E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 5 përqind

Ekonomia shqiptare pritet të rritet deri në 5 përqind në dy vitet e ardhshme. Kështu është shprehur guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani në forumin e bankave ndërsa shtoi se rritja ekonomike ka qënë pozitive edhe pse me ritme të ngadalta.

Ai gjithashtu theksoi se norma e inflacionit është nën kontroll ndërsa gjatë vitit 2010 aktiviteti i sistemit bankar është rritur ndjeshëm.


“Edhe pse rritja ka qënë me ritme të ulta krahasuar me vitet e tjera, aktiviteti i sistemit bankar është rritur ndjeshëm. Depozitat janë rritur me 18 përqind ndërsa kreditimi me 10 përqind për muajin maj të vitit 2011” theksoi Fullani.

Ndërkohë duke iu referuar krizës financiare globale, Fullani theksoi se ekonomia shqiptare e përballoi me sukses këtë krizë duke treguar një shkallë të lartë qëndrueshmërie.

“Ekonomia shqiptare nuk përjetoi falimentim bankash por përballoi krizën e besimit ndaj sistemit bankar” theksoi Fullani ndërsa shtoi se kjo performancë nuk është produkt i rrethanave rastësore por falë reformave strukturore gjatë periudhës së krizës dhe deri më sot.

Gjithashtu guvernatori Fullani theksoi se drejtimi i ekonomisë është i rëndësishëm për zhvillimin e vendit ndërsa shtoi se kjo gjë duhet të shihet si burim i qëndrueshëm i të ardhurave të vet operatorit të tregut, Ai gjithashtu theksoi se një rëndësi të madhe duhet të ketë edhe cilësia e menaxhimit të rreziqeve të lidhura me këtë proces apo me veprimtaritë e tjera bankare.
 

“Një nga goditjet e para të krizës financiare është edhe sistemi i kreditimit, kriza financiare janë krizat më të vështira, janë kriza që zgjatin në kohë dhe prekin çdo qelizë të ekonomisë së vendit. Për këtë qëllim lajkmotivi i sotëm i reformave është rregullimi në funksion të zgjerimit të tregut në kontekstin global. Ky rregullim duhet të jetë i natyrshëm dhe jo të kthehet në një dekorim” shtoi Fullani.
 

Ai gjithashtu theksoi se tregu i shitblerjes së pasurisë së paluajtshme dhe letrave me vlerë duhet të ndërtohet si treg i hapur për këdo që do të shesë apo të blejë.
 

"Ky është koncepti bazë i ekonomisë së tregut vijoi Fullani, pa këtë funksion të shit-blerjes së tregut, tregu kalon në ngërç, dhe bëhet i papërdorshëm. “Në këtë mënyrë ai ndikon në aktivitetin e agjendës ekonomike dhe në rritjen e kredive me problem. Ato janë rritur deri në 15%, duke çuar në pamundësinë e bizneseve për shlyerjen e kredive ndaj bankave” theksoi ai.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›