E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fasonistët nën presion për vazhdimin e kontratave

28/01/2011  Pasojat e krizës politike

Industria e sektorit me fason ka ndjerë ndikimin e ngjarjeve të fundit, që sollën reagimin me protesta të dhunshme dhe mbi të gjitha ngërçi politik. Florian Zekja, përfaqësues i Shoqatës së Prodhimit të Veshjeve dhe Këpucëve, theksoi se pas pamjeve të transmetuara të ngjarjeve të fundit, nga porositësit e materialeve të tyre kanë marrë kontakte për t’u informuar mbi situatën aktuale në vend dhe mundësitë e vazhdimit të bashkëpunimit. Sipas tij, problemet e këtij sektori më të shumta, vijnë si rrjedhojë e burokracisë së tepruar të institucioneve shtetërore. Aktualisht, sektori i fasonëve është ndër më aktivët në industrinë shqiptare, ku dhe ka numrin më të madh të të punësuarve. Problemet me të cilat përballen aktualisht përfaqësues të këtij sektori lidhen kryesisht me mosrimbursimin në kohë të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar apo përcaktimin e pagës minimale nga qeveria. Përfaqësues të industrisë me fason kanë kërkuar nga qeveria zbatimin e një strategjie për këtë sektor me qëllim mbrojtjen e interesave të 300 ndërmarrjeve të kësaj dege të ekonomisë ku janë të punësuar me mijëra vetë, kryesisht gra dhe vajza. Sot, në Shqipëri, punohet veçse me porosi të vogla dhe dërgesa të shpejta, për shkak të afërsisë gjeografike që ka vendi ynë, sidomos me Italinë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›