle nuk humbasin rastin që ta thonë. Përfshirë edhe ato madrilenet.

“Ka fituar më i miri”, lexohet në faqen e parë të AS: “Mesi e Injesta të shkëlqyer, nata më e keqe e Kristianos”. Dhe më pas në faqen 2, mes kronikës së ndeshjes dhe kolonës së drejtorit, shkruhet: “Futbolli kundër fiksimit”. Është titulli i ndeshjes, që i referohet konferencës së famshme për shtyp të Murinjos interist në “Camp Nou” përpara gjysmëfinales së Champions. Atëherë, pranverë e vitit 2010, Zhoze thoshte se Interi kishte një ëndërr dhe Barça një fiksim (finalen në Bernabeu). Sot është e kundërta. Por shtypi katalanas është i tëri i kënaqur. Triumf dhe hiperbola, kënaqësi totale. “Heronj!” është aperture e Sport, që vendos ta kthejë vertikalisht faqen e parë duke e bashkuar me të fundit, siç bëhet në raste të jashtëzakonshme. “Rikthim me leksion futbolli në Klasike”. Dhe më pas një vlerësim: “Kjo Ligë është shumë e gjallë”. Tek El Mundo Deportivo ulërasin: “Goditje kampionësh” dhe më pas: “Përsëritje në Madrid. Një tjetër ndeshje e madhe në Bernabeu pasi u pësua një gol pas 24 sekondash. Blaugranat kthyen me këmbë në tokë Realin”.

Murinjo: Mesi meritonte kartonin e kuq

Pas disfatës ndaj Barcelonës në “El Classico”, Zhoze Murinjo, pohoi se të gjithë në dhomat e zhveshjes te Real Madridi ndiheshin të trishtuar, por të relaksuar. Trishtimi dukej fare qartë edhe në fytyrën e teknikut portugez, i cili në fjalët e para pas ndeshjes që u kthye në epiqendër të vëmendjes, u shpreh se ekipit të tij i mungoi fati në disa çaste vendimtare për ndeshjen. Murinjo iu referua dy rasteve mjaft të mira të Ronaldos, i cili mund t’i kishte dhënë një tjetër rrjedhë takimit. “Pjesa e parë ishte e balancuar, por goli i dytë ishte totalisht çështje fati dhe asgjë më tepër”, deklaroi Murinjo në versionin e tij melankolik. “Pas golit të dytë, Barcelona fitoi superioritet në aspektin psikologjik, çka do të thotë se u spostua më në sulm dhe kontrollonte topin, gjë që di ta bëjë mirë. Fati ndikon sepse pas golit të parë, rezultati duhej të bëhej 2-0 dhe në rrethana normale, Kristiano do të kishte shënuar”, theksoi numri një i pankinës së “Los Blancos”. Për Murinjon, Mesi duhej të kishte marrë kartonin e dytë të verdhë për faullin ndaj Ksabi Alonsos, por shtoi se këtë episod duhet ta shikojë edhe njëherë nga regjistrimet.

Pepe i bashkohet rrymës: Ishim pa fat

Mbrojtësi i Real Madridit, Pepe ka deklaruar pas ndeshjes së humbur ndaj Barcelonës se ekipit të tij i mungoi fati në momentet te caktuara të sfidës. “Ne ishim në epërsi 1-0 dhe kemi pasur rastin me anë të Kristianos për ta dyfishuar epërsinë, por dështuam. Ishte ndeshje e çuditshme për ne, pasi Barcelona kishte shumë fat dhe kjo vendosi ndeshjen. Dhemb më shumë humbja përballë tifozëve, sidomosm pasi filluam mirë ndeshjen. Tani duhet të mposhtim Ponferradinën në Kupë dhe të mposhtim Seviljan në fundjavën tjetër”, tha Pepe.

Kasijas merr në mbrojtje Ronaldon

Portieri i Real Madridit, Iker Kasijas i ka dalë në mbrojtje bashkëlojtarit Kristiano Ronaldo, pas humbjes 3-1 nga rivali më i madh i tyre, Barcelona. Reali konsiderohej favorit para përballjes në “Santiago Bernabeu” të shtunën, por e pësoi sërish nga gjiganti katalanas. “Ne të gjithë duhet të luajmë në maksimumin tonë, jo vetëm Kristiano. Ne jemi ekip dhe kritikat drejtohen te të gjithë ne. Ishim të pafat, por nuk duhet të kërkojmë justifikime,” tha Kasijas pas takimit. Ronaldo humbi disa raste të mira gjatë ndeshjes që i kushtuan shtrenjtë Realit.

Guardiona: Në jetë duhet të guxosh

Pep Guardiola nuk mund ta fshehë lumturinë për fitoren dhe performancën në El Clasico ndaj Real Madridit. Trajneri i katalanasve vlerësoi lojtarët e tij për lojën në “Santiago Bernabeu”, ndërsa refuzoi të flasë për një kolaps të madrilenëve. Duke folur për gazetarët pas ndeshjes, Guardiola deklaroi se në takime të tilla duhet rrezikuar dhe provuar çdo gjë. “Në jetë duhet të kesh guxim ose shumë guxim”, pohoi ai. Më tej Guardiola vlerësoi në veçanti edhe portierin Viktor Valdes, gabimi i të cilit në minutën e parë të takimit i kushtoi katalanasve golin e vetëm të pësuar. Sipas Guardiolës, Valdes e menaxhoi mirë situatën pas golit, duke treguar fuqinë e tij dhe të ekipit. Në lidhje me Realin, Guardiola u shpreh se do të ringrihet pas kësaj disfate dhe do të vazhdojë të jetë lider në kampionat, nëse do të fitojë në Sevilje.

Ksavi: Ishim superiorë ndaj Realit

Menjëherë pas ndeshjes, futbollisti i Barcelonës, Ksavi Hernandez ka deklaruar se Barça sonte ishte shumë superiore kundër Real Madridit. “Kjo fitore ishte për rikthimin tonë në formë pasi kemi fituar shumë moral me këtë fitore. Filozofia jonë ishte që të jemi heronj dhe jo të fitojmë në mënyrë tjetër. Thjesht, ishim superior kundër Realit”, tha Ksavi menjëherë pas takimit në të cilën barca mposhti Realin me rezultat 1-3.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›